Artur Spanjolli: VEÇ TI DIJE Ç’ISHTE DASHURIA
Veç ti dije ç’ishte dashuria.
Thellësinë veç ti ja njohe asaj.
Ti i jepje çmimin e shenjtë
çdo loti të hidhur dhe plot zjarr
shembur për tokë lartësoje veç atë.
Asaj ti i klithje kur të gjithë flinin
Krejt të trullosur nga helmi ideollogjik.
Fort ti ulërije
kur të tjerët përgjumur,
me shpirtrat krejt në terr
nuk e njihnin më.
Lasgush i dashur deri në kupë të qiellit
lartësohej i yti pasion për këtë jetë.
Oh vdisnin rrugët për pak dashuri,
pemët krejt qiellin donin të arrinin
dhe hëna të të puthte donte, a e di?!
Rendnin yjet në një valle drite
dhe qante liqeri në muzg veç për ty.
Ti shihje aty
ku të tjerët iknin,
fare, fare pa sy.
Dëgjoje ti aty
ku të tjerët
muzikën nuk e njihnin
Krejt çuditeshin me ty.
Ç’ulërisnin fundet me një shembje të kobshme.
Dashuri kërkonin zërat.
Po Lasgush i dashur.
Veç ti dije ç ish ajo e shtrenjta!
Veç ti dije të qaje aq thellësisht.
Nga fundet. Nga fundet ulërisnin shpirtrat.
Amshim kërkonin mes vulgut.
Të lartësoheshin donin,
në këngën e pafund plot dert e mall.
E njohe pasurinë e vërtetë që foshnje
dhe fort e lartësove atë.
Prej fundesh oshëtinin dallgët,
dhe ulërinte deti me shkumë,
qielli krejt me re u vrenjt dhe rrufe dashurie
Me krisma gjëmonin.
Fluturo, ti shpend vetmitar, plot dhimbje.
Plot dert. Plot lot. Ti ishe monumenti
Kur dobësia lartësohej deri në skaj të dritës
Dhe hyj bëhej mishi njerëzor.
Hyj bëhej bukuria e saj.
Jo më ditë, as muaj, as stinë , as vit , as shekull
Nuk do të jetojë njeriu
nëse dashurinë e thellë nuk e provon.
Oh jo më dorë, as këmbë, as sy,
as puthje, as zë, veç lot dhe natyrisht
pa fund, veç dashuri.
Thjesht tek ty unë besoj
Tek lartësimi i asaj. Ajo
e vetmja hyjni, tempull drite
Ku shpirti lartësohet
Dhe ulërasin qiejt,
oshëtijnë ujërat e malet tranden krejt.
Oh për të tërë zogjtë e qiellit,
që këngën e tyre e shtonin
Kur kaloje ti.
Dhe gjethet fluturonin krejt drejt qiejve.
Për ty mrekulloheshin kafshët
dhe me flutura shumëngjyrëshe mbushej ajri.
Oh rreze drite që kurrë nuk shterresh.
Të merrja tërë blunë e detit,
dhe pafundësinë e yjeve,
dhe tërë gurgullimën e ujërave
edhe heshtjen e liqerit në muzg
dhe akoma nuk do ta mbushja hapësirën
e këngës tënde të thellë.
Më i ëmbël dhe se mjalti i tërë botës
është fjala jote, aq i bukur je ti
kur ëndërron muzgjeve.
Krejt i shtrirë, shëmbur, vrarë,
djegur, përvëluar, në lot i larë,
të shoh në vetminë e madhe ku ishe,
i sublimuar në mjerim.
Në mjerim duke qarë.
Për at zemër. Për at dashuri
që njeriun vret dhe fort e lartëson.
Veç atë kemi. Veç atë njohim.
Veç atë dëshirojmë pra!
Dashurinë.
Dhe ti, poet që buçet dhe fort ulëret
qamet, medet, për hallin e vet,
prej fundesh po çirresh dhe gërthet,
veç këto lot ke dërguar tek Zoti yt,
ç’pajë madhështore!
As mall, as pasuri.
Veç zemrën krejt të shkretuar në lumturi.
Oh ç’dert madhështor,
ç dashuri që vret dhe zjarr që djeg.
Për ty tingëllon orkestra,
për ty violinat bien në kor,
dhe për ty oshëtin lodra,
kori i shenjtë veç për ty jehon,
aq i madhërishëm ishe ti
kur këndoje prej fundesh.
Simfoni e paparë. I larë
krejt në lot ç’kërkoje ashtu
Ti i mjeri poet?!. Arë lotësh hyjnorë?
Aq i madh je ti, sa nuk të nxënë as yjet
ndaj endesh përjetësie
krejt si një hyjni. Aq i madh je ti!