Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: UNË NUK JAM PATRIOT!

Filozofi i madh anglez, Sir Bertrand Russell, një ditë “i grahte” biçikletës së tij dhe befas kuptoi se nuk e donte më gruan e tij. Kjo histori e filozofit të madh më është dukur gjithmonë bizare dhe e pabesueshme derisa mua më ndodhi diçka e ngjashme. Teksa sot po ngjitesha në majën e Pashtrikut, papritmas kuptova se një nga marrëdhëniet e mia të dashurisë kishte përfunduar. Nuk po flas për një marrëdhënie personale, por për dashurinë time për Kosovën. Pikërisht sot, në ditën e pavarësisë së shtetit tim, kuptova që nuk jam më patriot.
Po kërkoja kuptimin e fjalës patriot, dhe fjalori i Webster-it e përkufizon patriotin si personin që e do dhe e mbështet vendin e tij me besnikëri dhe zell. Ka dy komponentë të dallueshëm të patriotizmit, njëri i lidhur me ndjenjë dhe sentiment, tjetri me aktivizëm dhe angazhim konkret. Shumica e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri thonë se janë patriotë. Por, shumica e shqiptarëve dashurinë për vendin e kanë vetëm të nivelit të parë, atij deklarativ.
Kjo është mjaft e lehtë për t’u testuar. Shteti për mua është një instrument, është një mjet që njerëzit e mençur, grekët e lashtë kanë ndërtuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Shteti nuk është një nocion abstrakt. Mund të përkthehet në terma konkretë në atë se sa ka arritur një shoqëri të ndërtojë institucione që e ndihmojnë individin të bëjë një jetë dinjitoze. Nuk ka nevojë të shtjellohet se sa cilësore janë institucionet tona shoqërore. Të gjitha faktet empirike thonë se ne kemi ndër sistemet më të dobëta arsimore, ekonomike, shëndetësore, kulturore, sportive etj. në Europë.
Ne që jetojmë brenda vendit të gjithë themi se jemi patriotë të flaktë, por të gjithë kërkojmë të ikim sa më shpejt. Ndërkaq ata që jetojnë jashtë bërtasin në kupën e qiellit për të demonstruar patriotizmin e tyre, madje mundohen të shesin mendë se si duhet ndërtuar shteti. Por kur u kërkohet të investojnë paranë e tyre këtu, kur u kërkohet të vijnë dhe të bëhen një model i mirë mësuesi, sipërmarrësi, profesori, sportisti, artisti nuk e bëjn këtë. Pse? Sepse janë materialistë.
E nisa me Russell, dua ta mbyll me Sokratin. E akuzuan për tradhti, për përhapjen e ideve që degjenerojnë rininë. E dënuan me vdekje. Por, i dhanë një shans të arratisej, të ikte nga burgu. Nuk pranoi të largohej sepse e donte vendin e tij. Mendonte se po të largohej do të shkelte ligjet e Athinës dhe mbi të gjitha do të bëhej model i keq patriotizmi. Sokrati e identifikonte patriotizmin e vërtetë me të vërtetën që duhet t’u thoshte athinasve.
Megjithatë, urime ditëlindjen shteti jem!
Please follow and like us: