Gjykata e Apelit lë në burg noteren Rezarta Koçi
Gjykata e Apelit Tiranë ka lënë në fuqi vendimin e arrestit me burg për noteren Rezarta Koçi. Kjo e fundit akuzohet se ka përfituar miliona euro nga mashtrimet nëpërmjet shitjes së banesave. Në datën 06.07.2021, mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi, në datën 31.05.2021, shtetasi me iniciale E.Q ka bërë kallëzim ndaj noteres me iniciale Rezarta Koçi, duke pretenduar se duke shpërdoruar detyrën i ka vjedhur një shumë parash. Prokurori i kërkoi gjykatës, caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për personin nën hetim Rezarta Koçi, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 të K.Penal.
Me vendimin nr. 237 Akti, datë 03.02.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:
-Caktimin e masës së sigurimi personal ndaj personit nën hetim Rezarta Koçi, atë të “Arrest ne burg”, – në mungesë, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
-Urdhërohet policia gjyqësore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.
-Pas zbatimit të arrestit, me vendimin nr. 237/1 Akti, datë 05.02.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur;
-Vazhdimin e masës së sigurimit personal atë të “Arrest ne burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale marrë me vendimin nr. 237 Akti, datë 03.02.2022 ndaj personit nën hetim Rezarta Koçi. Urdhërohet policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim Rezarta Koçi.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj.Valdete Hoxha, me vendimin nr. 140 datë 17.02.2022 vendosi: Miratimin e vendimit nr. 237/1 Akti, datë 05.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.