Albspirit

Media/News/Publishing

Nurie Emrullai: DHÉ DASHURI NGA KJO ANË KUFIRI

DHÉ DASHURI NGA KJO ANË KUFIRI
Mëmëdheu im gjithmonë nis
në shkronjën e parë të fjalës MALL.
Mëmëdheu ynë gjithmonë mbaron
në shkronjën e fundit të fjalës BASHKIM.
0
Mëmëdheu im është toka mjaltë,
e mjaltë është gjuha,
britma jonë e parë MË-MË…
krahëror ku pinim ujin e nëntokës në agun e ditës së shtatë.
0.1
Atdheu është rrokja e parë BA-BA…
kur stinët akoma s’ishin ndarë,
kur në diellin luteshim, në gurin e në shiun,
e shtëpitë rrënjë kishin mbi fytyrat tona.
Atdheu nis në këngën e parë të zgjimit,
dhe në këngën e fundit tonën ai na përcjellë.
1998
Vargu i parë që gatoi jetën time,
qe “Kosova e lirë” bërtisja me sa zë kisha
e me duart gatitur jepja shfaqjen e parë
ndër njerëz të pagëzuar -Refugjatë.
-Ata me çorape të zeza deri në gju,
baltën e kuqe të atdheut me vete e kishin bartur.
…pleq, gra e fëmijë, ecnin kërrusur nga plagët
që atdheu u kishte marrë.
Dhe unë isha midis kufiri. As emër, as gjuhë…
Isha e lumtur për të parën poezi
që e kisha mësuar përmendësh
dhe miqtë tanë që kishin ardhur nga diku larg,
me gjuhë si e jona, veç ma burrërore.
Veç unë isha e lumtur dhe poezia ime sigurisht “Kosova e lirë”,
pastaj kujtoj, sy, sy, sy pafund, të trishtët sy,
që tmerrin e kishin groposur kafkës së qiellit…
2001
Pastaj, unë u rrita, herë- herë më kujtohej poezia,
por kohët më ishin ngatërruar,
fillova të kuptoj se jetoja me atdheun e munguar.
Dëgjoja Shqipëri, Shqipëri.
-Kush është Shqipëria?
-Shoqja ime që iku në kurbet?
Qeshte nëna dhe pastaj mendoj se këndonte: “O ku ka si ti o Shqipëria ime…”
Pastaj, Shqipërinë e gjeja shpesh në libra, në këngë e në flamur,
dhe më vonë, si të gjithë ju, në zemër ndërtoi shtëpinë…
Kosova gjakun trete…
Dimër 2002
Qe babai ai që më fliste çdo herë për kufijtë,
po atëherë për kufij unë e dija një copë gur
që e hedh me duart derisa me hapa tokën mat.
Kufiri mendoja se veç me këmbë matej.
Historia ma përplasi shuplakë.
2021 dhe tetë e shtrirë
Mëmëdheu është fati ynë i paracaktuar,
gjaku që ujë s’bëhet, e nama e rëndë që kokën ta kërrus.
Mëmëdheu është kujtesa e fundit e kësaj jete, është shpëtimi, krahëror i dashurisë që gjithmonë mbaron me MALL.
Unë nga kjo anë kufiri ndjej,
ëndërroj për Shqipërinë,
sa gjithë gjaku im mban emrin e saj.
Gjithmonë, gjithmonë nis e mbaron me MALL.
Please follow and like us: