Pas Prishtinës e Tiranës, në Shkup promovohet monografia për policët e Kosovës
Në Shtëpinë e Kulturës “Koço Racin” Shkup, është promovuar monografia “Yje mbi dafina”. Libri i autores, Mihane Hoxha i kushtohet 21 zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.
Në hapjen e ekspozitës dhe promovimin e librit përveç autores Hoxha, i pranishëm ka qenë edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës “Koço Racin” të Shkupit, Safet Kamberi, i ngarkuari në detyrë nga Ambasada e Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu, këshilltari Vlorat Gashi, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve “ABC Poetike”, Vullnet Sadiku, profesoresha Imrane Morina, komandant Fexhri Abrashi, znj. Liridona Ahmeti, familjar të dëshmorëve, gazetarë, historianë, poet e shkrimtarë…
Në fjalën e tij drejtori Kamberi është shprehur: puna e një artisti nuk vlerësohet me numra, por me kualitetin që ato kanë. Për këtë vepër që ka shkruar Hana, shpresoj që do të jetë një nxitje edhe për të tjeret, për shkak që të rënët në këtë botë i kemi të sferave të ndryshme… Kam nderin që jam nikoqir në këtë manifestim, Hanes i uroj krijime edhe në të ardhmen”.
E në fjalën e tij, i ngarkuari në detyrë Sadriu, ka thënë: është kënaqësi e veçantë të jem këtu në këtë promovim të kësaj vepre letrare, e cila po bëhet në prag të shënimit të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një kontributi të heronjve tanë që kanë rënë në detyrë dhe shpresoj që me këto vepra të mira, të arrijmë të dokumentojmë sa më shumë punën e devotshme që e bëjnë zyrtarët policorë, çdo ditë në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe në mbrotje të sigurisë së qytetarëve. Unë i dëshiroj Hanës shumë suksese në punën e saj publicistike . Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup është e hapur për të mbështetur aktivitete të tilla kulturore. Shpresoj që këtë bashkepunim do ta thellojmë edhe më tej me organizatat e mbrendshme këtu dhe jo vetëm.
Ndërsa, profesoresha Imrane Morina, ndër të tjerash ka shtuar: Sot, kam nderin të jem e ftuar në promovimin e monografisë me titull “YJE MBI DAFINA” nga autorja Mihane Hoxha. Libër ky I cili në mënyrën më të bukur tregon rëndësinë e të gjithë atyre (policëve) që dhanë më të shtrejtën e tyre JETËN, në krye të detyrës dhe në shërbim të vendit(Kosovës)!. Suksese autores dhe shpresoj që zëri i saj të mos ndaloj pas këtij promovimi.”.
Në fund autorja Hana Hoxha, iu drejtua të pranishmëve: Pas Prishtinës e Tiranës, po ndihem shumë mirë që sot ndodhem para jush këtu në Shkup. Ju faleminderit për prezentecen tuaj, dhe më besoni që prezenca juaj nuk më ka nderuar vetëm mua si autore, por keni nderuar këta heronjë për të cilët po promovojmë monografinë, keni nderuar institucionet e Kosovës e me theks të veçantë Policinë e Kosovës. Maqedoninë, këtë tokë shqiptare më së miri e kam njohur nga historia apo situata e Vardarit. Dhe, kur kujtojmë Vardarin dhimbja e peshon dashurinë, për këtë ne jemi të vetëdijshmëm, dhe ju përgjegjës. Kur e them përgjegjës e kam fjalën të punoni sa më fortë dhe të trashëgoni kulturën, traditën dhe gjuhën shqipe tek gjeneratat e reja. Sa i përket Monografisë në fjalë dua të pohoj se e kam bërë me një dashuri shumë të madhe, por edhe kam ndje dhimbje me familjet e këtyre zyrtarëve. Sepse, familjet e këtyre zyrtarëve ndjejnë dhimbje shumë të madhe për humbjen e më të dashurve të tyre, dhimbje e cila nuk kalon lehtë. Andaj, ne së bashku duhet të ju gjendemi sa më afër dhe institucionet duhet të bëjnë akoma më shumë për këto familje”.
Në anën tjetër mysafirët e vlerësuan lartë idenë dhe botimin e këtij libri, sakaq u zotuan që një projekt të tillë do ta finalizojnë edhe për policët e Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë që në 21 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, pra dy vite më parë është promovuar libri “Yje mbi dafina”, në Prishtinë. Ndërsa, në nëntor të vitit 2021, ky libër është promovuar në Muzeun Historik të Tiranës.
Ekspozita dhe monografia “Yje mbi dafina”, përfshinë dokumente, fotografitë dhe rrëfimet e familjarëve.
Moderatore: Arbnora Thaqi
16 shkurt 2022, Shkup
Please follow and like us: