Albspirit

Media/News/Publishing

Haris Vongli: 400.000 votues për “Big Brother Vip Albania”! Dëshpëruese…

Personalisht s’kam asnjë duartrokitje për “Big Brother Vip Albania.” Mbi të gjitha për kohën dhe vlerën që i është dhënë. Me duket dëshpëruese sepse edhe etiketimi V.I.P lë për të dëshiruar në Shqipëri, si shumë aspekte të tjera. E megjithatë, emisione të tilla ka kudo në botë do thoshin admiruesit e tij. Po, e vërtetë, ama pathosi dhe angazhimi absolut gjer në histeri ndaj një emisioni dhe jo kundër shkaktarëve të halleve e problemeve të pafundme të popullit (votuesve), duket realisht i pashpresë. Fatkeqësi e madhe për vendin tim!
Një gjë, s’mund të hesht pa u kapur me shifrën 400.000 votues ndaj “Big Brother”.
Ky numër tregon jo vetëm apatinë intelektuale dhe mungesën e aktiviteteve me vlerë në shoqëri, por shplarjen e trurit nga propaganda e përditshme, si dhe përshtatjen me sipërfaqen dhe thuajse fare me thelbin. Po nxirren njerëzit në rrugë përditë, po rriten çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve bazë, po therren e vriten gra e burra e fëmijë, po shpopullohet vendi, kriminelët qarkullojnë të lirë e madje janë edhe në poste të larta drejtuese. Ndërkaq, as 4.000 shqiptarë nuk protestojnë kundër padrejtësive e korrupsionit të përditshëm.
Me aq sa pashë e lexova dje, dua të theksoj dy gjëra që mbizotëruan në finale të “Big Brother Vip Albania” (në një ditë e jo 4 muaj e gjysëm): Familja dhe Dashuria. Në fund të fundit çdo mendim, kujtim, humbje e fitore, dhimbje e trishtim, gëzim e lumturi, pendesë e falje, mall e ri-dimensionin; çdo vlerë apo ves, çdo rënie e ringritje, çdo vazhdimësi mban mbi të gjitha emrin familje dhe dashuri.
Pse mos të ngrejmë zërin fort për familjet tona, për të dashurit tanë, për më shumë drejtësi e mirësi?! Pse të mendojmë se s’kemi asgjë në dorë për të ndryshuar realitetin e ta pranojmë pisllëkun e pafund, gjithëpërfshirës e kalbës, ndërkohë që patëm në dorë votimet e përditshme e të përjavshme në “Big Brother” gjer sa nxorëm fitues Ilirin?!
Fshati digjet e këta të “show bizz-it” krihen! Pale Media, është kthyer në pijetore lagjesh, mjafton të kapë ca klikime më shumë e për këtë rri tap gjithë ditën e merret me dallavere. Urime!
Please follow and like us: