Albspirit

Media/News/Publishing

Konferenca e Sigurisë: Perëndimi i bashkuar për Ukrainën

Konferenca e Sigurisë në Mynih që i vazhdon punimet të shtunën është përqëndruar tek kriza e Ukrainës dhe konflikti me Rusinë. Pas fjalimit të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që e bëri të qartë, se Rusia do të paguajë një kosto shumë të lartë, nëse sulmon Ukrainën, në Mynih e mori fjalën edhe zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris. Ajo deklaroi qartë në drejtim të Rusisë se do të ketë sanksione “të papara”, nëse Rusia e sulmon Ukrainën. Kamala Harris tha në Mynih të shtunën, se “ne kemi përgatitur sanksione ekonomike, që do të jenë të shpejta, të forta dhe të bashkërenduara”, tha ajo. “Në fokus do të jenë institucionet financiare ruse dhe industritë bazë”.

Mbështetje për aleatët

Zëvendëspresidentja amerikane theksoi bashkëpunimin e ngushtë me aleatët europianë dhe i siguroi partnerët e NATO-s, se SHBA në rast konflikti do të mbrojë anëtarët e saj. Në Ukrainë nuk do të ndërhyjmë si një vend jo anëtar, por Uashingtoni  i qëndron besnik nenit 5 të aleancës së mbrojtjes, tha ajo, duke iu referuar shqetësimeve të vendeve balltike për një agresion rus. SHBA do të forcojë krahun lindor të NATO-s. Për këtë ka një qëndrim mbipartiak në Uashington. Harris përforcoi qëndrimin amerikan, se megjithë tensionet, Shtetet e Bashkuara janë për një zgjidhje diplomatike me Rusinë. Por nëse kjo diplomaci është qorrsokak, atëherë jemi të gatshëm për përgjigje të forta, theksoi ajo në Konferencën e Sigurisë. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se NATO do të forcojë krahun e saj lindor. Ai akuzoi Rusinë për manovra mashtruese. “Duket sikur Rusia po bën çdo gjë që të krijojë një pretekst për pushtimin”, tha ai. Kemi qenë transparent me taktikën, se shpresojmë që kështu t’ia vështirësojmë Rusisë një invazion.

Zelensky: Jo pre e provokimeve

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih për pak orë qëndron edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të zhvilluar takime me zëvendëspresidenten amerikane, Kamala Harris dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministrin britanik, Boris Johnson. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bwrë thirrje në Konferencën e Sigurisë në Mynih për një plan “të qartë” kohor për anëtarësimin e vendit në Ukrainë dhe më shumë mbështetje ndërkombëtare për vendin e tij. “Ne do ta mbrojmë vendin tonë, me ose pa mbështetjen e partnerëve tanë”, tha ai. Por “ne duam një zgjidhje diplomatike në vend të konfliktit ushtarak. Gjatë së shtunës ai shkroi në twitter se “ne nuk do të reagojmë ndaj provokimeve dhe synojmë të arrijmë paqen vetëm përmes diplomacisë.” Kurse ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba tha se Ukraina po përgatitet për një sulm të mundshëm. “Ne përgatitemi për çdo skenar të mundshëm”, tha ai në Mynih. Nga Britania e Madhe i dërgohet Rusisë mesazhi i qartë i bllokadës financiare. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri britanik, Boris Johnson e kërcënoi Rusinë me sanksione të ashpra në qendrën financiare të Londrës, nëse do të sulmohet sërish Ukraina. Ai shtoi se nuk është e pranueshme, që Europa shantazhohet nga Rusia dhe u shpreh, se Europa duhet të bëhet më e pavarur nga gazi dhe nafta ruse.

Kina: Palët të ulen për zbatimin e Marrëveshjes së Minskut

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih foli edhe ministri i Jashtëm kinez, Vang Yi, i cili kërkoi një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe njohu sovranitetin e Ukrainës. Parimi i mosshkeljes së kufijve vlen për të gjithë anëtarët e OKB dhe Ukraina nuk bën përjashtim, tha ai. Ai kërkoi që të përqëndrohen përpjekjet në marrëveshjen e Minskut, sepse atë e njohin si SHBA, BE edhe Rusia. “Pse nuk ulen të gjitha palët dhe të zhvillojnë bisedime të detajuara me një plan kohor si do të zbatohet kjo marrëveshje”, kërkoi Yi të shtunën, sipas përkthimit. “Kjo është ajo që duhet të bëjnë palët, aty ku duhet të përqëndrohen ato në vend që të rrisin tensiont, të nxisin panikun dhe ndoshta të sensacionalizojnë kështu edhe rrezikun e luftës”.

Please follow and like us: