Novela “Kërkimi” e shkrimtarit Sazan Goliku
Prof. asc. Dr. SPIRO GJONI
Novela e Sazan Golikut “Kërkimi”, është novela e dytë e këtij autori, i cili, edhe pse në disa raste për arsye funksionale ka parapëlqyer dhe ka futur në punë prapavështrimin, i ka qëndruar besnik një varianti linear, ku ngjarjet ndjekin njëra – tjetrën dhe në aspektin rrëfimor.
Në qendër të veprës është vetë personazhi kryesor i novelës katërmbëdhjetë vjeçari Mihal Kodra, i cili njëkohësisht bart mbi vete dhe rolin e rrëfimtarit të ngjarjeve. Në këtë kontekst, zgjedhja e autorit është e lehtë në dukje, por po aq e vështirë në mishirimin e saj. Kemi një rrëfimtar, nga mosha adoleshent, madje tepër i ri, jo vetëm në transmetimin e ngjarjeve, por
dhe për objektivitetin e vërtetësinë e veprimeve të tij. Novela nuk është thjeshtë një vepër e dedikuar për fëmijë dhe mosha të reja, ajo është më tepër se aq. Nisur nga ky kusht, novela u bën ballë artistikisht dhe kërkesave të krijimtarisë për të rritur. Mund të themi, pa ndonjë rezervë, se autori i ka përballuar, duke shmangur me mjeshtëri edhe ndonjë vështirësi të vogël të rastit.
Tema e zgjedhur për t’u pasqyruar në novelë nuk është fort e rrahur nga letërsia jonë, qoftë ajo për fëmijë e qoftë ajo për të rritur. Është një temë e karakterit social, e cila ka në qendër të vëmendjes një problem tërëndësishëm: dashurinë në gjirin e familjes, dashurinë në gjirin e celulës bazë të shoqërisë.
Është një histori e dhimbshme, por njëkohësisht mbushur plot momente sakrificash e qëndrese të spikatur për një djalë katërmbëdhjetëvjeçar. I vetëm, në shtigje të panjohura për të, por me guxim e zgjuarsi, të cilat ia mbante gjallë e ia shtonte malli e dashuria për babanë e burgosur nga pushtuesit, ai arrin t’ia dalë deri në fund të nismës që kishte marrë, për ta gjetur e takuar patjetër atë. Dhe ajo veçori që dallon më shumë në këtë “aventurë” të djaloshit, dhe të cilën autori ia ka nxjerrë dukshëm në pah, është këmbëngulja, është vullneti i tij i palëkundur pa të cilin gjithçka tjetër do të qe e panevojshme. Dhe kjo këmbëngulje e ky vullnet nuk janë as më pak dhe as më shumë sesa shprehje dhe manifestim i dashurisë, i raportit prind – fëmijë. Është një dashuri e cilësi që është brumosur ndër shekuj, si karakteristikë themelore e familjes, qelizës bazë dhe falë së cilës ekziston shoqëria njerëzore.
Nuk mund ta duronte Mihali e as ta pranonte cenimin e kësaj dashurie të shenjtë. Nëse fillimisht ndërmarrja e “aventurës” në kërkim të babait ishte thjesht një shpërthim emocional ndjenjash fëminore, më pas dashuria e malli kthehen në moto lëvizëse që e çojnë përpara këtë “aventurë” të këtij personazhi. Synimet e djaloshit, tashmë, nga mënyra se si i shpreh autori, marrin të tjera vlera në vepër. Shkrimtari, duke dashur t’i bëjë sa më të dashura për lexuesin, nuk i sjell si rrjedhojë përfytyrimesh dhe fantazish. Kjo i jep rrëfimit gjallëri dhe vërtetësi, e bën më tërheqës për lexuesin. Një mënyrë e tillë të krijon përshtypjen sikur ndodhesh duke ndjekur sekuencat e një filmi e jo duke shfletuar një libër.
Ngjarjet e dhimbshme ngjizen dhe zhvillohen deri sa një moment kthehen në një “aventurë” të adoleshentit Mihal, gjetje kjo tepër e goditur nga shkrimtari i cili e kthen në një moto lëvizëse të ngjarjeve që përbëjnë subjektin e novelës. Duke ndjekur heroin në këtë “aventurë” të tij, të cilën shkrimtari e nis si një nga ato kapriçot e veprimet e nxituara që i pëlqejnë dhe bëjnë jo rrallë djemtë e moshës së Mihalit, por që e kanë në vetvete një qëllim të caktuar në ecurinë e mëtejshëm të ngjarjeve, i jep një drejtim e një kuptim më të gjerë “aventurës”.
Nga njëri episod në tjetrin “aventura” e Mihalit bëhet më e gjallë e më interesante dhe ne shohim se si heroi i novelës vuan e ndeshet me vështirësitë jo të vogla, por njëkohësisht ai piqet e rritet. Arrin një moment, i cili është ndërtuar gradualisht dhe bindshëm nga autori që veprimet e Mihalit pasqyrojnë një ndërgjegjësim përherë e më të plotë. Vështirësitë fizike, rruga, moti tashmë shoqërohen me sjellje të guximshme, të cilat shkrimtari i zbulon jo vetëm si cilësi të karakterit të Mihalit, por dhe veti që heroi i shpërfaq nën ndikimin e kushteve dhe situatave të reja me të cilat ai ndeshet në momente të ndryshme të “aventurës” së tij. Dhe në çaste hezitimi Mihali i Golikut e ka një shembull e një nxitës që në fund të fundit është një simbol i gjetur nga autori me shumë sqimë. Ky shembull është milingona që nuk dorëzohet para asnjë vështirësie, por gjithmonë i përballon ato nga e para me durim e këmbëngulje. Dhe gjithmonë këto cilësi e përpjekje të saj ngadhënjejnë mbi vështirësitë. Edhe Mihali ndeshet me lodhjen, me motin e keq, me gjarpërinj, me urinë e etjen, me ndrydhjen e këmbës, me shiun e me diellin përvëlues, me ushtarët armiq, por nuk jepet. Në këtë kalvar vuajtjesh e vështirësish ai mëson dhe shumë fakte të reja të cilat jo vetëm ia shtojnë forcat e besimin në finalizimin “aventurës”, por dashurinë, e mallin për babanë ia kthejnë nga një ndjenjë dhimbjeje në një mision. Babai i tij nuk ishte veç njeriu i dashur për të, por ishte shumë më tepër se aq, çka ia mësoi Mihalit ai vendim fëminor i çastit, ajo nismë adoleshentësh që e kishte burimin te dashuria.
Nuk mund ta pranonte Mihali i vogël e as ta duronte këtë cenim të kësaj dashurie, edhe pse fillimisht ai e sheh atë thjesht si një dhunim e padrejtësi. Gjithçka, shtuar këtu dhe huqet e emocionet e moshës, është e justifikuar për momentin. Ajo çka ndodh më pas i jep të tjera ngjyra e motive veprimit të tij. Babai nuk ishte vetëm njeriu i dashur dhe i shtrenjtë që pushtuesit ia kishin marrë me përdhunë, por ishte shumë më tepër se aq. Autori nuk hiperbolizon cilësit e babait, por i jep ato thjesht dhe natyrshëm, duke e bërë figurën e tij sa më të besueshme e sa më të dashur për Mihalin.
“Kërkimi” i Golikut nënkupton e shpreh më shumë. Ai është në një farë mase dhe kërkim e zbulim i rrënjëve të vetvetes nëpërmjet njohjes me vendin e tij dhe me njerëzit që jetonin e përpiqeshin t’ i bënin ballë halleve e vështirësive, por njëkohësisht me mendjen dhe syrin drejt lirisë. Këtë ia mësoi Mihalit xha Golja, ia sollën ndërmend komitët, e përforcuan pamjet me ushtarë të huaj e armatime që ndeshi kudo, ia mësoi mungesa e flamurit kuq e zi në sheshin qendror të Vlorës. Fakte të tilla, të marra së bashku, e bëjnë më konkrete atmosferën dhe i japin një vlerë tepër të rëndësishme linjës së dytë të novelës, linjës atdhetare, e cila megjithatë, nuk e zbeh linjën e familjes dhe dashurisë familjare e cila i dha fillimisht spunto ndërmarrjes së Mihalit të vogël.
Këtë libër të S. Golikut do ta quanim edhe një vepër të suksesshme të autorit, ku subjektit disi të veçantë i shkon për shtat kompozicioni funksional, i materializuar. Nëpërmjet një gjuhe të qëmtuar me kujdes dhe të transmetuar nëpërmjet një rrëfimi të thjesht spikasin skena plot ngarkesa emocionale dhe realizmi të theksuar, si në përshkrimet plot kolorit, ashtu dhe në ndërtimin e aksioneve. Në parathënien e librit Prof.Dr. Anton Nikë Berisha shkruan: “Duhet thënë se tekstin e kësaj novele, autori e përftoi me një gjuhë të zgjedhur e me një shtjellim sintaksor të bërë me përkushtim, që si rrjedhojë kanë dhënë një stil të përpunuar e të lartësuar”.
Please follow and like us: