Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Faktori X. i gjenive…

Shumë herë kam pyetur veten, çfarë ka më tepër një gjeni nga një artist normal, i mirë, i mrekullueshëm apo jashtë normës? Për të mos thënë artist mediokër, me të cilët bota është e mbushur plot e përplot. Çfarë e dallon pra një gjeni nga pjesa tjetër e grupit të cilët kontribojnë në të njëjtën fushë? Simbas mendimit tim modest, përveç dhuntisë së tyre natyrale dhe predispozicjonit për të krijuar art, talentit pra për të vizatuar dhe krijuar me baltën, ngjyrën apo gdhendur me daltën, duhet patjetër edhe faktori X. Në rradhë të parë duhet që gjeniu të jetë një puntor i pandalur. Vetëm në saj të punës sistematike realizohen kryeveprat. Mund të keshë talent sa të duash, por po nuk pate vullnet… Por nuk mjafton as vullneti. Ka patur bota talente të mrekullueshme në rini apo shkollë. Talente të habitshëm që profesorët thonin me besimin më të patundur se ai do të bëhet i madh, por me kalimin e viteve janë zbehur si në shpirt ashtu edhe në mendje dhe nuk i kanë dhënë asgjë njerëzimit. Por ka edhe raste të kundërta. Studentë mediokër, të cilët veç mbasi kanë dalë në jetë, e kanë zhvilluar talentin e tyre duke dhënë në fushat e artit vlera të padiskutueshme. Një nga veçoritë, kusht themelor pra për formimin e një gjeniu është edhe dalja e tij nga pellgu artistik që e ka lindur. Shumë artistë ndërkombëtarë, veç kur kanë dalë nga pellgu i vogël dhe hermetik që i lindi, duke parë, duke hulumtuar, duke vëzhguar, duke reflektuar, duke punuar dhe kërkuar, kanë arritur të japin gjëra të mrekullueshme në çdo fushë të artit. Vlera të mirfillta shpirtërore.
Mikelanxhelo ishte një shpirt i madh. Simbas hulumtimeve të mia, ai jetonte një skizofreni të çuditshme. Nga njëra anë ishte artisti hyjnor i cili në mënyrë të mistershme, të pakuptueshme, të mrekullueshme, bashkë me daltën skaliste tek dora e Davidit gjithë energjinë e 16-vjeçarit, lëvrimin e gjakut ndër deje, forcën madhështore të shpirtit të njeriut, bukurinë ideale të adoleshentit hebre, por nga ana tjetër, ishte i tërhequr si njeri. Fare i pakomunikueshëm, kapriçoz, inatçi, mendjemadh dhe sidomos kurrnac. Aq shumë kurrnac ishte Mikelanxhelo sa në pleqëri, i fshihte verdhushkat poshtë dyshekut me një arkë dhe e dënonte veten dhe ndihmësit e tij duke ngrënë bukë të zezë, qepë dhe pak djath. Kjo skizofreni më ka bërë disa herë të reflektoj mbi shpirtin njerëzor. Është e mundur pra që një shpirt aq i madh artisti i cili kishte mbuluar 5 mijë metra katrorë të Kapelës Sikstine me afreske, që kishte gdhendur me daltë Moisiun dhe Davidin, të ishte pra në jetën e përditshme kaq meskin, genjeshtar dhe kapriçoz? Duke i lënë mënjanë këto pyetje themelore, dua të theksoj se askurrë më parë dora e artistit nuk kishte arritur një përsosje kaq të madhe sa ajo e artistit nga Kaprese të Arezzos.
Nga vinte energjia e Mikelanxhelos? Eshtë veç energjia që çlirohet mbi veprën e artit që e dallon një kryevepër nga të tjerat krijesa artistike? Njerëz me energji të theksuar i kemi parë shpesh në historinë e njerëzimit. Gjithë ato njerëz të ndritur. Filozofë, artistë, mbretër, shkencëtarë, profetë. Duke filluar nga Krishti e Budha, të cilët e kishin Pranën e tyre aq të shndritshme sa i pari bënte mrekullira, spostohej ne materje, materializonte sende, shndërrohej në figurë drite, fliste me gjuhën e Kozmosit, që është veç gjuha e dashurisë, ndërsa i dyti arriti dritën e Nirvanës. Pastaj duke kaluar tek Aleksandri i Maqedonisë, hyjnori Aleksandër, i cili arriti të bënte të pamundurën. Kjo e pamundur që ai e arriti as edhe 33 vjeç nuk mund të arrihet pa mbështetjen e një Hyjnije. Bota ka njohur pra filozofë dhe artistë, udhëheqës karizmatike dhe lider plot shpirt frymëzues, shkencëtarë dhe profetë që falë energjisë së tyre në trup dhe në mendje i kanë falur njerëzimit dritë. Drita që Mikelanxhelo i fali njerëzimit ishte ajo e veprave të tij, ku shprehet një forcë aq madhështore sa sinqerisht, nuk arrij ta besoj se ajo ka veç origjinë njerëzore. Nëse Dante, pararendësi i tij, për të cilin M. kishte një adhurim total, i fali me Pranën e tij, me energjinë e tij njerëzimit Komedinë Hyjnore. Vepra më e thellë dhe sublime që njerëzimi ka lexuar dhe pasur ndonjëherë ndër duar. Nëse Dante pra, i fali njerëzimit modelin më të lartë të përsosjes morale në optikën, vizjonin, Kristjan; Mikelanxhelo e derdhi tërë energjinë e shpirtit të tij mbi format e skulpturave sublime dhe mbi afreskët madhështorë që ai na la. Kemi parë se si energjia e Van Goghut, falë duarve të tij mbruhej, mpleksej me ngjyrat në penel dhe në mënyrë fare të mistershme, tërë ajo dashuri e marrë për jetën, për njerëzimin, dramatike dhe sublime, ka mbetur përjetësisht aty, mbi ngjyrat e tij pastoze. Gjithçka nga gjaku dhe shpirti i tij, tani i dhurohet njerëzimit ta kundrojë me çmimin modest të një bilete dhjetë euro. Vepra e tij është tashmë përherë e gatëshme të na mrekullojë, lumturojë nga ana estetike. Gjeniu atëherë na qenkërka një sërë komponentësh bashkë. Janë këto shpirtëra të ekzaltuar, të përzgjedhur, me një Pranë të dendur energjie, nga nuk e di se Kush, që arrijnë t’i japin, t’i falin dritë të re njerëzimit? Po njëlloj edhe në mendim, ne filozofi, në shkencë. Si në mendim, si në sjellje morale, në art? E njëjta Pranë energjitike e theksuar, e mbulonte, vishte pra, edhe Michael Jackson, i cili me mjete të tjera artistike, më bashkëkohore, si një vullkan energjie, arrinte të transmetonte vitalitetin e tij të mrekullueshëm duke e transformuar atë në tinguj eksplozivë dhe në një kërcim mahnitës. Po e njëjta gjë i ndodhi edhe Mozartit apo Bethovenit, në epoka të tjera të njerëzimit. Këta artistë të cilët çlironin energji në formë arti nga duart, duke manipuluar formën dhe materien, arritën të farkëtonin vepra të mirëfillta arti, vlera shpirtërore për tërë njerëzimin. Ata pra janë edhe gjenitë më të plotë dhe të paarritshëm në shërbimin tonë. Ti shijojmë atëherë ç’na lanë dhe t’i gëzohemi veprave të tyre të pavdekshme.
Gjenialiteti në art lind, por ai edhe mund të zhvillohet. Ai ka nevojë për disa faktorë ekonomikë, shoqërorë dhe kulturorë. Ai zhvillohet zakonisht aty ku ka një humus pjellor krijues. Në Firenzen e 1400-500 kishte një humus shumë pjellor. Në Parisin e 1800- 1900-ës e kishte një humus pjellor. Dhe kështu me rradhë. Në epokën e Mozartit, Bethovenit, Bahut, e tjerë. Veti kryesore e një gjeniu është se ai arrin jo vetëm të absorbojë gjithçka që e shkuara na ka lënë në trashgim, por ai është i zoti sidomos që të krijojë rrugë të reja. Të gjejë shtigje të reja në art. Pra risitë që ai sjell në art janë vetia e tij kryesore. Mikelanxhelo, Roden, Manxu, Rrembrand, Pikaso, e tjerë e tjerë. Lista është e pafund. Po ashtu edhe në letërsi. Homeri, Eskili, Virgjili, Dante, Shekspiri, Servanetsi, Gethe, Dostojevskij, e tjerë e e tjerë. Gjeniu duhet të ketë një intuitë, fantazi, aftësi hulumtimi dhe sintezë në mendim, por sidomos duhet të ketë një stil krejt të fuqishëm në art për të shprehur ndjenjat, mendimet dhe botën e tij të brendshme. Me mjetin e tij zotërues, si në letërsi, në muzikë, në pikturë apo në skulpturë, arkitekturë etj, ai arrin të materializojë gjithçka që mendja e tij pjellore krijon, realizon. Gjeniu zakonisht është i vetmuar. Vetmia e numrit një, është një vetmi e cila ka të bëjë me disa arsye. Drita e Pranës së tij, energjia e tij krijuese, në një pjesë artistësh krijon ndarje, distancë. Pra krijon ftohtësi dhe zili. Por gjithashtu ai shpesh bëhet disi mospërfillës sepse mediokriteti i shumë të tjerëve veç e mërzit atë pa fund. Mikelanxhelo thonë mërzitej deri në neveri kur ata, artistët e tjerë për t’u dukur ndoshta që dinin më shumë se ai, fillonin dhe i llomotisnin pa fund duke i dhënë mend mjeshtrit. Të shtyrë ndoshta nga një ndjenjë inferioriteti. Hajde baba të të tregoj arën! Gjeniu shpesh, paraprin epokat e artit, ndaj shpesh ai është gati i pakuptueshëm, i pakapshëm. Ose nuk kuptohet fare. Shumë teori gjeniale si ajo e Ajnshtajnit, si piktura e Van Goghut, si rrymat e reja abstrakte në art, si teoritë e Teslës, nuk kuptoheshin dhe as nuk pranoheshin.
Faktori X ka të bëjë me aparatin krijues të gjeniut. Aftësia e tij themelore është përthithja, absorbimi i gjithçkaje përreth, eksperienca dhe pjekuria krijuese, mjeti artistik me të cilin do të shprehet: fjala, ngjyra, forma, tingulli. Stili pra i artistit. Dhe sidomos, bing bengu brenda trurit te tij. Shkëndija krijuese që i jep idenë gjeniale, fillestare. Ide të cilën ai pastaj do ta materializojë me artin e tij. Ky bing bang, zgjat veç disa sekonda dhe është shkëndija më misterioze e trurit të tij pjellor. Tru i cili do të lindë kryeveprën. Thonë se Mikelanxhelo kur shihte gurin që do të gdhendte, ai kishte një imagjinatë aq të zhvilluar, një fantazi aq të ndezur dhe të theksuar, sa ai e shihte formën e figurës, akoma ende pa i hequr copat e gurit me daltë. Shihte figurën e Davidit akoma brenda bllokut të mermertë. “Ndaj unë, pohon ai pak a shumë, nuk bëj gjë tjetër, veç se çliroj figurën, e cila ishte në robëri brenda mermerit”! Jo vetëm kaq. Por mjeshtëria e lartë krijuese, energjia që ai çlironte me duart e tij, bënte që ai të krijonte mrekullinë. Kryeveprën.
Gjeniu, artisti gjeni, ka dy binarë paralelë jete. Njëra është ajo mediokrja, e përditshmja, me ushqimin, veshjet, kontratat, taksat, pagesat, etjerë etjerë, ndërsa tjetra është ajo krijuesja, sublimja. Ajo ia merr shpirtin artistit. Sidomos, gjatë stinëve të ethshme të krijimit, ai është dhe nuk është i pranishëm. Ndoshta flitet për shiun e madh i cila ka përmbytur fushat, për bukën që i është ngritur çmimi, për thashethemet e komshiut. Ndërsa artisti duket sikur thotë: “Mos më çani kokën me këto budallallëqe. Ku e kam mëndjen unë. Dhe çfarë përrallisni ju”! Ai e dëgjon veç me veshë faktin. Pohon me kokë, por e tërë qenia e tij, shqisat, përqëndrimi, bota e tij është tutje. Larg. Tek një personazh, tek një tonalitet ngjyre, tek një gjendje shpirtërore që nuk di me ç’mjete artistike ta shprehë, tek një melodi të cilën akoma e ka dhe nuk e ka të qartë në mendje se si mund ta shprehi atë me tingujt renditur mbi pentagramë. Ndoshta mëndja e tij rend në kohëra të largëta ku gjithçka është shkrumb e hi, ose ndoshta ai mundohet ta gjejë se si ta vazhdojë një vepër, apo si ta mbyllë atë. Adrenalina krijuese, lëngu që truri prodhon gjatë krijimit të një vepre arti është edhe substanca më ndjellëse, përthithëse dhe joshëse që mund të ekzistojë tek qënia njerëzore. Në saj të kësaj substance krijuese njeriu ka krijuar aq shumë objekte dhe vepra arti përreth tij. Artisti pra, në ato çaste, ai është dhe nuk është aty i pranishëm. Kjo bashkëekzistencë paralele, e bën atë, shpesh të huaj, të largët, të pakapshëm. Të duket snob, mendjemadh, plot mospërfillje. Ky alienim prodhon heshtje, vetmi, çudi dhe moskuptim nga ingranazhet monotone dhe shpesh mediokre të jetës së përditshme, e cila është gjithashtu shumë e rëndësishme për të. Gjeniu nuk është “La norma”. Ai është “L’eccezione”…
Please follow and like us: