Senad Guraziu: Metafora më e bukur e javës
(sguraziu – ap, shk 22 – pak humor… diç si “propozim” ideatik)
…lexova në Internet se njëra nga politikanet shqiptare (u quajka Jozefina) paska shkruar në Fb-faqen e vet për një politikan të partisë së vet (me emrin Lulëzim), se ky zotëria na qenka “i paaftë per t’u turpëruar”, se na qenka “rrenc i madh”, se paska gënjyer këtë, atë, dhe këtë, dhe atë, dhe këtë… mos pyet, lexuesi do e ketë parasysh, Jozefina të gjitha ia paskësh “shkrepur”, e paskësh qëndisur një aso liste të gjatë prej rrenave…
…hm, aq e thjeshtë kjo thënie, “i paaftë për t’u turpëruar” por dhe aq e bukur, se ç’ka diç “poetike” përbrenda e përjashta, thuase vetë bërthama e mjaltosur, rrotull bërthamës po ashtu e sheqerosur, jo si pjeshkat e Elbasanit me bërthama të hidhura, as si qershitë e Shkodrës me buzë-shkëlqime të stisura, sado e thjeshtë si thënie ja që kurrë s’më ka shkuar mendja të artikulohem ashtu, dmth. për ta “shpikur” e përdorur…
…andaj, meqë si “shpikje” e ardhur në jetë nga vetë politikanët, e përdorur “kolegialisht” për vetë politikanët, atëherë propozoj që thënia të shpallet si “metafora më e bukur e javës” (mundësisht të ujdiset dhe ndonjë çmim metaforik, pse jo), qëkur përjashta politikës qytetarët s’do ishin kujtuar kurrë të shpreheshin ashtu, s’them se e jashtmja na qenka “lulishte”, por po aludoja që përjashta politikës do ishte tepër e vështirë të gjendet kush i “paaftë” për ta ndjer turpin e vet, do duhej pritur ndoshta me vite e vite për t’hasur në 1 shembull vetmitar, në Shkodër mbase do duhej pritur me dekada, sa për në Elbasan s’e kam idenë sa gjatë 🙂