Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Zoti u zgjoftë prej gjumit!

 

 

Kurrë nuk keni për ta kuptuar se ky komisioni që po merr në pyetje ministra, bashkiakë etj., për inceneratorët është një inskenim klasik i trushplarjes. E para, si nuk e kuptoni se sa me lehtësi këta ministra po shkojnë aty, kur zakonisht në kulturën tonë e kemi për fyerje të paraqitemi përpara një komisioni që ka tagër moral. Po shkojnë se ua kërkon ligji? Apo se i ka urdhëruar ai i madhi? Sigurisht që është kjo e dyta. Është naivitet të mos e kuptosh. Nga njëra anë ju që gajaseni në shtëpi, nga ana tjetër heshtja e Edi Ramës. Dhe më e dhimbshmja, fadromat e policisë që bash në kulmin e vëmendjes suaj mbi dokrrat e këtij komisioni, nisin e u prishin shtëpitë banorëve në një lagje periferike të Tiranës. E dyta, kjo zonja paska konflikt interesi pasi marrka tendera nga Bashkia e Tiranës. Për më tepër sot që opozita është kryekëput e shkatërruar, duke bombarduar njëri-tjetrin, pavarësisht se janë demokratë, pavarësisht se kanë një kulturë të djathtë, pavarësisht se pas disa viteve nuk mund të mos ekzistojnë as Sali Berisha e as Lulzim Basha. Në fund të fundit për studiuesit e zhvillimeve politike, kjo kohë do të jetë një minierë ari për të nxjerr në pah një tipar tonin, bindjet i kemi për njëshat, jo për vetne tonë. Dhe tjetra, atë që, forcat politike nuk janë një vullnet i lirë i vetë ofruar, një vullnet i lirë bindjesh të përafërta, ku vokacioni rregullohet me votë, por ushtarizimi me ndërgjegje të plotë pas njëshave. Po të mos ndodhte kjo, sot opozitarizmi nuk do jepte shfaqje në komisione, dyerve të Romës, a mureve të fejsbukut, por me banorët e lagjes periferike në Tiranë. Është një nga vitet me të errta për shqiptarët, kur publikisht vertetohet një dëm kolosal prej 430 milionë eurosh dhe shteti jep shfaqje publike. Të gjithë kundër të gjithëve, vetëm km hesht. Në perëndim, në një situatë të tillë km do kishte dhënë dorëheqjen me kohë. Tek ne pushteti është si t’i heqësh oksigjenin një të sëmuri që ka rënë në gjëndje kome. Përtej fadromat shëmbin muret me dhunë. Ju merreni me shoun e komisioneve. Kjo është një nga ato lojrat klasike të gjyqeve publike si e si të shpëtojmë sa të mundim, të shpëtojmë njëshin. Edi Rama po ju mund sërish, po dominon, pavarsisht shkatërrimit a vetvrasjes kolektive ku ju ka futur. Specialistët e sigurimeve shoqërore japin alarmin se mbas 5 vjetëve Shqipëria nuk paguan dot më pensione. Forca vitale e saj ka ikur dhe po ikën. Ato fonde që qarkullojnë vidhen me fadroma. Pyesni veten pse e keni ndihmën sociale të ulët, përse i keni pensionet e pa mjaftueshme? Me 430 milionë eurot e vjedhura, nuk është e vështirë për ta kuptuar se përse një borderoist i inceneratorëve merr 6 mijë euro në muaj, kurse ju 15 mijë lekë ndihmë sociale, a 100 mijë lekë pension. Zoti u zgjohtë prej gjumit. Dhe paçit më shumë respekt për veten se për njëshat.

Please follow and like us: