Poezia e Aleksandros Rizos Ragavis vjen në shqip nga Arqile Garo
PLEQËRI E BARDHË
Je e vogël, unë u mplaka:
Edhe?! kush u turpërua?
Turpërisë i rëntë flaka,
djalë a plak, unë ty të dua.
Ikin vitet e bëjnë tutje,
shkojnë, u qoftë udhë e bekuar
shtohet bora përmbi lugje,
përmbi kokë të zbardhëlluar.
Bardhësi eh?… ta ka ënda!
Tek fryn fllad i lehtë e rend,
i mpleks fijet e argjënda,
me të artin flokun tënd.
Ja, pëllumb’ i Afërditës
pendëbardhë ngjitet mbi re
dhe zambaku dita – ditës,
zbardh e ndrin, gas e hare…
Po ti vetë a s’ je bardhoshe,
limone që lulëzon?
Si thëllëzë qoshe më qoshe,
floku im, çfarë të pengon?!
Po dhe Hiret mikja ime,
me rrezen e bardhë mbi krela,
vezullojnë nëpër agime,
perëndimit nëpër vela.
Mos mendo se kush rrudhoset,
ka marrë fund e shkon për lesh.
Shiko detin kur krekoset,
rrudha bën e buzëqesh.
E në qoftë se akullngrica,
përmbi gjethe nis rëndon
degë e thatë mbushet mornica,
ndërsa zemra jeshilon.
Nëpër festa e në gëzime,
tek e flak tutje bastunë,
shpirti mbushet drithërime
jo mor jo! Nuk plakem unë!
Mos shih pamjen mashtrimtare,
ndihem djalë e turfulloj,
sa kam frymë, pa lodhje fare,
do qesh dhe do dashuroj.
Shqipëroi: Arqile Garo.
Please follow and like us: