Albspirit

Media/News/Publishing

Izet Shehu: PERËNDITË PAGANE

Perënditë pagane zymtuar në muzg
Numëronin me ngut klithma të humbura.
Ecim… Kemi miliarda kilometra rrugë, –
Tha më e pushtetshmja dhe më e bukura.
Ecim mbi sajesa e shkrime shirash.
Mbi hieroglife gjurmësh e prerje rrëpirash.
Perënditë pagane trilluar në mënxyrë.
Të verbëra baresin mbi pllajën e miteve.
Pa sy e vesh, pa gjak e ngjyrë.
Pre e pabesive, pusive e flirteve.
Urtësitë pagane me profile prej ajri,
Kush i la i fundit e kush i shpiku i pari?
Perënditë pagane ndër shpella e shkrepa,
Makthe mëkatesh përtypnin me ngut.
I trembur, i mohuar, luginave të verdha
Kaproll i bestytnive vraponte në muzg.
Vrapo, kaproll, vrapo në pllajën e hirtë,
Mes erërave pagane të ngjizura në mit!
***
Perënditë ilire tek zbrisnin në rrëpirë,
Panë shkrirjen e akujve dhe prarimin e pranverës.
Panë urelën që rridhte… do të bëhet më mirë,
Thanë shpirtërat e shenjtë mes shkulmeve të erës
Perënditë ilire, perënditë pagane
Merrnin trajta njerëzore: flenë e marrin frymë.
Kur e kur bëhen erë e kur e kur tufane
Mëkatojnë mbi bar e mbulohen me brymë.
Perënditë ilire tek zbrisnin në rrëpirë,
Panë majat e maleve si putheshin me qiellin.
Sa e mirë kjo botë, ohoo, sa e mirë,
Kur sheh akujt që shkrijnë dhe urelat që rrjedhin!
Perënditë ilire, perënditë pagane,
Herë bëheshin erëza dhe herë bëheshin tufane.
Please follow and like us: