Presidenti Zelenskyj përjashton lëshimet territoriale
Pas njohjes së pavarësisë të territoreve separatiste në Ukrainën Lindore nga ana e Rusisë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyj përjashton çdo lëshim territorial. “Kufijtë ndërkombëtarë të Ukrainës mbeten në fuqi pavarësisht deklarave ruse. Ne nuk do t’i dhurojmë askujt diçka”, tha Zelenskyj në orët e para të mëngjesit të së martës, (22.02.) në një fjalim drejtuar kombit.
Kush është miku i vërtetë?
Ai dënoi shkeljen e sovranitetit të vendit të tij nga ana e Moskës. Ukraina pret një mbështetje “të qartë” dhe të “efektshme” të perëndimit, tha Zelenskyj. Tani do të tregohet se kush është “një mik i vërtetë dhe partner”, dhe kush edhe më tej do ta frikësojë Rusinë vetëm me fjalë. Kievi ka vetëm një ëndërr: paqe në Ukrainë. 44 vjeçari theksoi, se Ukraina do t’i qëndrojë besnike rrugës diplomatike. Ai ka thirrrur një samit urgjent të formatit të Normandisë. Ukraina edhe më tej është për paqen dhe diplomacinë. Por ai theksoi se “ne nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush”. Presidenti Putin kishte urdhëruar të hënën dërgimin e trupave ruse në Ukrainën Lindore. Ushtria do të përpiqet në rajonet separatiste për sigurimin e “paqes” thuhet, në një dekret të Ministrisë së Mbrojtjes ruse. Më parë Putin kishte njohur pavarësinë e republikave të vëtëquajtura “Republika popullore” Donjeck dhe Luhansk. Putin i deklaroi të dështuara ujditë e Marrëveshjes së Minskut. Ai kërkoi nga Ukraina pushimin “e menjëhershëm” të aktiviteteve ushtarake në Lindje të vendit. Ndryshe Kievi do të mbajë “përgjegjësinë e plotë për vazhdimin e mundshëm të gjakderdhjes.” Ai akuzoi sërish Kievin për “gjenocid” ndaj popullatës ruse dhe se kërkon të ketë qasje tek armët atomike.
Një reporter i agjencisë Reuters ka thënë, se në natën e së martës në Donjeck, janë parë kolona me automjete ushtarake. Të paktën ka 7 tanke në qytet pa shenja identifikuese. SHBA po reagon e përmbajtur. “Ne do të vëzhgojmë dhe do të vlerësojmë, se çfarë do të bëjë Rusia në orët e ardhshme”, tha një përfaqësues i qeverisë në Uashington. Ushtarë rusë gjenden prej vitesh në rajonin e Donbasit, megjithëse Moska e hedh poshtë këtë. “Nëse në Donbas hyjnë ushtarë rusë, ky nuk është ndonjë hap i ri. Rusia ka pasur në tetë vitet e fundit forca në rajonin e Donbasit.” Ka mundësi që ushtarët do mund të dalin “më hapur”. Perëndimi e dënoi megjithatë njëzëri njohjen e pavarësisë së “republikave popullore” nga Rusia. SHBA, Franca e Gjermania bënë të ditur se do të reagojnë në ujdi me njëra-tjetrën. Pavarësisht kësaj, presidenti Biden vendosi sanksionet e para, siç bëri të ditur zëdhënësja, Jen Psaki. Kështu janë ndaluar bizneset me njërën ose të dy territoret separatiste që Rusia i ka njohur si të pavarura. Biden, kancelari gjerman, Scholz dhe Macron janë të mendimit, se veprimi i Kremlinit është “shkelje e qartë e marrëvëshjes së Minskut”, bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit. Kurse hapat që do të marrë BE do të bëhen të ditura gjatë së martës.
Me shkallëzimin e situatës në Ukrainë u mor edhe Këshilli i Sigurimit në Nju Jork. Gjermania mori pjesë me ambasadoren Antje Leendertse, e cila deklaroi, se do të marrim së bashku me aleatët masa të vendosura dhe të duhura, për të reaguar ndaj shkeljes së të drejtës ndërkombëtare nga ana e Rusisë. Ambasadorja amerikane në Këshillin e Sigurimit, Linda Thomas-Greenfield e cilësoi urdhrin për dërgimin e trupave ruse në rajonet e Ukrainës Lindore si një hap të parë për marshimin e plotë. “Ju i quani ato trupa të paqes”, tha ajo, por kjo “është totalisht e pakuptimtë”- Putin ëndërron për perandorinë ruse, tha ambasadorja. Shumica e vendeve anëtare të KS, e kritikuan ashpër Rusinë. Ambasadori rus në KS, Vasili Nebensia u shpreh, se vendi i tij mbetet i hapur për zgjidhjen diplomatike. Moska nuk do të lejojë “një gjakderdhje të re” në Donbas, tha ai, duke pasur parasysh me gjasë sulme të trupave ukrainase.
Kina nuk i dënoi hapat e Rusisë, por u bëri thirrje të gjitha palëve të “vetëpërmbahen”. Ambasadori kinez, Zhang Jun tha se palët duhet të mënjanojnë veprime që “tensionojnë situatën”.