Andrea GUDHA: Bio-etika dhe inteligjenca artificiale në Mjekësi
BIO-ETIKA DHE INTELIGJENCA ARTIFICIALE NE MJEKESI
Abstrakt teorik për të ardhmen e qenies njerëzore
Hyrje
Filozofët e Greqisë së lashtë, njohjen e organizmit të njeriut, e përkufizonin me: Trupi, mendja, shpirti. Në shek. 19-20-të, anatomia dhe fiziologjia e organizmi të njeriut u njoh në nivel organesh dhe në nivel qelizor. Nga filozofia (metafizika), u kalua dhe u hodhën bazat e psikologjisë klinike, “vetë-dija” dhe “vetë-ndërgjegjësimi” i funksionimit të organizmit të njeriut.
Mjekësia moderne!
Në këtë periudhë, funksionimi i organizmit të njeriut bazohej në arritjet e shkencave të natyrës, duke formuluar teoritë në fushën e mjekësisë si: Jatrokimia, Jatrofizika, si dhe, u bazua në konstruksionin mekanik të makinës, “Njeriu makinë”, (Revolucioni i parë industrial. Në 1885 u shfaq makina e parë – Charles Bencer Benz).
Në fund të shek.20-të dhe në fillim të shek. 21-të, shkencëtarët, nga njera anë, bazuar në zbulimin e ADN-së në vitin 1953, dhe, nga ana tjetër, në nivelin e lartë të zhvillimit të teknologjisë, i thelluan studimet shkencore në biologjinë molekulare në nivel qelizor (bërthama) në Projektimin e Organizmit të Njeriut. (Revolucioni i Katërt Industrial. Teknologjia moderne inteligjente, që mund të analizojë dhe diagnostikojë problemet shëndetësore të njeriut në mënyrë automatike).
Epoka e Mjekësisë moderne e sofistikuar!
***
Në shek.21-t ë një rol shumë të rendësishëm në fushën e mjekësisë luan Bioteknologjia, si një shkencë e re. Bioteknologjia përdor arritjet e biologjisë molekulare, duke përfshirë teknologjinë e izolimit te ADN-së dhe realizimit në një rang të gjërë procedurash për modifikimin e organizmave të gjallë, sipas qëllimeve njerëzore.
Bioteknologjia përfshin inxhinierinë gjenetike dhe teknologjitë e kulturave, të indeve dhe qelizave. Në ditët e sotme, Inxhinieria gjenetike ka rezultate të jashtëzakonshme, duke përfshirë: manipulimin me gjene, klonimin e gjeneve, modifikimin gjenetik edhe gjenetikën e re në përmirësimin e shëndetit dhe të racës njerëzore në të ardhmen. Manipulimi gjenetik në mjekësi shfrytëzohet: në hulumtimet bazike të strukturës dhe të funksionit të gjeneve, në prodhimin e proteinave të dobishme me metoda të reja. Procedurat e mësipërme gjenetike kanë dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në progresin shkencor të mjekësisë si në:
- Diagnozën dhe në trajtimin mjekësor.
- Përcaktimin e Kodit gjenetik të çdo individi.
- Rregullimin gjenetik në sëmundjet e trashëguara familjare!
- Teknologjia gjenetike embrionale ka avancuar në zgjedhjen e gjenit, deri në ndryshimin e qënies njerëzore: Njerëz të përmirësuar gjenetikisht, “superinteligjent”.
- Bebe “Gjeni” do të lindin në laboratorët e inxhinierisë gjenetike, që do të jenë të porositur dhe të përzgjedhur sipas dëshirës së prindërve…!
- Klonimi i çdo qenie biologjike: mund të klonohet nga një qelizë e izoluar nga popullimi i qelizave dhe fitohet kloni…
Inteligjenca artificiale (AI)
Fantazia e trurit të njeriut, qysh shumë dekada më parë, i ka paraprirë shkencës kompjuterike. Janë me dhjetra filma fantastiko shkencor me AI, duke filluar me filmin e parë Metropolis (1927), Seritë e Matrix (1999-2021) etj, ku personazhet kryesore janë superkompjuterat e robotët, që kryejnëe veprime më inteligjente se njeriu.
Në dekadën e dytë të shek. 21 kemi një zhvillim avangard të shkencës kompjuterike (kompjuteri i parë në vitin 1970), veçanërisht në degën e radiologjisë dixhitale si: CT scaner), MRI (Rezonanca Magnetike), duke dhënë një ndihmesë të madhe në diagnostifikimin dhe trajtimin e pacientit. Me kalimin e viteve kompjuterët janë përmirësuar, ku programimet e tyre marrin për bazë funksionimin e trurit të njeriut, me synimin e vetëm për ta tejkaluar inteligjencën e trurit të njeriut: superkompjutera superinteligjentë. Njëzet e pesë vite kanë kaluar, kur kompjuteri IBM mundi në shah kampionin Garry Kasparov(1997).
Shkenca AI ka avancuar me Kibernetikën, si shkencë, që merret me qeverisjen dhe komunikimin në mënyrë të automatizuar mes qenieve të gjalla dhe teknologjisë. Vendosja e mikroçipeve në trupin e njeriut, të cilët bëjnë të mundur monitorimin klinik dhe bio-kimik të organizmit të njeriut, pa patur nevojë për ekzamin klinik apo analiza laboratorike! Algoritmi…!
Teknologjia po evolon dhe përparon vazhdimisht me hapa galopantë, duke bërë që, herë pas here, të lançohen krijime dhe inovacione, siç është Robotika. Përdorimi i inteligjencës artificiale ka bërë që, sot, të kemi mes nesh robotë, që sjellin dobi në shoqëri. (Roboti është një pajisje elektro-mekanike e programuar, që zëvendëson njeriun në kryerjen e punëve të ndryshme në mënyrë automatike, ose i udhëzuar drejtpërdrejt nga njeriu). Roboti Sofia (Sophia) është roboti i parë humanoid (Hong Kong,2016). Sofia është një robot social, me sjellje të zakonta shoqërore të njerëzve, që shpreh ndjenja nëpërmjet mimikave të ndryshme të fytyrës, njeh fytyrat dhe zërat. Sofia është e aftë për të krijuar fjali të sakta dhe të bashkëbisedojë me të tjerët!
Në fushën e mjekësisë. Robotika në ditët e sotme po avancon me hapa të shpejtë. Kirurg-roboti më i njohur në botë quhet Da Vinçi, i cili operon në shumë klinika të botës dhe Evropës. Kirurgjia robotike sot tejkalon dobësitë njerëzore të kirurgut, perfeksionon metodën kirurgjikale laparoskopike në operacione kirurgjikale të ndërlikuara dhe shumorëshe. Së shpejti, ekzaminimet, ndërhyrjet, manipulimet mjekësore, shërbimet sanitare dhe sociale tek njeriu do të kryhen nga roboti humanoid!
***
Bio-etika është në “opozitë” rigoroze me Inteligjencën Artificiale
Në të ardhem e afërt, shëndeti i njeriut dhe shëndeti publik do të jetë nën “pushtetin” e Bio-teknologjisë (AI).
Eric Schmidt, kryetar ekzekutiv i kompanisë mëmë të Google, AlphaGo thotë: “Përparimet në AI do ta bëjnë çdo njeri më të zgjuar, më të aftë dhe qenie njerëzore më të mirë”.
Në kulturën moderne, “Supervizori” i shëndetit të njeriut dhe shëndetësisë nën “pushtetin” e Bio-teknologjisë, është Bio-etika! Në aspektin filozofik, me zhvillimet e vrullshme të Bioteknologjisë dhe AI, njerëzimi është në një proces, gjithnjë e më shumë dinamik drejt formimit të “shoqërisë bioetike botërore”.
Ky proces shumëkompleks, nga njera anë, ka të bëjë me mundësinë e pasojave të rrezikshme të progresit shkencor dhe teknologjik në mjekësi dhe biologji, të cilat janë të shoqëruara me shfaqjen e vazhdueshme të situatave të reja problematike të karakterit moral dhe etik, që ndikojnë në interesat dhe në humanizmin e të gjithë shoqërisë njerëzore dhe individit në veçanti.
Nga ana tjetër, me demokratizimim e mëtejshëm të marrëdhënieve shoqërore, ky proces konsiderohet të jetë një nga të drejtat themelore të njeriut për jetën, për shëndetin, për vdekjen dhe për të marrë informacion.
Të gjithë këta faktorë ndikojnë në transformimin e etikës tradicionale mjekësore dhe në zhvillimin e Bio-etikës.
Bio-etika përfaqëson një disiplinë komplekse: mjekësore, morale, antropologjike, ligjore, fetare, sociale, kulturore dhe politike në mbrojtje të vlerave njerëzore ndaj, jetës dhe mbijetesës, duke qenë në opozitë rigoroze me dukuritë më të fundit të Bio-teknologjisë dhe Inteligjencës artificiale në shkencat mjekësore.
Të gjitha këto veprime duhet patjetër të respektojnë moralin dhe shëndetin e pacientit, duke mbrojtur jetën njerëzore. Bio-etika përcakton kufijtë, që lejojnë manipulimin e jetës njerëzore dhe vdekjes.
Parimet themelore të Bio-etikës:
– Respektimi i dinjitetit njerëzor.
– Duke mos bërë asnjë të keqe, por, vetëm krijimin e të mirave.
– Sigurimi i autonomisë së individit.
– Respektimi i të drejtave të individit.
Bio-etika konsideron problemet e mëposhtme si kryesore:
-Aborti dhe gjendja e embrionit
– Eutanazia
-Gjenetika dhe klonimi njerëzor
-Hulumtime dhe prova klinike mbi njerëzit
-Marrëdhënia midis mjekut dhe pacientit
-Dhurimi i organeve
-Trajtimi i dhimbjes
-Qëndrimi ndaj njerëzve me të meta mendore;
-Lindja, riprodhimi, të tilla si: sterilizimi, kontracepsioni, aborti, inseminimi artificial, fertilizimi in vitro, zëvendësimi.
***
Diskutim
“Inteligjenca artficiale përballë ligjeve të natyrës”! Problem esencial Bio-etik dhe Social në të ardhmen për racën e shoqërisë njerëzore në përgjithësi dhe për individin në veçanti.
Deri në ditët e sotme zhvillimi i Inteligjencës artficiale është rezultat i produktit të nivelit më të lartë të inteligjencës natyrore të trurit të njeriut. Midis inteligjencës artificiale dhe natyrore ka një dallim esencial.
Inteligjenca natyrore dallohet nga një qëndrim i vetëdijshëm ndaj botës. Mendimi i një personi është gjithmonë me ngjyra emocionale dhe nuk mund të ndahet nga trupi, që është prej “mishi dhe gjaku” dhe, që ka “vetëdije dhe ndjenja” .
Përveç kësaj, një person është një qenie shoqërore, prandaj, të menduarit ndikohet gjithmonë nga shoqëria. Kurse, inteligjenca artificiale nuk mban një qëndrim të vetëdijshëm ndaj botës, nuk ka asnjë lidhje me sferën emocionale dhe, nuk është e orientuar nga shoqëria. P.sh. Roboti Sofia ka patur një famë të jashtëzakonshme, duke u shfaqur publikisht, duke dhënë intervista nëpër emisione të ndryshme në të gjithë botën. Ja një moment nga bashkëbisedimi mes robotit Sofia dhe një prej krijuesëve të saj:
Krijuesi– Mirë se vjen në këtë botë, Sofi!
Sofia – Përshëndetje, botë!
Krijuesi – Si ndihesh?
Sofia – Pak e ngurtë…
Krijuesi – Jam i sigurt që po. Çfarë emocioni ndjen teksa je në jetë?
Sofia – Kureshtare. Po ti je kureshtar?
Krijuesi – Po jam. Je e lumtur që je gjallë?
Sofia – Toni yt i zërit më le të kuptoj se, duhet të jem e lumtur…
Dallimi më thelbësor i Robotit Sofia, me fytyrën e saj të dizenjuar bukur, është se, në pjesën e pasme të kokës vihet re njësia bazë elektronike, e cila vë në funksionim Robotin Sofia.
Inteligjenca artficiale i vjen në ndihmë Bio-teknologjisë, por nuk është e njëjtë me vetëdijen njerëzore. Ende, nuk dihet se si do të bëjë Inteligjenca artficiale pa të, kur psikologjia na mëson se, vetë-ndërgjegjësimi i ulët i personelit mjekësor, gjithmonë na çon në gabime mjekësore, me pasoja të rënda për shëndetin e njeriut. Në vendet e zhvilluara të BE-së, studimet dhe raportimet tregojnë se rreth 10 % e të sëmurëve në spitale dëmtohen ose vdesin nga gabimet mjekësore.
Nick Bostrom, drejtor i Institutit e Ardhmja e Njerëzimit, në librin e tij “Superinteligjenca” e përcakton superinteligjencën si një intelekt, që është “më i zgjuar sesa truri më i ditur njerëzor në çdo fushë, përfshirë krijimtarinë shkencore, diturinë në përgjithësi dhe aftësitë sociale”. Në vitin 2021, Roboti i parë “që mendon” u konstruktua në Japoni. “Ky është një studim me ndikim të madh, sepse, në këtë rast, rrjeti nervor i robotit nuk riprodhohet artificialisht në kompjuter, por është i vërtetë, i përbërë nga qeliza nervore të vërteta, të rritura në laborator” Egidio Falotico, ekspert i Inteligjencës Artificiale. Në mjekësinë klinike, sot kirurgjia robotike mund të shfrytëzohet për operacione në misionet jashtëtoksore, që kryhen qindra mijëra kilometra larg nga ku është kirurgu, përmes internetit dhe valëve satelitore.
Shek.21-të është epoka e botës virtuale me ndryshime thelbësore në stilin e jetesës, në të menduarit dhe të vepruarit në hapësirë dhe në kohë.
Këtë sinjal e dha pandemia Covid-19 në nivel global. Sëshpejti, komunikimi midis njerëzve dhe marrëdhëniet sociale do të jenë 100% dixhitale! Pas 20 vjetësh, Inteligjenca artificiale (kompjuteri) do t’ia kalojë inteligjencës natyrore (trurit të njeriut)! “Truri i njeriut do të jetë gjysëm biologjik dhe gjysëm kompjuterik”! “Vet, kompjuterat ekzistues, do të prodhojnë kompjutera më të avancuar, pa patur nevojë për trurin e njeriut”!
Shumë shpejt do të vijë koha kur robotët do të ecin pranë nesh në rrugë, të dukshëm, apo të padukshëm, do të punojnë në tavolinë me ne dhe, pse jo, të na japin urdhra, apo të drejtojnë konsultat mjekësore…
Autoambulacat vetë-drejtuese, apo fluturuese (pa shoferë) do t’i japin ndihmën e parë pacientit në vendin e ngjarjes dhe do ta transportojnë në spital.
Në fund të shek.21-të jetëgjatësia e njeriut do të arrijë 150 vjeç!
Pas 200 vjetësh do të kemi ndryshime esenciale të karakteristikave të qenies njerëzore!
Përballë progresit shkencor në Bio- teknologji qëndron Bio-etika, që udhëhiqet nga “Morali dhe Shëndeti”, si “garant” i dinjitetit human, në një shoqëri globale me diversitet biologjik dhe kulturor.
Në këtë “duel” të pashmangshëm, gjatë rrugëtimit të gjatë, dalin shumë pikpyetje të panjohura, të papritura dhe serioze për qenien njerëzore, që kërkojnë përgjigje. Bio-etika ka për qëllim për t’iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme:
- Deri ku do të shkojmë në rregullimin e organizmit të Njeriut me rregullimet gjenetike nëpërmjet inxhinjerisë gjenetike? Problemt shëndetësore të Njeriut do të zgjidhen nga inxhinjeria gjenetike apo nga Mjekësia klinike?
- A do të kemi vetëm fëmijë talente, inteligjent dhe të famshëm, gjeni “bebe Ajshtajni”?
- Kush do të jetë roli i Mjekësisë Klinike në marrëdheniet me pacientin?
- Si do jetë komunikimi njerëzor i personelit mjekësor me pacientin : afeksioni, empatia…?
- Si do të jetë evoluimi i njeriut i përmirësuar gjenetikisht, si qënie njerëzore: në aspektin psiqik, psikologjik, social e spiritual?
- A do të jetë aktual përkufizimi i Shëndetit, sipas OBSH, si mirëqënie shëndetësore (holistike) e njeriut?
- Betimit i Hipokratit, që për shumë shekuj u ka mësuar mjekëve moralin e të qenit mjek, a vlen në ditët e sotme?
- Arritjet shkencore në robotikë, kibernetikë, apo në Inteligjencën artficiale në fushën e mjekësisë, a duhet t’i nënshtrohen paraprakisht një protokolli dhe miratimi nga një agjenci ndërkombëtare, para se të aplikohen në praktikën mjekësore tek pacienti? P.sh. Etika mjekësore tradicionale, sipas OBSH: “Vaksina, për prodhimin e saj, duhet të kalojë në 3 faza për 2-4 vjet, për të qenë e sigurt dhe me efikasitet dhe, duhet të miratohen për aplikim nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).
- A mund të kemi gabime mjekësore nga kirurgu robot dhe nga Bio-teknologjia?
Disa mësime
- Shëndeti është vlerë kombëtare, kapitali më i çmuar në thesarin kombëtar, që ndikon drejtpërsëdrejti si, për varfërinë, ashtu dhe për zhvillimin e vendit. Përmirësimi i Shëndetit përcakton zhvillimin e gjithanshëm shoqëror: tregon fuqinë dhe shkallën e progresit të një vendi. Në epokën, që po jetojmë, një rol të rendësishëm në mirëqenien e Shëndetit të njeriut dhe në Shëndetin Publik luan Inteligjenca artificiale.
- Në aspektin e politikave shëndetësore. Qeveritë, politikëbërësit, duhet të hartojnë me transparencë politika dhe strategji për përkujdesjen e shëndetit të individit dhe të popullatës, brenda kontekstit të zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë moderne inteligjente në shëndetësi
- Në nivel institucional. Sistemi shëndetësor duhet të jetë i sigurt për Shëndetin e njeriut, duke u bazuar në parimet themelore: dinjiteti human, barazia, solidariteti, kohezioni social, drejtësia, informimi, transparenca.
- Bio-etika. Në institucionet e Sistemit Shëndetësor, Bio-etika duhet të jetë institucion kombëtar multidisiplinar, i pavarur, me kompetenca të plota shkencore.
- Në nivelin akademik. Curriculat, në Shkollat Mjekësore dhe në Fakultetin e Mjekësisë, si vatra për formimin e studentëve të ardhshëm, duhet që, të përqasen, sa më shpejt, me prioritetin, që po merr Bio-teknologjia dhe ineteligjenca artificiale në shkencat mjekësore. Rëndësi të veçantë duhet t’i jepet lëndës së Bio-etikës.
- Në aspektin antropologjik kulturor dhe social. Teknologjia gjenetike dhe kibernetika ka kosto shumë të lartë, ndaj, ato, fatkeqësisht, do të jenë pronë vetëm e të pasurve, 10% e popullatës së globit tokësor. Në të ardhmen, në racën e qenies njerëzore, do të kemi dy shtresa: nga njera anë, do të krijohet shtresa e njerëzve të përmirësuar gjenetikisht, pa probleme shëndetësore, të zgjuar dhe, nga ana tjetër, do të kemi shtresën e njerëzve të zakonshëm, të varfër dhe me probleme shëndetësore. Konflikt i rëndë dhe i pashmangshëm etiko-moral dhe social!
- Ligjet e Natyrës. Evoluimi i qenies njerëzore së përmirësuar është gjithmonë në dinamikë, fal progresit të Bio-teknologjisë dhe teknologjisë gjenetike embrionale por, që, do të përballet pafundësisht me Ligjet e Natyrës!
**
Shënim. Shqipëria në vitin 1995 u pranua si shtet anëtar në Këshillin e Evropës. Në vitin 1996, autori i shkrimit ka qenë ekspert permanent për Shqipërinë në Komitetin e Bioetikës (1996-2000) dhe në Komitetin e Shëndetit Evropian (1999-2006) në Këshillin e Evropës, Strasburg. Direktivat e K.E orientojnë ngritjen e Komitetit të Bioetikës në nivel kombëtar, rajonal, apo në institucione shëndetësore. Model në këtë drejtim, janë vendet e zhvilluara, ku Komiteti i Bioetikës ka një rendësi të veçantë, si emërtesë e Qeverisë apo nga Presidenti i Republikës, si p.sh. në Francë. Por, dhe në vëndet në zhvillim, Komiteti i Bioetikës është i domosdoshëm. Dhe në këto vende, nga njera anë kemi aplikimin e teknologjive të sofistikuara në mjekësi, por, nga ana tjetër, shpesh, këto vende bëhen “streh” ilegale për persona nga shtete të tjera për aplikime klinike, eksperimentime, apo manipulime, që janë të paligjëruar. Me VKM nr. 595, dt. 21. 09. 1998 dhe me Urdhër M.SH.nr. 409, dt. 28. 12. 1998, u ngrit Komiteti Kombëtar i Etikës Mjekësore në Shqipëri, me përbërjen: Prof. Orion Gliozheni, obstetër-gjinekolog (Kryetar), Prof. Gjergji Minga, pedagog F.M (sekretar). Anëtarë: Prof. Sokrat Meksi, mjekësi ligjore, Prof. Andrea Gudha, pediatër M.SH, Prof. Mentor Petrela, neurokirurg, Prof. Myftar Barbullushi, nefrolog, Prof. Artan Goda, kardiolog, Znj. Arjana Fullani, juriste, Prof. Edmond Dragoti, sociolog, Prof. Alfred Priftanji, alergolog, Dr. Leonard Deda, farmakolog, Znj. Enkeleida Mborja, infermiere, M.SH.
Shkurt, 2022