Albspirit

Media/News/Publishing

Dashnor Kokonozi: Për Luan Starovën…


Këtu e njëzet vjet të shkuara, shkoja shpesh në Mont Noir (Saint-Jans-Cappel), një lartësi në kufirin franko-belg ku gjendet shtëpia ku ka jetuar Margaritte Yoursenar.
Përveçse është një vend i mrekullueshëm për të shëtitur e soditur krejt Flandrën franceze, vila prej vitesh ishte shndërruar në rezidencë për shkrimtarë nga e gjithë bota, që vinin aty për të krijuar në kushte të mrekullueshme shërbimi e qetësie.
Ishte edhe rast takimesh e njohjesh të pa harruara.
E veçanta është se në përfundim të qëndrimit të tyre, shkrimtarët kishin një detyrim të vogël. Të lexonin në gjuhën amtare fragmente të krijimtarisë që kishin bërë gjatë qëndrimit aty, te Vila Yoursenar.
Dhe kjo në prani të të ftuarve të ndryshëm dhe publikut.
Nga viti në vit, nuk mungoja kurrë!
E tepër të them se çfare kënaqësie ka qenë për mua, të dëgjoj e të njoh aty, disa nga penat e ndritura të kohës sonë.
Një fund, vere se atëherë zhvillohej kjo krijimtari, pas një poeti japonez, e një dramaturgu anglez i vjen radha dikujt, që nis e lexon shqip.
U ngrita më këmbë nga habia.
Kur pyeta më thanë se quhej Luan Starova. Ah, thashë, këtij i kam lexuar thuajse gjithçka.
Në fund shkova ta takoj. Qe një kënaqësi e madhe njohja personale me të. Qëndroi edhe ca kohë si i ftuar, bashkë me zonjën e tij dhe kurrë nuk përtoi t’i përgjigjej mijêra pyetjeve që kisha, se e dija që kishte qenë dëshmitar i një bote tjetër që nuk kishte asgjë të përbashkët me tonën.
Shkoja dhe e merrja me makinë dhe kalonim ndonjë darkë në shtëpinë time, ku nuk mungoja të ftoja edhe miq, që kishin dëshirë ta njihnin.
Një njeri aq i çiltër që të pasuronte me praninë e tij të fisme.
Kjo foto, ku është bashkë me zonjën e tij dhe miq tê mi, është bërë në shtëpinë time, gjatë një prej atyre netëve që Starova qëndronte në Vilën Yoursenar.

Please follow and like us: