Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: ‘Mozaik’, libri që më dha jetë…

Është paradoksale të mendosh kështu: se si mundet të të japë forcë e jetë të mëtejshme edhe një libër që e ke krijuar me shumë dashuri e përkushtim vetiak. Si të ishte një fëmijë i porsalindur që duhet të hyjë në jetën tënde e t’i duhet t’i hapësh “dyert e shpirtit”. Kjo ndodhi mbasi kisha nxjerrë një merak prej krijuesi të Artit me librin “10 +1”, për krijimtarinë e spikatur të brezit të mesëm të artistëve të skenës e ekranit, që dikur i pata studentët e mi, si edhe me ribotimin e librit me tregime të zgjedhura “Një natë e ndyrë”, prej 7 librave të mëparshme, me të cilat tentoja të bëja edhe sprovën letrare. Dhe kështu do të ngjante me të vërtetë, kur mua m’u ‘shkrep’ që të shkruaj librin e 34-të, pikërisht kur im bir, Aleksandri, sapo mbushi 34 vjeç e më iku, nga kurbeti në një kurbet tjetër! Ndërkohë që mbeta vetëm! E, kur kjo, nuk qe e mjaftë, ranë tërmete, pandemira e kur më “goditi rrufeja” edhe mua, për të më dërguar në “Botën e Përtejme”! Mirëpo para se të hapej kjo “perde e vdekjes”, e kisha përgatitur librin në fjalë, për disa nga miqtë e mi artistë që ikën nga jeta pa i thënë të gjitha, po dhe për disa të tjerë artistë e shkrimtarë që i mbijetuan flamave në kohët më të vështira të tyre e tonat, që nga mote që nuk mbahen mend…
Se ishte krijuar nje dilemë per egzistencën e vetë teatrit,- si gjinia më e dashur për publikun. E megjithatë, pasi u “shuan” mjaft emra artistësh gjatë këtyre viteve e me “Ferman” u mbyllën edhe dyert e teatrove,- ja qe dolën artistë, si Nuredini, Filipi, Çuli, Kita dhe Zymberaj, që gjetën mënyra që teatri të mos mbyllej, si edhe regjisore si Dervishi që të sillte përsëri në skenë Çehovin e Gogolin. E të tjerë si ajo… Kur edhe vet autori i këtyre radhëve e i këtij libri gati po “shuhej” nga një goditje cerebrale, përsëri duhej shkruar për teatrin, për dramaturgët, për shkrimtarët, për vetë jetën teatrore dhe publikun e vet, pa i harruar krijuesit e tjerë që na rrethojnë, për piktorët tanë të Diasporës që e “shesin” talentin nëpë botë, për kineastin Gajo në çastet e tij të pushimit, për aktorin-Orakull Qendro që lozte Harpagonin dhe në pleqërin e tij, për ish-studenten time Justina Aliaj të dërmuar nga jeta, për poetin Jovani e prozatorin Abilekaj që i kam pranë, për fabulistin Gjivogli në fshatin tim, për miqt e mi Papagjoni e Islami, që bënim kritikë e nuk rreshnim së shkruari për teatrin dhe për Hysajn, Nezirajn, Krasniqin etj., që vazhdonin ende të bënin drama e komedi që teatri të mos vdiste…
Po ashtu sikundër isha, duke lënguar në një Spital të Athinës “trokita” në një shtypshkronjë të thjeshtë të Tiranës. Me telefon pas telefoni, me një çerek zëri, si të isha “buzë humnere”, sikur do të vdisja vërtet, nga çasti në çast, po nuk do ma botonin edhe këtë libër, për hir të atyre miqve që ikën nga jeta,-sikundër qe Raidhi, Nelku, Çipa, Devole, Rondo, Fejzo, Shëmili, Borodani, Xhelili, po edhe nga miku im, piktori Viktor Bullgari që ia shkurtoi jetën Covid-19, si edhe të shokut të burgut, trimit të paepur Dino Martiko, që mbeti aty, në një burg mes malesh e i biri mezi i gjeti varrin vite më vonë! E u bëra më mirë kur librin ma përfillën e ma botuan, me pak kopje, librin e tridhjetë e katërt, barazuar në kohë me jetën e tim biri në dhe të huaj… Po ama sikur më dha impulse të reja force e jete dalja edhe e këtij libri. Aqsa më ngriti në këmbë përsëri! Më lindi befas mendimi se mund të jem përsëri i dobishm, për veten, familjen e miqt e mi të shtrenjtë!
Dhe librin e quajta “Mozaik”, sepse i ka të gjitha ç’pata “rrëzë shpirtit” tim: që nga skicat e thjeshta të facebookut, tregimet e novelat, analizat e spektakleve teatrore, shënimet për filmat e famshëm, portretet e artistëve, studimet e krijimtarisë së tyre, intervistat, si edhe një mall përvëlues për fshatin tim turistik, Piqerasin, që nuk di se si mbeti jashtë listës së atyre 100 fshatrave të rezervuara për turistët e huaj!.. Libri ka 330 faqe, të shoqëruara edhe me foto. Atë mundeni ta gjeni në “Art-Librari”, te ish Stacioni i Trenit të Tiranës, përbri monumentit të Mbretit Zog, së bashku me disa libra të mia të botuara më parë, si edhe në të dyja libraritë e Sarandës… Mirënjohje për Sh. B. EDLORA, redaktorit Çerçiz Loloçi, korrektores letrare Mirela Mihali, po edhe mikut tim Artur Bibe që m’i sollën këtu kopjet e para të librit, me agjencinë e tij të udhëtarëve ‘Top Lines’, që u bënë mukajet të merren me mua në këtë kohë krize të përgjithshme, kur askush nuk ka nge të merret me libra! Gjithsesi them “Rrugëtim” të mbarë gjer tek lexuesit, i dashur “Mozaiku” im!
Athinë, më 24.02.2022.
Please follow and like us: