Odise Kote: PUSI
Tregim
Fantazmën as e kap dhe as e prek dot, kaq ta bësh dhëmbin! – hakërrehej gjithë gulçe zemërimi nënëmadhja.
S’di përse i fryheshin damarët e kaltër të qafës kur i kërkoja të ndiqja fantazmën.
Do të haç një furrë me bukë! U bëre ti…!
Fantazma rrinte fshehur në pus. Në pusin e sipërm të shtëpisë, në lagjen e vjetër të të krishterëve. Shtëpia në Meçite sikur varej në çengele qielli. Ndoshta e varura në çengele qielli duhej të ishte shkaku që nënëmadhja fliste gjithë natën për fantazmat.
Si është ajo? – e pyesja pa ia përmendur emrin prej një frike që nuk e di prej nga kishte lindur.
E shihja në kokërdhokë të syrit zonjën, por sytë e saj nuk jepeshin.
Ajo…? – picëronte ata sytë e vegjël jeshilë plot shkrepëtima – ajo shfaqet e zhduket fap e fap… Ja ashtu, pa formë.
E ke ndjekur ndonjëherë ti nënëmadhe?
Ç’thua more trushkulur… ndiqet pas fantazma? – nxehej dhe ma zinte gojën me pëllëmbën e rreshkur.
Strukesha i pabindur. Nuk i jepja dot shpjegim pyetjes: Përse nënëmadhja nuk e kishte ndjekur ndonjëherë nga pas fantazmën?
Me siguri që po t’i vihej, do ta kapte!
Të banoje në shtëpinë tonë ishte si të jetoje gjithë kohës hypur në areoplan. Frikë e llahtari. Sikur nga çasti në çast do të bije.
Kur e shihje shtëpinë nga poshtë të merreshin mendtë. Nga sipër, duhet të hypje mbi bedena të kështjellës që ta sodisje. Shtëpia ishte si një vetëtimë qielli e ngulur thellë tokës.
Sikur nuk ishte dakort me zotin.
Sikur e kishin detyruar të vetësakrifikohej.
Të mbulonte gjithë hijeshinë.
Çuditërisht ajo s’donte t’ia dinte për rrëzime e shkarje pasi në pjerrësinë rrokullisëse ishin derdhur themele të trasha, mure të gjerë mbi dy meter e kolonada guri, sa dy krahë burrash.
Nga pjesa jugore, themelet e saj ishin si nja gjashtë metër të lartë, kurse nga ajo veriore mbi dymbështjetë metër.
Në themele, muret ishin ngjizur me llaç të trashë përzier me lesh, ndërsa më lart, një pjesë e tyre ishte kserolef për të kulluar ujërat e vjeshtës e të dimrit.
Për herë të parë fjalën fantazëm e dëgjova nga nënëmadhja. I vija rrotull pusit të sipërm të shtëpisë, me kërshëri gërryese. Ai ishte rrethor, i madh, i lartë, me gurë të bardhë, të hirnosur.
Gurë të lëmuar.
Përsipër pusi kishte një kapanxhë hekuri. Kapanxha ishte e rëndë dhe qëndronte gjithmonë e mbyllur me dryn. Çelësin me siguri e mbante nënëmadhja. Në krah, sipër tij bulëronte me dritë limfe një dardhë finoshe.
E vetmuar.
Dardhë dimërore.
Poshtë saj qëndronte në karrekëll druri gjyshi im. Usta Koli.
Ai dridhej i gjithi. Nga parkensoni.
Usta Koli, magjistari i çative e mureve. Gjithē mëhalla kishte kaluar nër duart e tij. Po që kur erdhi nga Amerika me dy baule ngarkuar, atë e përqeshi mëhalla. Në baule, në vend të prikës, dhuratave e sendeve të shtrenjta të Amerikës, kishte sjellë vetëm vegla pune.
Vegla ustai.
Në nëntë vitet e fëmijërisë sime kjo tablo mbeti e pandryshuar. Tek ajo karrekëll, nënëmadhja kalonte çdo ditë dy a tri orë kohë paradite.
E pastronte usta Kolin, e ruante, i krihte flokët e bardhë, e ushqente. Kur moti ftohej i hidhte tek këmbët dhe në supe kuvertën e Stambollit. Atë më të trashën, gjithë lesh.
Ndërkohë pusi tjetër, ai i poshtmi, gjendej në krahun e kundërt të shtëpisë, atje, në cep të bashtinës. Atje në parajsën mbushur me pemë. Fiq, rrush, mollë e çerçeme.
Ai i poshtmi, kishte një formë katrore, të ngushtë dhe një çikrik druri që kërkëllinte gjithë zhurmë nga pesha e kovës.
Nënëmadhja në shtëpi, për të pirë e gatim përdorte ujin e pusit të poshtëm.
Ky ishte urdhëri.
Po pse i poshtmi dhe jo i sipërmi? grindesha natën nëpër gjumë. Pyetja më sëmbonte në tëmtha.
Një mëngjes u ngrita herët, kur dielli nuk e kish nxjerrë kokën mbi Lunxhëri dhe iu afrova pa u ndjerë pusit. I erdha rrotull.
Provova të shkulja kapanxhën prej hekuri.
Nuk munda dot.
Ik andej mor ditëprerë se do të kafshojë fantazma – dëgjova zërin si camunxë lofate të nënëmadhes që po si fantazmē se nga mbiu.
Kishte këputur një cukunidhe të madhe dhe m’u lëshua si panterë. M’i bëri këmbët flluga – flluga. Vrapoja rrotull pusit t’i shpëtoja ndëshkimit, po nënëmadhja ishte dinake.
Më kapte.
Se si devijonte kahje, dilte nga e kundërta e lëvizjes sime dhe hop unë bija në duart e saj.
Kur u lodh, m’u hakërrye: Kur s’të lashë të të gëlltiste fantazma!
E shqiptuar ashtu kërcënueshëm, plot mëri e zemërim prej saj, fantazma duhej të ishte një gjë e frikshme, mallkuese, e keqe, nëmë që kërcënonte jetën tonë. Prej asaj dite, mendja ime nisi të bluante plane për zbulimin e saj.
Njëherë e pyeta nënëmadhen: Po nuk vdes kjo fantazma, sa jeton?
Ncëk, ncëk… – bëri ajo – sa vdes njëra, lind tjetra. Pusi nuk mbetet kurrë pa fantazëm.
Po si e ka fytyrën? E ke parë ndonjëherë?
Tyryfiçkë! Fantazma nuk është as flutur, as xixëllonjë që ta ndjekësh pas e ta shikosh. Jo po ta shohësh nga poshtë në është mashkull a femër… na, na,na – dhe bëri munxën e saj.
Ka pus çdo shtëpi?
Ëhë …- foli ajo. Ka. Si të mos ketë!
Domethënë ka në çdo shtëpi nga një fantazmë…
More djall…!
Ndaj gjyshi na ka bërë dy puse? Një me fantazmë e tjetrën pa fantazmë?
Ç’më çave kokën! – dhe ngrihej si ato fokat. Ikte të gatuante drekën në mesore të patit. Jashtë në karrekëll, nën dardhën finoshe dimërore si përherë vigjëlonte gjyshi, usta Koli.
Unë përpëlitesha në vuajtje moskuptimi.
Si është fantazma…? Nga del ajo? E padukshme, pa formë, e papërfytyrueshme. Fantazëm që më gllabëron gjithë kohën hapësirën e fantazisë time.
Me siguri ka ndonjë sekret a kleçkë që nënëmadhja s’na i tregon. Ç’fshihet pas saj?
Meqë çdo shtëpi e paska një fantazmë pusi, në një prej ditëve të tetorit më shkoi mendja ta ndërroja fantazmën e pusit të sipërm të shtëpisë tonë me fantazmën e shokut të bangës, ashtu siç ndërronim pullat e postër një hollandeze me një gjermane. Unë besoja që dhe ai do të kishte dy puse në shtëpinë e tij, një me fantazmë e tjetrën për të pirë ujë.
Ç’thua? – përqeshi ai. Ku ndërrohen fantazmat! Hajde pykë hajde!
Mospranimi i tij më lëndoi. Nuk e prisja një përgjigje të tillë.
Kishim këmbyer kulmbullat mashqino me të verdhat, kajsitë me mushmollat, dardhët me ftonjtë, madje edhe detyrat e shtëpisë.
Po fantazmat asnjëherë.
Deri sa…
Derisa një ditë kur brakstisa mësimin ngase kisha provim zbulova një nga enigmat më sfilitëse të mendjes sime.
Gënjeva në klasë kur thashë; më dhemb barku!
Mësuesja e arithmetikës, Sofia më shoqëroi deri dalja e shkollës.
Iki vetë; fola i zënë në faj.
Shiu asaj ore ra me rrëshekë gjithë rrugës. Unë preva shkurt për në shtëpi. Hyra nga lart, nga pjesa e sipërme, mbi bashtinë, tinës, nga mani i komshiut. Zbrita nga muret e Çenkajve. Drejt e në kat të parë, mu tek pati siç e thërriste nënëmadhja. Pati ishte hapësirë e madhe si fushë sporti. Lashë çantën mbi mindere nga krahu i dritareve që binin mbi pjesën veriore të bashtinës. Zgjata kokën dhe… Sytë e mi nē sekondë sikur u verbuan.
Nuk kuptoja dot çfarë po ndodhte. Atje… atje… tek pusi i sipërm, tek i paprekshmi me fantazmë, po ndodhte çudia.
Kapanxha ishte ngritur dhe përposh, brenda tij ishte varur shkallarja prej litari, me komba të trashë sa dy grushte bashkë. Por kryeçudia nuk ishte shkallarja. Ishte im gjysh, usta Koli.
Po zbriste lehtësisht në brendësi të pusit.
Si të ishte njëzetvjeçar.
Pa pyetur për shiun.
Të ftohtin.
Më pataksi mahnia befasuese.
Ku është parkensoni – gati sa s’ulërita – ku ēshtē sëmundja vrastare që e kishte gozhduar prej shumë vitesh në karrekëllën e bashtinës?
Ku janë duart që dridhen, tundja e trupit…? gati sa s’ulërita për së dyti, në ndërkëmbim të shpejtë duke ndukur me forcë ngashërimin qē po më mbyste.
Me ç’dukej gjyshi nuk ishte hero i të tjerëve, po vetëm kapiten i nënëmadhes e vetvetes.
Më keni gënjyer – dëshiroja të përplasja, të thyeja karrekllën dhe çdo gjë që shikoja përpara.
I pafuqi, zhgënjyer, rrethuar nga qerthull i mbyllur, në një det harrimi, shpirti im dridhej si purtekë e hollë thane.
Doja të hapja kanatet e dritareve dhe të hidhesha nga aty, drejt e në pus.
Në thellësirën e errët.
Aty ku kishte zbritur usta Koli.
Mos isha në ëndërr?
Apo im gjysh kishte hapur një kasafortë anësore guri përfund pusit dhe mbante fshehur aty diçka? Po çfarë?
Mos ndoshta thesarin e tij?
Nuk e dija.
Në të vërtetë nuk dija asgjë.
Si mund ta mësoja të vërtetën?
Zanafillën.
Ku niste thurrja e saj?
Njëherë nënëmadhja më kishte thënë se e vërteta, ehu… rri e strukur, e padukshme atje ku s’ja pret mendja njeriut.
Do të rrijë e fshehur në pezhishkën e rrjetës së merimangës që varet pafajshëm në traun e rrëzuar të qilarit? Do të jetë e fshehur në pluhurin e gërryer prej krimbit, komosë së mykur prej qëndrimit në vend, pa lëvizur?
Ja atje struket e vërteta dhe ti s’e gjen dot!
Një grimë kohë më pas mbi buzën e pusit u ngjit koka e bardhë e usta Kolit. Nënëmadhja i zgjati dorën deri sa ai kërceu sipër.
Siç nuk i kisha parë kurrë ata të dy.
Janë në rregull – tingëlloi një zë, si zë i shurdhër varri. Fryma e tij paskësaj u valëvit si flamur mbi gërmadhat e harresës.
Unë vështroja si i çakërdisur nga dritaret.
Çfarë ishte në rregull? Mos është fshehur ndonjë thesar atje brenda pusit?
Isha gati të shpërtheja në të qara.
Dy njerëzit që doja më shumë në jetën time nëntëvjeçare më kishin fshehur të vërtetën.
Fantazmën.
Atë gjë pa formë të cilën prej disa muaj kisha nisur ta modeloja sipas fantazisë time me fjalët që përpiqesha ti zgjidhja me kujdes.
Si ata gurët e lëmuar dhe me ngjyra në fund të lumit. Se fjala është e shenjtë. Diamant.
Fjala do zgjedhur.
Fantazia thurrte e shthurrte pa pushim fabula.
A ishin vêrtet fabula ato, apo thjesht pandehma të gjumit të prishur?
Nuk e di. Ende dyshoj.
Mos vallë më kishin bërë sytë kur i pashë të dy atë paradite kur që shiu binte me rrëshekë?
E dija që gjyshi ishte kursimtar, gojëkyçur, memec dhe që nënëmadhja nuk pajtohej asnjëherë me fatin e saj.
Tani ishte e qartë që ata seç kishin një sekret të fshehur atje përfund pusit.
Një sekret që e ruanin si sytë e ballit.
Të mbash një sekret, do të thotë të veçohesh nga të tjerët.
Ata të veçuar ishin.
Mirë, po pse nuk i hëngri fantazma e pusit ata?