Pirro Millona: In memoriam, Merita Elmazi!
…”Jetuar mes dy epokave, po Merita e vajzërisë mbete, yll i bukurisë, djepi i mirësisë…”!
…Ulur për kafene diku ku paguaj internetin. Ulur vetëm, i menduar, shijoj kafenë me vetminë time. Befas një zile celulari më përmendi, preka botën time reale.
Një zë i dridhur, i mallëngjyer, me psherëtima.
-Pirro, na u shkëput ylli i tetëvjeçares u ngjit lart në përjetësi, e bukura Merita Elmazi-mezi njoha zërin e një shoqes sime të hershme të femijërisë ëonë të bukur.
Nuk i besova veshëve. Nuk ka mundësi që ajo bukuri të mos ta shikonim më, ta takonim, edhe për një kafe, të dëgjonim zërin e saj aq meodioz, atë portretin e saj aq me sharm, aq të bukur aq perfekt…
U përhumba në labirinthet e jetës sonë. Sytë vetvetiu u njomën, u përlotën.
U riktheva në lagjen tonë “18 Shtatori”, në vitet 1970. Çdo ditë uleshim në një klasë me Meritën tonë të bukur.
E qeshur sa më s’ka, e qetë, me një mirësjellje të lindur, e trashëguar në gen, përmetare “safi”, trëndafili i bukur nga kopshti i këtij qyteti.
Një portret, që është skalitur në kujtesë.
Si tani e kam para syve me përparsen e zezë dhe me jakën e bardhë. Flokët afërsisht ngjyrë kafe, me onde dhe çudi mbaj mend, që i mbante të ndara nga e djathta në të majtë.
Sa kujtime të ëmbla. Çdo tipar i saj ishte i skalitur me kujdes.
Ajo fytyrë ëngjëllore, me ato faqet, që i bëheshin brimë, kur qeshte me tërë shpirtin e saj të freskët dhe të dlirë. Ata sy…
Këtu më lejoni sot t’i them Meritës sonë se sytë e saj ishin të magjishëm.
Sa ëmbëlsi rrezatonin dhe sa zjarr kishin aty ata sy.
Askush nga ne nuk e përballonte dot vështrimin e syve të saj.
Ishin sy tepër gazmorë, por edhe aq të hijshëm.
Kur qeshnin sytë e saj, dije se kishte qeshur shpirti i saj i bukur.
Nuk i pashë njëherë ata sy të trishtueshëm.
Të vegjël ishim adoloshentë, por sytë tanë mundoheshin të “vidhnin”, qoftë edhe për disa çaste magjinë e syve të saj.
Edhe nga fotografia e sotme, po ata sy atë më shprehin, mirësinë dhe një qortim:
-Pirro e more vesh që isha afër teje diku tek “21 Dhjetori” dhe nuk erdhe të takoheshim edhe njëherë si dy shokë, si dy zogj të vegjël të çiltër, si dikur, kur cicëronim në oborrin e “Koto Hoxhit”.
Ja ky qortim më vret shumë, Merita e jonë!
-Më fal, të lutem më fal, e bëra këtë gabim, mendova se do të të kishim më gjatë këtu, por ti u hodhe në krahët e përjetësisë.
Dhe për çudi më erdhi përgjigja e Meritës sonë të bukur:
-Të kam falur Pirro, por me kujtoni ju, Ludi, Thalja, Fatbardha, Ana, Tasha, Liljana, Eli, Katerina, Panoreja dhe sokaqet e Gjirokastrës… Në çdo sebep trokiteni një gotë të vogël me shpirtin tim. Unë do ju jap bekimin nga lart…