Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: BETEJA E LËKURËSIT

 

 

(Në përkujtim të 144 vjetorit të betejës së parë të Lëkurësit të zhvilluar nga 27 shkurti deri më 4 mars 1878 në tentantivë të trupave greke për të kapur plazdarmë toke shqiptare, që mbahej nga osmanët edhe pse ishin në grahmat e fundit të perandorisë së tyre. Beteja u zhvillua vetëm pak muaj para se të zhvillohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit e 10.6.1878, organizim politiko-ushtarak i parisë së katër vilajeteve shqiptare, që kishte për objekt themelor ruajtjen nga copëtimi të trojeve etnike të banuara nga shqiptarët. Rezultati i betejës: fitore e shqiptarëve dhe tërheqja e bandave andarte)

 

Labëria ka ditur ta mbrojë me gjak e mençuri truallin e vet edhe kur nuk kishte shtet, edhe kur ishte nën pushtim, edhe në situatat më tragjike të kombit, edhe kur sulltanë dhe zullumqarë e ziliqarë kanë dashur ta fusnin nën pushtim një truall me njerëz të papueshtueshëm dhe të papërkulur. Këtë kanë bërë përpjekje që ta dokumentojnë e shkruajnë dhjetra autorë të huaj dhe të vendit si Mexhit Kokalari që ka qenë edhe profesor i I. Kadaresë e D. Agollit (1947-1952), Resul Bedo, Zeqo Cama, Gëzim Zilja, Luan Gërveshi, Shyqyri Hysi, Bernard Zotaj, Petrit Puli mësues nderi dhe krenari e Zhulatit historik, i mirënjohuri Mitat Kondi që solli në këngë të qëmtuara nga mençuria labe të dy trevave të Krahinës së Kardhiqit e të Rrëzomës botuar në “Këngë popullore nga rrethia e Kardhiqit dhe e Rrëzomës”, (botim i IKP pranë Akademisë së Shkencave, Nr.5, 1986) dhe dhjetra pena që kanë lëvruar historiografinë.

144-vjetori i betejës së Lëkurësit është rregjistruar para së gjithash në vargun e popullit kur thotë “Shkurti më njëzet e shtatë, u ndez lufta me andartë, në Lëkurës e në Gjashtë, luftë ditë e luftë natë…”. Emrin ia vendosën “kryengritja e Epirit” edhe pse gjetkë ishte “kuzhina” ku gatuhej lëvizja për zgjerimin e territoreve helene. Në kohën që zhvillohej lufta ruso-turke (1877-1878), oficerë grekë mbështetën kryengritjen, qeveria greke që e “hiqte vallen” sipas konjukturës së gjendjes ndërkombëtare vendosi të mos ta mbështeste atë. Kryengritja pushoi përfundimisht menjëherë sapo përfundoi lufta ruso-turke. Kjo luftë kishte filluar më 24.4.1877, kur Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane dhe pas disa betejash u duk qartë humbja e osmanëve përballë rusëve. Kjo çoi në atë që qarqe jozyrtare greke e vlerësuan si një mundësi të madhe për të nxitur një revoltë në disa zona të Perandorisë ndaj të cilave Greqia kishte pretendime territoriale si Epiri, Thesalia e Kreta. Më 1877 në Greqi ishin themeluar dy organizata që të organizonin kryengritje në Epir: “Mbrojtja Kombëtare” dhe “Vëllazëria”. Menjëherë ju vunë punës për të krijuar grupe vullnetarësh, të mblidhnin ndihma dhe armë, ku në dhjetor 1877 qenë gati të udhëhiqnin kryengritjen dy gjeneralë të ushtrisë greke: Mihal Spiromilo nga Himara dhe Dhimitër Boçari, që ishte i biri i Noti Boçarit që kish marrë pjesë në ngjarjet luftarake të vitit 1854 në Jug të Vilajetit të Janinës.

Fakt është se Lufta ruso-turke përfundoi me traktatin e Shën Stefanit (ose të Yeshilkojit, pranë shkollës së aviacionit në Jug të Stambollit të sotëm) më 3 Mars 1878, ku gjysma e tokave shqiptare i jepej Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi. Por Greqia që nuk merrte gjë nga ky traktat dhe mbetej në kufijtë e mëparshëm, prandaj edhe nxitoi të përfitonte nga shpartallimi i osmanëve në Ballkan. Banda të organizuara qysh para Traktatit mësynë në Jug të Shqipërisë për ta pushtuar atë e për ta bërë fakt të kryer aneksimin e tij. Kështu më 27 shkurt 1878, një bandë prej 150-200 vetash zbarkoi në 2-3 pika në Sarandë. Këtyre iu bashkëngjitën edhe rreth shtatëqind vullnetarë të tjerë nga Korfuzi, që komandoheshin nga dy kolonelë Lapa e Jorgji Stefani, bashkëfshatar i shqiptarit të madh Sokrat Leka, por i vënë në shërbim të flamurit grek. Vargu i lajmëtarit popullor e ka gdhendur ngjarjen: “Të xhumanë që me natë,/në Korfuz, një konsullatë,/shkruan dhe dërgon një kartë:/Kush është djalë, më këmbë,/të hidhet të zërë vëndë,/se del greku në Sarëndë”! Synimi ishte i qartë që të vinin nën pushtim Sarandën, Vurgun, Qafën e Gjashtës, Lëkursin e manastirin e shën Gjergjit. Ndërkohë kushtrimi ishte dhënë. Luftëtarët e të gjitha krahinave, pleqësitë e komandantët e çetave u organizuan dhe marshuan drejt Sarandës për mbrojtjen e Lëkurësit nga pushtuesit e rinj.

Në luftë e sipër bashkë me krijimin e çetave, lindën dhe këngët patriotike, që ishin thirrje për organizim e qëndresë ndaj bandave greke, që i ishte bashkuar edhe ndonjë i paguar arnavut. Ka edhe nga ata fqinjë shkrues që ngatërrojnë shqiptarinë me disa të shitur “për pesë aspra”, që shpirtin e shesin për para, sepse zbarkimi i bandave të andartëve nuk ishin himarjotë dhe as bregdetas, që nuk kanë lidhje fare me shqiptarinë.

Shqiptaria e vërtetë ishin ata luftëtarë të paepur që ditën ti tregonin vendin kujdo që kërkoi të shkelte tokën shqiptare, kalanë e Lëkurësit, si pikë strategjike të ushtrisë turke, por që për të çliruar do të duhej gjaku i djemve të çetave të kurveleshit, djalërisë labe, të inkuadruar si vullnetarë dhe si redifë në radhët e ushtrisë osmane nën komandën e Ibrahim Pashës të ardhur nga qendra e Vilajetit nga Janina. Osmanët kërkonin përjetësim të pushtimit, shqiptarët lirinë e truallit të tyre. Vallë ishin nisur të çlironin Himarën, kryeqendrën e dikurshme të Labërisë, zemrën e atdhetarisë së kapedanëve të Labërisë që nuk falnin asnjë armik të shqipes?. Një teori e tjerrur, ndërkohë që zbarkuan në Sarandë në kalanë e Lëkurësit dhe morën drejtimin e Delvinës, në fshatrat Dhivër e Karalibe, por jo në Himarë, sepse “Himarjotët që s’falin as mikun,/E si mund ta lenë te gjallë armikun” shkruante Bajroni për himarjotët. Toka shqiptare, truall arbëror është trashëgim dhe amanet i gjakut të të parëve dhe nuk mund të bashkohet me shtetin grek.

Shqiptarët luftonin për mbrojtjen e tokave të tyre. Ata kishin shpresë se me përkrahjen osmane për autonomi ndoshta të cunguar. Ndërkohë që rreziku i vërtetë për kohën kur zhvilloheshin ngjarjet, ishte rreziku grek, sepse këto toka do t’i aneksoheshin Greqisë dhe do të ndodhte ashtu si ndodhi me Artën e Prevezën që pas “çlirimit” nga Perandoria Osmane, shqiptarët u vranë, u dëbuan ose u detyruan të kthehen në fenë e krishterë. Politika e aneksimit të Jugut të Shqipërisë, që kishte filluar me “Megali Idenë” në vitin 1844 do të vazhdonte deri në vitin 1945 me tragjedinë çame, ku shtrembërimi i të së vërtetës dhe fakteve historike është i dukshëm, i prekshëm dhe i lexueshëm. Fakt është se labërit nuk luftuan nën komandën e Ibrahim Pashës, por u organizuan në bazë fshati e krahine për dëbimin e bandave greke, prandaj kjo është përjetësuar edhe në këngët popullore të Jugut, ku qartësohet se në luftën e Lëkurësit mori pjesë, jo vetëm Labëria, por edhe Himara me kapedanët e saj. Nëse në anën greke kemi renegatin qeparotas Jorgji Stefanin, në anën e shqiptarëve kemi qeparotasin e famshëm Sokrat Leka, që e vërteton vargu i popullit: “Sa zbret greku në Sarëndë,/Sokrat Leka pallë-ergjëndë,/Në ëmër të Bregdetit,/I bën haber vilajetit:/‘’Të gjithë jemi në këmbë’’..Djemtë e Bregut suferinë,/Luftuan brinjë më brinjë,/Me hasmin që kemi fqinjë,/Ngre kumandari dulbinë,/Dhe sheh xhamadan zinë,/Fajkoin Kostë Gjikëdhimë,/Kur hidhej si vetëtimë…Mu tek kisha në Metoq,/Se ç’u vranë dy pilurjotë,/ I qajnë nënat me lot..”. Dhe vargje e këngë rreth luftimeve janë me shumicë në gjerdanin e kulturës sonë kombëtare e krahinore. Epopetë e trimërisë dhe mbrojtjes me gjak në çdo fshat të Labërisë janë me shumicë për gjithë shqiptarët. Fshatrat Zhulat, Fushëbardhë, Tatzat, Kalasë, Rrëzomës, flasin për betejën e Lëkurësit që ishte përballja e përgjakshme për jetë a vdekje, ku një ndër epopetë më të mëdha të gërmëzuar në mendjen e popullit është beteja për Lëkurësin e 27 shkurtit 1878, që grekët me synime aneksioniste “ngelën” edhe ata në këngë: “Jorgos dhëndërr i Rusisë,/ dil të shoç djemt’ e Labërisë,/me jelekë, por pa këmishë,/e marrin plumbin në sisë…, që u kushtohej djemve luftëtarë të Zhulatit historik, Fushëbardhës dhe gjithë fshatrave të trevës së Labërisë. “Në xhuma që me natë,/Vjen një ulurimë e thatë./Thanë, u vranë zhulatë,/Dyzet e gjashtë mandatë./Kush lufton përposh në Gjashtë,/Idriz Palla vet i shtatë,/Mbi udhë poqën lazaratë,/Briti Idriz Alidhima,/Përpjetë, o burra, o trima,/Atje ku gjëmon martina…”.

Luftë dhe kushtrim, qëndresë dhe përgjakje në mbrojtje të truallit shqiptar, por dhe mjaft të rënë shqiptarë nga e gjithë treva e Labërisë. Vlen të sjellim në vëmëndje të rënët e gjithë fshatrave që lëshuan kushtrimin për qëndresë, ku u bënë bashkë sikurse historikisht fshatrat e Labërisë dhe të Bregdetit, që realisht kanë qenë të bashkuara në luftë kundër osmanëve dhe pretendimeve tokësore të grekëve, një traditë e bashkimit dhe e bashkëveprimit, që poeti nuk e ka lënë pa e përjetësuar në vargje: “Ç’u ngrinë, shokë ç’u ngrinë,/Lum i Vlorës tremijë,/Në Kuç e mbëlodhë fuqinë,/Kaptuan Shënvasinë,/Ranë te rrapi në Delvinë,/Me britma me sokëllimë./Qafës së Gjashtës ju ngjitnë,/Dhëmb për dhëmbë me morainë…”.

Fatkeqësisht kronikanët e luftrave shqiptarët i kanë pasur mjaft të rrallë, por Labëria që e ka në gjak krijimtarinë popullore dhe ngritjen e këngëve të kënduara edhe direkt në frontin e luftës, në pushimet e luftimeve flasin qartë për betejat, pjesëmarrësit në luftime, qëllimet, vijat e luftimit, taktikat, strategjitë, pikësynimet, vijat e mbritura, bashkëpunimin, armatimi dhe municioni, rrethanat politike, luftrat përreth Vilajeteve, të vrarët dhe të plagosurit nga të dy palët etj. Rapsodët labë edhe në Akademi Ushtarake të kishin studjuar më bukur nuk do ti kishin përshkruar: “Kush u vra përposh në Gjashtë,/Progonatë dhe Zhulatë,/Lum’ i Vlorës jo të pakë,/Shtat’ a tet’ të Dukatë,/Kurvelesh, hallall e pastë,/Trima, të Lazaratë!,/Rakip Demo bajraktari,/u plagos në Gjashtë i pari,/ Mu në këmbë i doli xhani,/Kush e njeh Islam Fterrë,/Bën uxhum(sulm) përmbi banderë(flamur në turqisht),/Grekërit me shtish (thike) i therë,/Gjak u mbush e shkreta Gjashtë,/Progonatas e Zhulatë, Përballja e përgjakshme deri në përleshje trup me trup pati në Lëkurës, Qafë Gjashtë, Karalibe, Dhivër, etj, ku çdo përllëmbë tokë shqiptare është larë me gjak të pastër dëshmorësh nga Zhulati, Fushëbardha, Fterra, Lazarati, Rëzoma, Kardhiqi, Picari, Kolonja, që do të na duhet të bëjmë apelin e çdo fshati të Labërisë e më gjerë, apelin e atyre çetave që shkruan një epope lavdie e trimërie në flamurin arbëror, dhe në fakt luftimet e kësa periudhe bënë që bandat andarte greke të tërhiqeshin me turp, por duke mos harruar synimet e “Megali Idea” greke (1844 programi ekspasionist) dhe “Naçertania” serbe (1844 projekti “Serbi e Vjetër” i I. Garashanin) në harmoni me njera-tjetrën.

Kujtimi i brezave zbulohet me detaje nëpër këngë, që shkon më 1828 deri 1947, kur me mijëra lebër në kuadrin e kryengritjeve antiosmane luftonin në disa drejtime. Luftrat e ashpra vijuan në shekuj e dekada më 1852-1854, në 1878-1881 e deri në pavarësi më 1912. Në fushëbetejë më 1854 përtej Vilajetit të Janinës, në Mecovë ranë Bajo Kazo dhe Habip Xhuvani.

Në luftën për trojet shqiptare në Mal të Zi më 1852, kishin rënë për truallin arbëror bashkë me kryekomandantin e çetave të Labërisë Zenel Gjoleka dhe disa dëshmorë fushëbardhas, ku sipas gojëdhënës ku nga rreth 2000 veta që kanë qenë pjesëmarrës në formacionet luftarake që shkuan nga Labëria 800 ranë “shehit/dëshmorë” dhe 1200 vetë u rikthyen në vatrat labe. Në luftën e Palavlisë, në Bradhomë të Rrëzomës dhënë jetën 4 dëshmorë fushëbardhas Sadik Memushi, Skëndo Xhuvani,  Myrteza Sulli e Musa Robi. Prandaj poeti shkroi këngë trimëritë: “Kush u hodh proto i pari,/ Sadik Memush bajraktari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë,/ai bën sikur se pa,/fora bëri jataganë,/për vatanë o të vdekur, o të gjallë,/ Skëndua me Myrtezanë,/Musa Robi derdhi gjakë..”. Në luftën e Lëkurësit të 1878 ranë për mbrojtjen e trojeve nga Zhulati që përfshinte fshatrat nga Zhulati, Fushëbardha e deri në Lëkurës pati rreth 90 të vrarë, nga gjithë çetat 46 të vrarë nga Baltëza, 10 dëshmorë nga Fushëbardha: Hair Idriz Stefani, Idriz Ymer Alidhima, Sali Sabri Isufi, Kasëm Xhafer Gjoni, Osman Jaho Deçka, Shahin Muhamet Veliu, Abedin Balil Muho, Seit Selman Dobro, Shahin Shaban Memo e Mato Hasan Asllani. Prandaj dhe kënga përcillat në breza: “Flet Mehmeti me Rakipë, nga Luvadhi në Delvinë,/Fushëbardhasit arrinë,/në betejë u vranë, u grinë,/jetën e dhanë për Shqipërinë.. Ndërsa lebërit i vijuan betejat për mbrojtjen e Janinës në Vilajetin e Janinës më 1913 në luftimet e Grebenesë, në Pesë Puset, në Bezhan ku ranë dëshmorë bijtë e Labërisë Rustem Shalari, Muho Cama, Resul Peçi, Islam Zyber Kondi. Ndërsa në luftën antiandarte më 20-25 qershor 1914 ranë Halil Huto Sullo, Dalip Braho Kondi, Halil Vesel Nora, Rizal Hasan Muho, Sejdi Dule Baho, Surja Hasan Tefa, Cenko Belul Onjea, Mete Xhike Jonuzi, Haxhi Zeman Muxhai nga Zhulati, luftuan bashkë në Skërficë me 120 luftëtarë, nga të cilët emri dëshmorëve për kombin ngeli në memorial lirie. Por historia duhet të nxjerrë nga sepetet dhe të flasë për trimëreshën e Zhulatit Merjeme Koro që u masakrua me thika e bajoneta në 1914-ën, për Maliq Binerin dhe Asllan Gjoçën që u vranë në Hon, për Birçe Çiço, Abaz Puli, Mystehak Bineri etj, “për tetë gra dhe një vajzë” të masakruara (sipas M.Kondi e P.Puli, që meritojnë nxjerrje në dritë të këtyre ngjarjeve tragjike), për gra burra e fëmijë të Labërisë që janë masakruar vetëm se ishin shqiptarë të pabindur të lëshonin truallin e tyre.

Për tu rikthyer tek Beteja e Lëkurësit, sepse të gjitha betejat kanë unitetin e gjakut të rënëve që i mbajnë të trupëzuar bashkë me qëllimin madhor të kombit, sepse në 10.6.1878 është ngjarje madhore shqiptare e ‘’Lidhjes së Prizrenit’’ si bashkim i madh i shqiptarëve për të mbrojtur truallin shqiptar në të gjithë hapësirën shqiptare duke kundërshtuar fuqishëm vendimit të Fuqive të Mëdha dhe Osmanëve, që ua falte trojet shqiptare fqinjëve. Fajet e Fuqive të Mëdha kanë më se një shekull që i heqin shqiptarët. Por maksima proverbiale shqiptare e drejta vonon por nuk harron dhe se “e drejta zhytet por nuk mbytet” është postulat që nuk ka forcë në botë të ndryshojë.

Historia nuk njeh asnjë nga kombet e gadishullit Ballkanik që të kenë dhënë kaq shumë dëshmorë sa kombi shqiptar, sa me të drejtë thuhet: “Popullin shqiptar dëshmorët e kanë bërë komb, sepse ai është është djegur e zhuritur e përsëri është ringritur. Filozofi francez Hyppolyte shkruante se: “Ne jetojmë në sajë të burrave të mëdhenj dëshmorë dhe atyre u jemi mirënjohës, ne administrojmë të mëdhenjtë e vdekur për kombin”. Edhe sot pas 144 vitesh nga betejë e përgjakshme në Lëkurës, Gjashtë e Sarandë ende vijnë oshëtimat jehonë të këngës labe: “Lëkurs përmbi Sarandë,/Këndojnë fort dyfekët tanë…”.

Please follow and like us: