Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Teatër politik botëror përballë pushtimit të Ukrainës

Habitem me atë teatër botëror që na e shfaqën në media politikanët e sotëm të nivelit më të lartë.
Prej muajsh dhe prej vitesh perëndimorët u zbythën para një autokrati vulgar dhe barbar, si Putini. Është shfaqja më lakuriqe sfiduese e muskujve, e muzhikut rus, e forcës së armatave, bajonetave qindra mijëshe, e armatimit të sofistikuar. Dhe në anën tjetër… aristokracia e balerinëve të diplomacisë. E utopisë së sanksioneve. Reagimi i të pafuqishmëve, i të përçarëve.
Jemi tashmë ballë një kufiri ku forca u ka thënë mbylleni gojën fjalëve, politikave, diplomacisë. Tani shpatat janë zhveshur, bajonetat janë ngrehur, tani logjika politike është shkelur. Logjika e përballjes është prej kohësh në skenë… si në Çeçeni, si në Gjeorgji, si në Oseti, si në Krime.
Të gjitha këto përballje i ka fituar Putini.
Ai e zotëron deri më sot përballjen me trupa. Përballjen me gjak, përballjen me nëpërkëmbjen e ligjeve ndërkombëtare. Ai deri më sot ka triumfuar mbi ligjin, ka sfiduar ekuilibrat që e mbajnë në këmbë rendin botëror.
Pala tjetër përballë tij e ka toleruar, është tërhequr, e ka kërcënuar me “sanksione”. Ai – fitimtar në fushë beteje… ata ballë tij të humbur në luftën virtualisht, në përballjen me sanksione.
Tani, sulmi mbi Ukrahinë, njëherësh është dhe një de javu, po dhe tejkalimi i çdo kufiri…
Vallë ballë tij prapë do të kemi vetëm deklarata, vetëm “sanksione” , vetëm fjalime, vetëm deklarata, kur në tokë, në kundërvënie të fjalëve, diplomacive janë predhat, aeroplanët, raketat?
Please follow and like us: