Artur Spanjolli: Solidaritet i plotë me popullin ukrainas!
Po populli rus ç’bën? Si reagon? Gjumë të turpshëm? Mpirje? Heshtje? Krimineli Putin dukej qartë se do ta bënte një agresjon të tillë. Përkundrazi, habitesha se si e çoi kaq gjatë. Njerëz si ai e kanë luftën në ADN. Çfarë ka ky njeri? Frustracionin e inferiorit? Gjatë historisë e njohim Rusinë si një popull që nuk sulmon kurrë, por di të mbrohet. Ata e sprapsën Napoleonin, po ata ndaluan Hitlerin dhe i shkuan nazizmit deri tek strofkulla e tij gjatë mësymjes përfundimtare duke e azgjesuar atë. Populli rus hesht. Vetëm ato më të zellshmit dhe me kurajo ngrihen në proteste dhe arrestohen nga policia. Falë dhunës Kremlini ka popullin me vete. Demokraci është kjo? Me siguri mes popullit gjenden asnjëanësit, gjenden edhe flamurtarët e mendjemadhësisë ruse. Sa mirē! Rusia po i tregon muskujt botës kush jemi? Krenaria ruse po “fiton pikë” në opinionin botëror? Turp. Por këto “pikë” janë gjaku i civilëve që derdhet nëpër rrugë. Një popull që nuk hidhet nëpër rrugë dhe sheshe duke protestuar, është një popull i pandërgjegjësuar, i pandërgjegjshëm, një popull i vogël dhe egoist. Një popull që sheh veç interesin e ngushtë dhe thellë-thellë ndoshta mbushet me një krenari të sëmurë për atë ç’po ndodh. Turp i madh me ç’po ndodh në Ukrainë. Të sulmosh më të dobëtin është gjithmonë një akt i ndyrë, prej burracaku. Solidaritet i plotë ndaj popullit ukrainas. Është e vërtetë që luftën e bëjnë peshkaqenët, për interesat e tyre prej miliarda florinjsh. Ndaj populli nuk ka faj. Populli rus nuk ka faj?! Por nëse heshtja e një popullsie kaq të madhe do të vazhdojë, atëherë janë fajtorë. Fajtor është opinioni publik. Rrugët duhet tê mbusheshin me protestues. Të cilët bëhen përgjegjēs dhe bashkëfajtorë për zgjedhjet e peshkaqenërve të Kremlinit. Nuk mjaftuan dy vjet pandemi?! Kjo tregon ndoshta se civilizimi është veç një përrallë e bukur. Njeriu nuk qyteterohet kurrë. Ai veç ka periudha paqeje dhe prosperiteti, për t’u egërsuar pastaj sërish. Ky kriminel me emrin Putin, po sfidon Europën, NATO-n, Amerikën dhe mbarë botën me zgjedhjet e tij agresive. Solidaritet i plotë me popullin ukrainas.