SHBA: AGRESIONI RUS KA OBJEKTIV PRESIDENTIN E UKRAINËS
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se beson se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, është “objektiv kryesor i agresionit rus”.
Më 24 shkurt, Rusia ka nisur një sulm të gjerë ndaj Ukrainës. Sulmi gjatë ditës së parë ka lënë dhjetëra të vrarë.
“Presidenti Zelenskiy përfaqëson në shumë mënyra, madje edhe personifikon, aspiratat dhe ambiciet demokratike të Ukrainës të popullit ukrainas. Pra, sigurisht, ai do të mbetet një objektiv kryesor për agresionin rus,” tha zëdhënësi, Ned Price për CNN.
Price theksoi se autoritetet amerikane kishin thënë për javë të tëra se agjentët rusë tashmë ishin infiltruar në Ukrainë dhe se “po vepronin brenda”.
Zelenskiy i bëri jehonë komenteve të SHBA-së në Kiev.
“Ne kemi informacione se armiku më ka shpallur mua objektivin numër një dhe objektivin e familjes sime numrin dy,” tha ai në një video-mesazh.
Ai tha se kishte raporte të rreme që ishte larguar nga Kievi .
“Unë po qëndroj në kryeqytet, duke qëndruar me njerëzit e mi,” tha ai.
Ai tha se nuk i lejohej të thoshte saktësisht se ku po qëndronte.
Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Rusia njoftoi se ka nisur “një operacion ushtarak” për siç tha, “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete në mbarë botën e kanë dënuar veprimin ushtarak rus ndaj Ukrainës dhe janë zotuar se do të vendosin sanksione të ashpra ndaj Moskës.