Rusisë i vendosen sanksione të ashpra
Në një deklaratë të përbashkët udhëheqësit e Komisionit Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja për Rusinë.
Një prej masave është edhe përjashtimi i bankave ruse nga sistemi SWIFT, një sistem i pagesave ndërkombëtare.
“Kjo do të sigurojë që këto banka të shkëputen nga sistemi financiar ndërkombëtar dhe të dëmtojë aftësinë e tyre për të operuar në nivel global”, thuhet në njoftimin e përbashkët.
Një masë tjetër kufizuese që pritet të vendoset është edhe pengimi i Bankës Qendrore Ruse të vendosë rezervat e saj ndërkombëtare në mënyra që minojnë ndikimin e sanksioneve të këtyre shteteve.
Komisioni Evropian, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara zotohen se do të angazhohen që të veprojnë po ashtu kundër njerëzve dhe subjekteve që lehtësojnë luftën në Ukrainë dhe aktivitetet e dëmshme të qeverisë ruse.
Mes tjerash po ashtu paralajmërohen sanksione financiare ndaj zyrtarëve dhe elitave ruse të afërta me qeverinë e Rusisë, si dhe familjeve të tyre, si dhe mundësive të tyre për të identifikuar dhe ngrirë pasuritë që ata mbajnë në juridiksionet e këtyre shteteve që paralajmëruan vendosjen e sanksioneve.
Në njoftim po ashtu thuhet se do të rritet koordinimi kundër dezinformimit dhe formave të tjera të luftës hibride.
Që nga nisja e aksionit të pushtimit të Ukraninës, Rusisë i janë vendosur një serë sanksionesh nga shtetët përendimore.
Ato së fundi, kanë dhuruar edhe ndihmë ushtarake për Ukrainën duke përfshirë anti-tank dhe armë kundërajrore.
Çka është SWIFT dhe pse është i rëndësishëm?
SWIFT është një platformë e sigurt komunikimi që përdoret nga bankat, ndërmjetësuesit e bankave dhe institucionet financiare që dërgojnë dhe pranojnë informacione, të tilla si udhëzime për transferimin e parave jashtë vendit apo për tregtimin e letrave me vlerë.
Megjithatë, përmes kësaj platforme nuk bëhet transferimi dhe ruajtja e parave.
Shembull, nëse një kompani gjermane blen gaz natyror rus, ajo duhet të paguajë për një produkt të tillë. Ajo mund të transferojë para nga një llogari bankare gjermane në llogarinë e një firme ruse në një bankë në Rusi, duke vendosur numrin e llogarisë së pranuesit të parave dhe kodin SWIFT.
Kompania gjermane më pas dërgon një mesazh nga llogaria e saj gjermane përmes sistemit SWIFT në bankën ruse, duke thënë se transferi i parave po ndodh. Më pas, kur fondet arrijnë në mënyrë elektronike, kompania ruse mund t’i tërheqë ato.
Përdorimi i kodeve të standardizuara për udhëzime të SWIFT-it u mundëson bankave që të bëjnë më shpejt pagesat.
Rreth 11,000 institucione financiare në mbi 200 shtete dhe territore përdorin SWIFT-in. Përmes kësaj platforme, gjatë këtij viti janë dërguar mbi 10 miliardë mesazhe, duke ndërmjetësuar pagesat në vlerë prej trilionë dollarësh.
Para SWIFT-it, bankat përdornin sistemin “telex” për të komunikuar informacionet financiare. Ky sistem, ishte i bazuar në qarqe të vjetra telegrafike dhe ishte sistem i ngadaltë, jo lehtë i përdorshëm dhe i pasigurt.
Prandaj, SWIFT-i u krijua më 1973.
Sot, SWIFT-i është një gjigant në industrinë e komunikimit financiar falë lehtësisë së përdorimit, shpejtësisë dhe sigurisë. Ai mund të ndihmojë bankat që të kryejnë pagesa jashtë vendit në më pak se pesë minuta dhe po ashtu ofron edhe gjurmim të tranfereve.
Në pronësi të kujt është SWIFT-i?
Me seli në Belgjikë, korporata është në pronësi të bankave anëtare dhe ka një bord të drejtorëve prej 25 anëtarësh. Aktualisht, pjesë e këtij bordi është edhe një shtetas rus. Organizata mbikëqyret nga grupi i bankave qendrore, i njohur me akronimin G10 – Belgjika, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Holanda, Britania, Shtetet e Bashkuara, Zvicra dhe Suedia – dhe po ashtu edhe Banka Qendrore Evropiane.