Shaban Murati: A ka mundësi që rreziku i një kërcënimi rus të përshpejtojë proceset integruese në BE të Ballkanit?
Shaban Murati
Çfarë pritet të ndodhë pas invazionit, si mendoni do vijojë kjo situatë?
Invazioni i ri rus në Ukrainë brenda dy ditësh arriti objektivin kryesor të Kremlinit. Presidenti i Ukrainës u detyrua të ofrojë si rend dite bisedimesh me Rusinë pushtuese neutralitetin e vendit të tij, që do të thotë mos hyrjen e Ukrainës në NATO. Por Moska do të kërkojë me tepër se kaq, sepse Ukraina është në gjunjë dhe në pamundësi t’i rezistojë agresionit rus. Kjo do të thotë që Moska do të kërkojë shkëputjen e të ashtuquajturave republika të Donbasit, siç përcaktoi Putini në fjalimin e tij të 21 shkurtit, jo në kufijtë e ngushtë që kanë prej 8 vitesh, por në kufijtë administrative që kanë në shtetin e Ukrainës. Përveç kësaj Moska mund të përpiqet që të imponojë forma të ndryshimit të regjimit në Kiev dhe të sjellë një garniturë qeveritare proruse. Kjo do të thotë se dinamika e konfliktit do të shkojë drejt uljes, në raport të drejtë me lëshimet e mëdha që Moska do të shkëpusë tani nga Ukraina. Faza e luftës duket mori fund dhe tani nis faza e bisedimeve të paqes midis fitimtarit dhe të mundurit.
A është pa faj Perëndimi?
Perëndimi nuk mund të konsiderohet se ka ndonjë faj në agresionin rus në Ukrainë, sepse Putini 70 vjeçar do ta ndërmerrte ndërhyrjen e planifikuar prej kohësh në Ukrainë se ai nuk ka më kohë të humbë për realizimin e ambicies së tij imperiale të ribërjes së Bashkimit Sovjetik, qoftë edhe një formë më të reduktuar. Në fjalimin e tij të 21 shkurtit, ku shpjegoi pikëpamjet dhe politikën e tij ndaj Ukrainës, presidenti rus e nisi që nga akuza për themeluesin e shtetit sovjetik Leninin për politikën e gabuar nacionale të tij që gjoja kishte dëmtuar Rusinë dhe e mbylli me akuzat ndaj Perëndimit, që gjoja e bëri Ukrainën rrezik për sigurinë e Rusisë. Ndërhyrja e tanishme ushtarake e Rusisë në Ukrainë është vazhdim i shahut gjeopolitik me Perëndimin të nisur në vitin 2014 me BE, kur ishte përplasja e parë gjeopolitike ruse me BE dhe përfundoi në përplasjen e dytë gjeopolitike tani me NATO-n. Gabimi i Putinit është se i kërkoi NATO-s heqjen dorë nga parimi themelor i të drejtës për zgjerim me çdo shtet që e kërkon anëtarësimin në NATO dhe nuk u kufizua vetëm në kërkesën për mos hyrjen e Ukrainës në NATO. Putini dhe çdo shtet e dinte fare mirë se NATO nuk mund të anëtarësonte Ukrainën, përderisa ajo kishte krahina të pushtuara nga Rusia në lindje të vendit. Gabimi i Perëndimit mund të quhet fakti që e bëri Ukrainën shembull të konkretizimit të së drejtës për zgjerim, në një kohë që dinte se Ukraina ishte shtet i amputuar nga Rusia.
A rrezikohet Ballkani, konkretisht Kosova që na intereson drejtpërdrejt?
Pasoja në Ballkan e agresionit të ri rus kundër Ukrainës pritet të jetë një intensifikim i fushatës ruse të ndërhyrjes në punët e brendshme dhe të tensioneve në vendet e rajonit, sidomos në vendet e NATO-s. Së dyti, mendohet të pasojë një agresivitet më i madh i Serbisë dhe i presidentit të saj, të cilët mund të mendojnë se me situatën e re ukrainase duhet të rrisin pretendimet e tyre aneksioniste si për rastin e “serpska republikës”, ashtu dhe për rastin e Kosovës. Nuk mendoj se Ballkani rrezikon ndonjë ndërhyrje direkte të forcave ushtarake ruse, sepse Rusia nuk ka interes dhe mundësi të konfrontohet me NATO-n në rajon. Ballkani rrezikon ndërhyrje të reja të formave të luftës hibride ruse në rajon për të dobësuar shtetet anëtare të NATO-s dhe për të rritur influencën ruse në këto vende.
Mendoni që ky nivel i sotëm i kërcënimit rus ne Ballkan do ta shtyj perëndimin të përsheptojë integrimin e vendeve të këtij rajoni ne BE, përkatësisht Shqipërisë?
Nuk jam i bindur se BE do të nxjerrë mësimet e duhura nga agresioni i ri rus dhe do të shpejtojë integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Duhet të kemi parasysh se përplasja e parë gjeopolitike ka qenë midis BE dhe Rusisë për anëtarësimin e Ukrainës në BE në 2014, kur ndodhi ndryshimi i regjimit në Kiev në fillim në favor të Rusisë dhe pastaj në favor të BE. Por BE nuk i shpejtoi ritmet e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në radhët e saj. Që nga 2014 e agresionit të parë rus në Ukrainë BE nuk ka pranuar asnjë shtet nga Ballkani Perëndimor. Kjo vjen edhe nga fakti se shtetet e BE nuk kanë kohezion qëndrimi ndaj Ballkanit Perëndimor dhe as ndaj interesave dhe politikës ruse në rajon./gazeta dita