SHBA, 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën
Presidenti amerikan Joe Biden udhëzoi Departamentin e Shtetit të japë 350 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën ndërsa ajo Lufton për të zmbrapsur agresionin rus. Në një memorandum për Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, zoti Biden urdhëron që 350 milionë dollarë të akorduara përmes Aktit të Ndihmës së Jashtme të caktohen për mbrojtjen e Ukrainës. Ukraina ka kërkuar armë antitank Javelin dhe raketa Stinger për të rrëzuar aeroplanët rusë.
Të shtunën, Sekretari i Shtetit Blinken tha në një deklaratë se ky autorizim i tretë për dërgesat e armëve në Ukrainë ishte “i paprecedentë”. Pentagoni tha se armët përfshijnë anti-blinda, armë të lehta dhe municione të ndryshme në mbështetje të vijës së parë të mbrojtjes të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara përdorën rezervat e armëve për të furnizuar Ukrainën në vjeshtën e vitit 2021 dhe më pas përsëri në dhjetor. Gjatë vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën, tha zoti Blinken.
Edhe vende të tjera kanë premtuar materiale ushtarake për Kievin. Holanda do të furnizojë Ukrainën me 200 raketa të mbrojtjes ajrore Stinger, tha qeveria holandeze në një letër drejtuar parlamentit të shtunën.
Belgjika ka premtuar 2,000 mitralozë dhe 3,800 ton karburant. Franca ka vendosur të dërgojë pajisje ushtarake mbrojtëse në Ukrainë, tha të shtunën një zëdhënës i ushtrisë franceze, duke shtuar se çështja e dërgimit të armëve të sulmit ishte ende në shqyrtim.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania njoftuan të premten se do të bllokonin pasuritë e Presidentit Vladimir Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, në një akt të paprecedentë për të detyruar zotin Putin të ndërpresë sulmin ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki la të kuptohet se sanksionet amerikane nënkuptojnë edhe ndalimin e udhëtimit të tyre në Shtetet e Bashkuara/VOA.