Rreth “punës” në Kosovë, punët kanë ecur fort mirë!
(sguraziu – ars poetica, shk 22 – koment)
(…demo-politikat dhe demografikat e Kosovës në fakt në dorë i paska “boja” e vulave gjermane – papunësia e Kosovës në v. 2021 ishte 25.8%, saktësisht e njëjta me papunësinë famëkeqe të Depresionit të Madh në ShBA, 25.6%)
***
Ambasada gjermane në Kosovë siduket na qenka në hall të madh, skjashmërisht e ngarkuar. Me gjasë dhe vetë Shkëlqesia e tij Ambasadori Rohde qenka duke i vërtitur 3 turne. Sepse tepër shumë punë dhe kërkesa, personeli o i vogël, o do jenë shteruar kapacitetet.
“Gjatë Janarit 2022, nga kosovarët ka patur rreth 50 mijë aplikime për viza pune në Gjermani” – thotë “Demos” e Prishtinës. Shtoja + 50 mijë aplikime për muajin Shkurt (anise s’ka mbaruar Shkurti ende, ka dhe 1 a 2 ditë), pastaj aplikimet për Marsin, Prillin, Majin… etj.
Hm, ambasadës më mirë t’i mbarojë “boja” për vulat sa më shpejtë (pa bojë s’kanë si i vulosin vizat, apo jo). Sepse nëse kështu vazhdohet me aplikimet i bie se do zbrazej dhe vetë Kina e vogël, pa le Kosovarlushja e maaaaadhe. Eh, sikur t’na i kishte sëpaku nja 10 milionë banorë (sëpaku aq sa Zvicra). Imagjino, nga 50 mijë aplikime muaj për muaj, 10 muaj aplikime dhe hooop gjysmë milioni “zbrazje”.
Në Gjermani veç e kanë gjetur mirëqenien e vet sëpaku nja 300 mijë shqiptarë (sëpaku, meqë shifer t’saktë s’kemi). Kosova i ka ~2 milionë banorë, Gjermania i mban mbi 8 milionë të huaj, mund t’i nevojiten dhe 8 milionë të tjerë. Njeriu nganjëherë sikur e ka të vështirë t’i “klasifikojë” dhe vetë prioritetet. Mjaft problematike. Psh. nga njëra anë mirënjohës që Gjermania ndihmon në punësimin dhe për mirëqenien e kosovarëve të papunë. Nga tjetra anë as zbrazja e Kosovës zor t’i pëlqejë kujt. S’do ishte e hijshme qe t’na ngelin vetëm gjyshet atje, invalidët dhe politikanët. Nëse kështu vazhdon me “politikat ambasadeske” të punësimit, ka gjasa dhe të ndodhë. Vallë cila zgjedhje pra ka përparësi këtu, cili prioritet t’na jetë “parësor”, e cili “dytësor”!
Duke ditur që Gjermania e “pangopur” për punëtorë (tekefundit deri sot s’është “ngopur” ndonjëherë), atëherë i bie që demo-politikat dhe demografikat e Kosovës në fakt i paska në dorë “boja” e vulave gjermane. Gjithçka na qenka në mëshirën e ambasadës. Kot mburrja e politikave kosovare (kot mburret Kryeministri, kot Presidentja) sikur gjoja rreth “punës” në Kosovë punët na kanë ecur fort mirë. Papunësia në Kosovë është vetëm “shifër” e statistikave…
Nëse kaq mirë qenkan punët me aplikimet e me vizat, sikur prirem të mendoj se gjermanët më mirë pra t’i “huazojnë” ata kosovarët e Zvicrës, sesa t’na e zbrazin Kosovën. Në Zvicër ka mbi 200 mijë, kosovarët atje dinë madje dhe gjermanisht. Që ditën e parë të punës do jenë komunikativë, njeriu merret vesh lehtë me ta, kur s’ka barriera gjuhësore dhe “efektivi” i punës do jetë 100%. Ok, sa për Xherdanat dhe këso yjesh të futbollistikave le t’i mbajë Zvicra (nëse t’i dhimbsen). S’i duhen mbase as Gjermanisë, kanë dhe vetë sa të duash futbollerë e Beckenbauerë.
Krijohet përshtypja sikur politikanët s’para i marrin statistikat dhe aq seriozisht, sikur s’e kanë “seriozitetin” e duhur rreth tyre. Ka sëpaku nja 2 dekada që papunësia e përgjithshme kosovare s’ka lëvizur dukshëm nga “shifrat”. S’jemi duke pretenduar kushedi çfarë, por për 20 vjet sëpaku t’na ishte përgjysmuar. Dy dekada s’janë dhe aq pak…
Psh. edhe Kryeministri Rama, lidhur me statistikat e “Indeksit të Korrupsionit”, justifikohej në Nju Jork duke thënë se nuk u besohet dhe aq statistikave të Indeksave. Janë të korruptuar edhe ata statistik-xhinjtë, vallë a nuk doli në pah kjo me atë Indeksin e Business-it. E saktë që ka korrupsion në Shqipëri, nuk mohohet fakti që “sistemet e shtetit shqiptar janë të penetrushme”, ama s’duhet ekzagjeruar as me Indeksat. S’kanë si e masin evropianët aq saktë “transparencën”, aq ulët s’na takon t’jemi në Indeksat.
Pra njësoj si z. Rama, edhe politikanët kosovarë mund t’jenë mjaft skeptikë. Ndoshta as “gjysmën” e realitetit s’e thonë statistikat e ASK*. Në fakt kemi sa të duash vende pune, kemi investuar aq shumë në zbutjen e papunësisë. Psh. secili kosovar i papunë shkon në ambasadë dhe aplikon për punë (ka sa të duash ambasada në Prishtinë). Për momentin më “atraktivja” është ajo e Gjermanisë. Duke qenë se ambasada gjermane ndodhet në Kosovë, dmth. defacto i bie që dhe “punën” kosovarët do e gjejnë në Kosovë.
* ASK (Agjencia e Statistikave të Kosovës) për 2021 thotë se papunësia ishte 25.8% – nëse shifrën e ASK ta “krahasojmë” (ashtu kot) me Depresionin e Madh të së dikurshmes, atëbotë shkalla e papunësisë në ShBA qe rritur nga 0% në v. 1929 në kulmin prej 25.6% në v. 1933 – imagjino, papunësia e Kosovës në v. 2021 ishte 25.8%, saktësisht e njëjta me papunësinë famëkeqe të Depresionit të Madh (në rregull, për cikërrimtarët duhet shtuar bishtin: nuk ishte “saktësisht” e njëjta, pasi në fakt ishte pakëz më e madhe).