Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Lufta

 

 

 

Tregim

 

 

 

 Të gjitha legjendat, rrëfimet dhe historitë rreth luftës janë përplot makth e trishtim.

Nuk dihej kur, ku dhe pse ishte zhvilluar lufta e parë në tokë, por një gjë dihej mirë: konflikti më i moçëm njerëzor, ose i pari dhe njëherësh më i tmerrshmi e më mizori, s’ishte zhvilluar mes dy shteteve, dy religjioneve, dy etnive, dy fiseve, nën ushtimën e daulleve të luftës dhe të ushtrive që mbanin dy palë flamuj, por mes dy njerëzve. Dhe më e tmerrshmja ishte se ajo luftë qe zhvilluar mes dy vëllezërve.

Prandaj, tingëllonin të padrejta shumica e shpjegimeve që bëheshin për luftën dhe që e shpërfillin këtë të vërtetë të fillimit të kohëve.

Pra, zanafilla e luftës, siç dihej prej kohësh s’mund të lidhej me një ngjarje të menduar e të cilës i kishte paraprirë një acarim mes dy ushtrive, mes dy kombeve, mes dy fuqive, mes dy feve, mes dy fiseve apo mes dy kontinenteve të egërsuara, por saktësisht, lufta e parë kishte ndodhur mes dy vëllezërve, njërit të egërsuar dhe tjetrit zemërbutë. Dhe kjo qe dita më tragjike që mbahet mend në tokë.

Atë ditë, gjithçka kishte ndodhur tinëzisht, në një mëngjes të bukur vere, pranë një lumi të kthjellët si qiell qershori, kur Kaini i tërbuar nga një gjendje e paqëndrueshme shpirtërore kishte dalë për të parë tokën e tij, pemët, fushat e mbjella me fruta plot. Por një errësirë i kishte zbritur në sy dhe ai ishte pushtuar nga helmi i urrejtjes, sikur ta kishte pickuar gjarpri i zi, dhe në sytë e tij kishte plasur urrejtja. Në atë gjendje, pa menduar dy herë e kishte vrarë Abelin, të vëllain e vet, kur ai, atë moment, ishte me shpinë kah mëngjesi i ri, duke kundruar qiellin e bukur, teksa shihte tymin e bardhë të flisë së tij që merrte trajtat e reve të lumturisë.

Kur kishte ngjarë kjo tragjedi, s’ kishte pasur komandantë, udhëheqës të lartë, struktura të organizuara e as daulle që paralajmëronin luftë, dhe pastaj, fundin e saj, fitoren e njërës palë dhe humbjen e tjetrës. S’ishin dëgjuar as krrokamat e korbave të tmerrshëm që nduknin kufoma, e askund s’ishin parë turma me flamuj në dorë, që brohorasin fitore, fitore, fitore…dhe të mundurit, matanë dhembjes, duke tërhequr ushtarë të vrarë, të dëshpëruar, me flamuj të nënshtrimit nën sqetulla. Por kishte qenë një trup i shtrirë përtokë dhe një që kishte bredhur i tronditur prej një cepi në cepin tjetër të tokës, duke spërkatur tokën me gjak të pafajshëm.

Pra, atëbotë kur kishte ndodhur konflikti i parë njerëzor, në tokë akoma s’ishin shpikur flamujt e as s’ ishin përzier gjuhët.Por krejt ndryshe kishte qenë puna me luftërat e tjera të mëvonshme që ishin regjistruar në kujtesën njerëzore.

Ato – zakonisht ishin mirëmenduar dhe ishin përgatitur nga njerëz të shumtë, dhe pasi që ishin zhvilluar, kishin përfunduar me paqe, ose, siç thuhej me gjuhën politike, me marrëveshje, dhe ajo copë marrëveshje, mund të prishej, si një martesë e palumtur.

Dhe zakonisht luftërat e mëvonshme kishin nisur me daulle lufte dhe kishin përfunduar, po ashtu me daulle paqe. Pastaj e gjithë ngjarja ishte përcjellë me një skenë madhështore në anën e fituesve, me flamuj ngadhënjyes, këngë e valle, dhe në anën e humbësve, me gjëma, kujë grash, krusmë, lot, dhimbje, sharje për tradhti dhe përbuzje e lemeri pafund.

Në shumicën e luftërave që ishin regjistruar në kujtesën njerëzore, kishte pasur kasnecë lajmesh e ndërmjetësues mes humbësve dhe fituesve. Madje, ndonjëherë kishte qëlluar të ndërhynte vetë Zoti në këto punë të ngatërruara njerëzore.

Por krejt ndryshe ishte puna e luftës së hershme mes dy vëllezërve. Ajo luftë s’kishte përfunduar kurrë. Në fakt, s’kishte pasur kurrë sulm e mbrojtje, por vetëm sulm dhe vdekje. Sepse, njëra palë vdiq dhe pas s’ la trashëgimtarë, kurse tjetra, ajo triumfuesja, bredhi cep në cep, pa gjetur kund prehje, dhe në tokë la shumë trashëgimtarë.

Historia, ndonëse këtë ngjarje s’e vendoste te luftërat e mëdha dhe s’e vërtetonte si luftën më të madhe njerëzore, ajo përbënte thelbin ekzistencës, dhe si e tillë, ishte lufta më e tmerrshme që kishte ndodhur ndonjëherë në tokë.

Prandaj thuhej – edhe në ditët tona – se njerëzit vazhdonin të paguanin për mëkatet e Kainit, atij vrasësit hakmarrës e të tërbuar, që nga urrejtja qëlloi pas shpine të vëllain e vet, duke e larë veten krejt në gjak.

Kjo ishte e vërteta e zanafillës së luftës, kësaj sëmundjeje njerëzore, që ishte ngjizur te një njeri dhe që pastaj u  bë murtajë e përbotshme.

Për dallim prej të gjitha luftërave të mëvonshme, që kishin pasur njëfarë rendi, një fillim, një zhvillim dhe një fund, beteja mes dy vëllezërve s’pati asnjërën nga ato pjesë, ndaj dhe mund të quhet luftë e papërfunduar.
*
Pasi u dogj Kulla e Babelit dhe gjuhët u përzien lëmsh, njerëzit më s’e kuptonin njëri-tjetrin. Pastaj, ata të tërbuar dhe të hutuar shpikën flamuj e simbole nga më të çuditshmet, me çka identifikoheshin dhe për çka derdhnin gjakun e tyre dhe të tjerëve.

Dhe të gjitha luftërat ndizeshin nga keqkuptime krejtësisht banale, grabitje të një femre të bukur, dhe pastaj zjarri i tyre rritej aq shpejt, sa shkrumbonte shumëkënd në të.

Më vonë, në kohëra që quheshin më moderne, perandorë të fuqishëm, duke parë se raca njerëzore s’po shërohej nga kjo sëmundje e tmerrshme, kishin ëndërruar ta kthenin në tokë një gjuhë të vetme, por ata të gjithë vdiqën në dëshpërim, sepse askush s’ia kishte dalë mbanë.

 

Duke i parë të gjitha këto marrëzi, njeriu shpiku perëndi të luftës, por kurrë s’ i shkoi mendja që të krijonte një perëndi të paqes, mbretëria e së cilës do të pushtonte së paku njëherë tokën, si një diell paqje mëngjesore. Dhe kështu ishin shtjelluar punët deri me sot. Ndaj, në stinën e paqes, njerëzit hanin dhe pinin, gëzoheshin dhe dashuroheshin, por tërë kohën mendjen e mbanin te lufta; përgatiteshin për të, siç përgatiteshin njerëzit në fshatin tim për dimër.

Në kohën tonë, kishte shumë flamuj, gjuhë, daulle lufte që ushtonin përditë, të tmerrshme e shkuar së tmerrshmes, si vaji i  korbave, që në luftërat e hershme nduknin kufoma.

Çuditërisht, daullet e luftës binin pa pushim, madje edhe kur luftërat nuk ndodhnin e as s’dukeshin në horizont.

Pra, njerëzit më në fund mund të thuhej se ishin mësuar me luftërat, ashtu siç ishin mësuar me stinët. Përgatiteshin të frikësuar për stinët e rënda. Dhe, ndonëse atyre u pëlqente pranvera dhe vera, ata e dinin se një ditë do të hynin të pikëlluar edhe në vjeshtë me shira të furishëm dhe në dimër të stuhishëm.

*

Në fshatin tim, njerëzit gëzoheshin pamasë atëherë kur pranvera ishte e gjatë dhe lumturia e tyre dukej e pafund. Por shumë rrallë kishte ndodhur që ata të harronin dimrin dhe të mos përgatiteshin për të.

Për këtë arsye, pleqtë e vendit tim, të kërrusur, dimrin e quanin lëngatë e shkuar lëngate. E pastaj, kur vinte pranvera, ata gëzoheshin pa masë, por pavarësisht shumësisë së dallëndysheve që shihnin në qiell, mendjen e kishin te stina e stuhishme e dimrit.

Dhe ndodhte shpesh që në kulmin e verës, kur dielli të përvëlonte, t’i dëgjoje tek thoshin: do të vijë prapë ai dimri i tmerrshëm që desh na qiti fare.

Dimrat në fshatin tim kurrë s’kishin qenë të njëjtë. Në të vërtetë, as historitë e luftërave kurrë s’ kishin qenë të njëjta, ndaj edhe në kohën e vonë, kishin filluar të cicëronin zëra, si zogj të vetmuar, që kërkonin prej shkencës që të gjendej një ilaç për të kuruar njeriun nga kjo sëmundje. Nëse s’do të ishte e mundur kurimi i plotë, të bëhej e mundshme që dhimbjet nga kjo sëmundje të pakësoheshin.

Madje u dëgjua të thuhej se në ditët e ardhshme shkencëtarët e botës do të mund të mblidheshin në asamblenë e madhe planetare – të parën e llojit në histori – dhe do të bënin përpjekje për të gjetur armën e paqes, një armë që do të mund të shkatërronte të gjitha armët e luftës dhe pastaj të shkulte njëherë e mirë farën helmuese nga toka. Por, derisa të ndodhte kjo, njerëzit do të vazhdonin të përgatiteshin për luftë, ashtu siç banorët e fshatit tim, të ndrojtur e të frikësuar, përgatiteshin përherë për dimër.

 

*
Ende është stina e verës dhe dallëndyshet duken si yje të mbrëmjes në qiellin e pafund të shpresës. Por dimri mund të vijë shumë më shpejt seç është menduar, ndaj kërkohej punë e madhe dhe dikush duhej të rrinte zgjuar, që t’i dëgjonte daullet e para dhe të kishte vesh të shëndoshë, që mos t’i ngatërronte kurrë daullet e paqes me ato të luftës.

Së paku duhej të rrinin vigjilentë, deri atë ditën madhështore, kur dyert e asamblesë të hapeshin ngadalë dhe nga aty të jepej kumti i madh i krijimit të armës së paqes.

 

(Nga libri me tregime, Mbretëria e Ëndrrave, Onufri, 2021)

Please follow and like us: