Zemrat dikur s’kishin “hile” as falsitet (Erosi i turpëruar)!
Senad Guraziu
[ ngjitur: Sidney H. Meteyard (1868-1947) – Shpresa duke e ngushëlluar Erosin e “skllavëruar”, 1901 ]
…siduket piktori Meteyard e dinte se në kohën tonë Erosi (Amori) s’do i ketë punët dhe aq mirë – hm, s’ka si mohohet vizioni i tij piktural, ndoshta shenjat e para qenë shfaqur dhe në kohën e tij, ama sot na është qartësuar mirë e mirë, ky modernizmi ynë i bujshëm sikur dhe dashurinë na e ka “tjetërsuar”, s’është më siç na ishte dikur, që nga paranjeriu, që nga kohërat e mitologjisë s’pati ndryshuar as për një nuancë, pati ngelur e njëjta dashuri, përherë ajo “klasikja”; dashuri e thjeshtë, e çiltër, e pastër, pa paragjykime, pa motive të fshehura, pa “planin A dhe B”, e falur jokushtimisht, e lirë dhe e pafajshme (ok, me përjashtim ndoshta të romancave romako-perandorake – një Agripina e vetme dhe sikur na e “prish” gjithë vërtetësinë e pohimit tonë) – për fat të keq tashmë i gjithë klasicizmi i romancave sikur është pllakosur nga dekadenca, thuase është demoduar, tejkaluar, i ka rënë “boja”…
…nëse t’i sillnim ndërmend përrallat, imagjinatat novelistike të së kaluarës, s’do e kontestonte kush se, bie fjala Dulçineja mund t’ketë vuajtur pa hile për Don Kishotin, njësoj sikur dhe Elena e përrallave arturiane që vuante për Lancelotin, Elena e ngratë dashuroi siç vetëm princeshat e kështjellave dinë të dashurojnë, pati dhënë shpirt madje nga “dashuria”, vdiq e shkoi pa iu “kthyer” kurrë dashuria, gjithçka që kishte në zemër ia pati falur Lancelotit, derisa zemra i qe bërë shkrumb, zemrat e klasicizmit s’dinin ndryshe, o besnikërisht e përjetësisht o fare, zemrat dikur s’kishin “hile” as falsitet, Lanceloti s’e pati shpërfillur por dhe ai vetë mund ta ketë humbur zemrën duke rendur pas Guinevrës, dmth. s’është se na kishte “faj” për pafatësinë e Elenës, t’i thoshte “po” duke qenë e vërteta krejt ndryshe, ashtu do ishte mëkat tepër i madh…
…shkurt, dikur ishte se ç’na ishte, tani secilën herë e më tepër duke u ndërlikuar gjërat, tashmë Erosi tërë ditën si i trullosur, ia hedhin secilën herë e më shpesh dhe secilën ditë, gjithë shigjetat i shkojnë huq, sorollatet me atë naivitetin engjëllor, ndjehet si një kloun i cirkusit amoresk, e përqeshin, e përbuzin, e përtallin, madje shpesh dhe e lidhin, ia palosin flatrat – thjesht s’mund të shtyhet me 1001 falsitete internetike, me 1001 butona të iPhone, me 1001 çudira të Fb, madje dhe çupërlinat thuase e kanë “koduar” vetë secilin truk, thuase i shpikin vetë nga 1001 vegëza të “zemër-inteligjencës”:).