Zvicra i bashkohet BE për sanksionet ndaj Rusisë
Zvicra braktis neutralitetin e saj historik dhe vendos të miratojë sanksione kundër Rusisë. Sipas Presidentit federal të vendit, Ignazio Cassis, këto sanksione do të jenë në përputhje me ato të miratuara nga Bashkimi Europian.
“Këshilli Federal i Zvicrës ka vendosur sot që të miratojë sanksionet e plota të BE-së”, tha Cassis gjatë një konference për mediat. “Është një veprim i pashembullt për Zvicrën, që gjithmonë ka qëndruar neutrale. Sulmi i Rusisë në Ukrainë është kundër lirisë, demokracisë, popullsisë civile dhe institucioneve të një vendi të lirë. Kjo nuk mund të pranohet në bazë të ligjeve ndërkombëtare, por edhe politikisht e moralisht”.
Presidenti tha se Zvicra qëndronte krah Ukrainës në këto ditë të errëta dhe shtoi që shpresonte se këto sanksione do të inkurajojnë Kremlinin të ndryshojë mendje.
Sipas tij, Zvicra do të ngrijë asetet e personave të listuar në sanksionet e Bashkimit Europian dhe gjithashtu do të mbyllë edhe hapësirën e vet ajrore për fluturimet nga Rusia, përfshi edhe të avionëve privatë, përveç atyre që dërgojnë ndihma humanitare, apo në raste emergjencash.
Ministrja e Drejtësisë, Karin Keller-Sutter, tha se bllokimi i fluturimeve do të prekë më shumë oligarkët rusë dhe ukrainas që kanë lidhje të afërta me Presidentin rus, Vladimir Putin, dhe që kanë gjithashtu lidhje të forta ekonomike me Zvicrën.