Dedikuar shokëve të fëmijërisë, “Kotohoxhasve” bashkëmoshatarë!
Pirro Millona
…”Dembelët, vijnë me vonesë pas orës 8-të në mësim”!…
…Një foto e zverdhur nga koha, por tepër e freskët për mua si kujtim, nostalgji e asaj kohe të fëmijërisë aq të bukur.
Shikojeni me kujdes këtë foto. Jemi ne ‘artistët’ e trupës amatore të estradës të shkollës “Koto Hoxhi” në një olimpiadë në rang rrethi me shkollat tetëvjeçare.
Skeçi më kujtohet fare mirë.
Titullohej “Dembelët, vijnë vonë pas orës tetë në mësim…”.
I fundit nga e djathta jam unë “dembeli”, kuptohet do më shoqëronte shoku im më i ngushtë, Pano Fidhi, ngjitur me mua.
Erdhëm vonë në mësim, kishte rënë zilja e fillimit të orës së parë.
Por na priste ‘batareja’ e pushkatarëve.
Afër nesh Pavlina Burdhima na dha ‘dajakun’ e parë, ku si në kor u bashkua Kastriot Meçe, megjithëse ishim shokë të ngushtë në ndeshjet e futbollit, por këtu shumë ‘parimor’ na i shkuli veshët mirë.
Po Hysnije Shameti a mund të na falte ne?! Në asnjë mënyrë, edhe ajo me fjalën e saj më të rëndë se ‘plumbi’ na kritikoi.
Me shpresë drejtova sytë nga shoku më i ngushtë pas Pano Fidhit, Genc Çonin, ‘gjitoni’ im as 30 metra, shok kudo, edhe në kopshtin zoologjik; çdo mëngjes takoheshim dhe bënim punët, duke ndërruar e pastruar lepujt, u vinim ushqim të freskët dhe u pastronim veshët nga qelbi që zinin, apo kur shkonim bashkë për ushqimin e Shqiponjës, apo kur mblidhnim vezët e freskëta nga pulat dhe i çonim në dyqanin poshtë pallatit tim, i shisnim dhe lekët i dorëzonim deri në ‘kacidhen’ e fundit profesor Toles, apo fruta-zarzavatet nga kopshti i shkollës. Por edhe Genci nuk luajti nga ‘instikami’, nga llogorja e përbashkët. Më ‘dërmoi’ më shumë mua.
Edhe ‘gjitoni’ tjetër Dhimitraq Rafti, si më i madh se ne në moshë, në mënyrë më ‘diplomatike’ na e dha një ‘kërbaç’.
Unë dhe Panua i drejtuam sytë nga Valentina Kuvarati me sy ‘lutës’ për të na ndihmuar, se nuk do e përsërisim më, por më kot pritëm ‘mëshirë’ edhe ajo, na bëri ‘qepaze’.
Më e kursyer u tregua shoqja tjetër, të vetmen që nuk i mbaj mend emrin, por sot e falenderojmë në emër edhe të Panos, që u tregua më e ‘butë’ se shokët.
Më serioz dhe më i prerë ishte Klement Konomi, trup gjatë, na pa me atë vështrim ‘vëngër’ dhe e shtoi dozën e kritikës.
Të dy Unë dhe Pano Fidhi, dolëm para togës së ‘pushkatimit’ dhe u betuam në mënyrë solemne se nuk do e përsërisnim më.
Në fund të skeçit shpërthyen ovacionet e duartrokitjeve të merituara.
Shfaqja mbaroi dhe juria u tërhoq për të shpallur fituesit. Konkurentë të përhershsëm ishim ne “Kotohoxhasit” dhe shkolla “Naim Frashëri”.
Më kujtohet, që gjitonja ime, zysh Drita Tushe ishte drejtoreshë e shkollës “Naim Frashëri”; ajo u ngrit në këmbë dhe duartrokiti fort me besimin se ishte fituese e olimpiadës, shkolla e saj “Naim Frashëri”.
Por juria shpalli fituesit. Çmimi i parë Shkolla “Koto Hoxhi”.
Shpërthyem në duartrokitje, në brohoritje, në përqafime.
Me bisht të syrit pashë zyshe Dritën, ‘gjitonen’ time të përjetshme, iu turra dhe e përqafova. Ajo më shtrëngoi fort në kraharorin e saj dhe me dashuri më tha: “Ju lumtë, e merituat çmimin e parë”!
Zyshe Drita Tushe kur ishte drejtore e Pallatit të Pionerëve “Fato Berberi” u shqua për punë të devotshme për gjallërimin e jetës artistike të fëmijëve dhe pionerëve të Gjirokastrës.
Jeta na ndau të gjithëve ne, ‘artistëve’ të vegjël, në sektorë të ndryshëm, vetëm Klement Konomi mbeti ‘besnik’ dhe përfundoi artist në Teatrin e Gjirokastrës deri në fund. Të gjithë ne u bëmë profesionistë të aftë në fushat e ndryshme të jetës.
Të faleminderit shoku im i vegjëlisë Genc Çoni për këtë ‘dhuratë’ kaq të çmuar me kaq kujtime!
…Sa mall, sa nostalgji, sa lot derdha në momentin që po shkruaja skicën. Ishte bota jonë e fëmijëve aq e bukur, aq e dlirët, aq e çiltër…