Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: UKRAINA DHE KOSOVA, ZELENSKYY DHE RUGOVA

Ne po jetojmë në kohën e agresionit ushtarak të Putinit kundër një populli sovran. Nuk e shoh si luftë mes dy popujve, të cilët historikisht kanë ndarë të njëjtin fat. Përkundrazi, e shikoj si luftë personale të një despoti që kërkon të realizojë iluzionet e tij patologjike. Në planin afatgjatë, kjo luftë do të dëmtojë popullin rus më shumë sesa atë të Ukrainës.
Në mëngjes duke lexuar informacionet për këtë situatë, edhe këtu në FB, pashë se kanë shpërthyer analizat krahasuese mes luftës në Ukrainë dhe luftës në Kosovë, sidomos krahasimet mes Zelensky-it dhe Rugovës. E kam të vështirë ta kuptoj dhe ta pranoj këtë analogji!
Së pari, ne nuk ishim shtet që erdhi Millosheviçi dhe më pas na pushtoi. Është fakt, ne kemi qenë të okupuar, por ligjërisht ishim pjesë e Serbisë, e një shteti sovran të njohur ndërkombëtarisht.
Së dyti, Rugova nuk ka qenë komandant i asnjë formacioni ushtarak të cilin ka refuzuar ta drejtojë. Si politikan me doktrinë politike pacifiste por edhe si humanist, ai kishte vetëm një mjet, Fjalën. Nuk dua t’i bëj apologjinë Rugovës dhe të them, se sa mirë e përdori këtë armë kur shkoi në zyrat e vendimmarrjes politike, në Uashington, Londër apo Vatikan. Ju vetë e vlerësoni këtë.
Së treti, ai nuk i ka shkuar Millosheviçit në zyrë. Ka ndodhur e kundërta. Ky i fundit i ka shkuar të parit në shtëpi dhe e ka zënë rob atë bashkë më fëmijët. Pastaj, gjithçka që ndodhi ishte jashtë vullnetit të tij.
Ju që sot kërkoni të përlyeni gjithçka që nuk është në përputhje me vizionin tuaj, keni pasur rastin të luftoni për Kosovën. Për shumicën prej jush që sot keni gjetur ditën për të shpalosur patriotizmin politik duke baltosur dikë tjetër, arena ka qenë e hapur për ju. Arena është e hapur edhe sot. Hajde kontribuoni në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ejani të paktën të jetoni këtu dhe bëhuni model për të tjerët, për brezin e ri që po largohet nga Kosova. Tregojuni atyre me një shembull konkret se këtu mund të jetohet. Sot ky është patriotizëm, sepse Kosova po boshatiset. Lërini thashethemet, urrejtjen, retorikën. Shteti ndërtohet me punë, jo me urrejtje.
Nuk e them unë, e kanë thënë edhe të tjerët. Shqiptarët dalin jashtë vetes për të treguar vogëlsinë e tyre si njerëz, burracakërinë mundohen ta kthejnë në cilësi, refuzojnë ta njohin veten e tyre ashtu siç janë. Ne nuk jemi fare patriotë. Po të mos ishin amerikanët dhe britanikët ne sot, përfshirë edhe mua, do ishim degdisur në të katër anët e botës.
Ndaj them se, shpërthimet delirante kundër një udhëheqësi që nuk jeton më nuk na bëjnë aspak nder, por shpërfaqin gjendjen tonë të rëndë psiko-emocionale.
Please follow and like us: