Osmani kërkon mbështetjen e Turqisë për në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e sheh Turqinë si një vend që mund ta ndihmojë Kosovën për anëtarësim në NATO.
Një gjë të tillë ajo e ka theksuar të martën pas takimit me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
“Kosova duhet të anëtarësohet në NATO, ku Turqia ka rol të rëndësishëm dhe e falënderoj presidentin Erdogan për punën në këtë drejtim. Në kuadër të NATO-s Turqia mund të bëjë shumë duke i dhënë përkrahje Kosovës”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se vetëm njohja reciproke me Serbinë garanton paqe dhe stabilitet në rajon.
Sipas saj, Serbia po bën obstruksione në proces.
Ndërsa Erdogan ka thënë se Turqia e mbështetë dialogun me Serbinë. “Është me rëndësi një Marrëveshje gjithëpërfshirëse. Ne jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën për paqen në rajon”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se vizita e Osmanit në Turqi do të shërbejë për të thellluar miqësinë mes dy vendeve.
“Diskutuam të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona, shkëmbyem mendime për situatën në rajonin tonë dhe në Ukrainë”, ka thënë ai, duke theksuar se Turqia i kushton rëndësi forcimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Erdogan është shprehur se ka nisur të shtohen importet e Kosovës në drejtim të Turqisë.
Ai ka thënë se temë e bisedës ka qenë edhe ajo e FETO-s.