Albspirit

Media/News/Publishing

Thuase vetë Marsi (Aresi), me maskën e Lili-Putit arrogant!

(Senad Guraziu – Ars Poetica, 1 Mars 2022)

(…vetëm Venera ia dilte ta çarmatoste Marsin gjaknxehtë, ia zbërthente “togën” hyjnore, rripat e parzmores, ia zbathte sandalet, vetëm ajo ia sillte qetësinë absolute dhe paqen në zemër – disa ditë më parë Lili-Putini madje dhe na kërcënonte me ca metaforash bërtha-mike. Imagjino, thuase “mendësia e tij politiko-ushtarake” na paska ngecur diku në kohën neandertaleske…)

***
(cit.) “Fantazmat e së shkuarës u ringjallën dhe po na ndjekin… Një botë që ecën vetëm përpara, një botë me mendësi të bukura dhe të hapura, një botë që vazhdimisht evulon dhe ndryshon nuk mund të kthehet mbrapsht. Historia nuk mund të përsëritet, njerëzimi ka ecur kaq shume përpara për të pranuar të kthehet kaq shumë mbrapsht. Ende nuk e kemi marrë veten nga pandemia, lufta dërrmuese, me përmasa globale, lufta mes vdekjes dhe jetës.” (fund i citatit – nga “Marsi erdhi përsëri dhimbshëm, trishtueshëm…”,)

Faleminderit Ambra… për “Marsi erdhi përsëri dhimbshëm…”, e lexova shkrimin, indinjatën tënde të thjeshtë, zërin e mospajtimit (me tensionet politike e me kërcënimet e luftës), e lexova ndoshta me t’njëjtën dhimbje sikur dhe ti derisa duke i hedhur në letër.
Më erdhi si klithma më e “qetë”, si revolta germatike më e bukur kundër luftës, që kam lexuar këto ditët e fundit (dmth. që nga kur lajmi e befasoi gjithë botën për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës).

Për fat të keq Ambra, aq e vërtetë, keqardhja e ka pllakosur mbarë njerëzimin, secilin qytetar me arsyen e shëndoshë njerëzore. Jemi në shek. XXI dhe thuase kemi t’bëjmë me ndonjë shekull fantazmagorik. Thuase fantazmat e së shkuarës, fantazmat e shekullit më të “përgjakur” që ka njohur historia e njerëzimit, thuase janë ringjallur e po na ndjekin.

Në prag-dekadën e 3-të, shek. XXI, dhe fantazmat (ardhur me “tharmin e brumin” e dekadencës sovjetike), na i vrasin buzëqeshjet, na pikëllojnë, na i frikësojnë zemrat me vese zombish.
Tani kur rrafshnalta akademike e botës krenohet për mijëra universitete anembanë, për panumër akademi e universitete (aso ushtarake po ashtu), krenohet për miliona profesorë, koka gjeniale, shkencëtarë, antropologë, humanistë (gjeneralë ushtrish po ashtu), laureatë të Nobelit, pajisur me njohuritë nga panumër katedra universitare aneskaj rruzullit.

“Marsi erdhi përsëri dhimbshëm…”, Marsi do ishte pranvera, Marsi është pranveror, pritet ringjallja e natyrës dhe e buzëqeshjeve, ringjallja e shpirtrave, e luleve, dhe e gjithçkaje… Mirëpo, si për ironi, “Marsi” është dhe ekuivalenti romak i perëndisë së Luftës (si huazim nga mitologjia pararendëse greke, Aresit).

Si për ironi, thuase një Ares i ngatërresave dhe i luftrave kurrë s’do lejojë që paqja, mirëkuptimi dhe arsyeja të mbizotërojnë. Uroj që arsyeja e ushtarakëve, e diplomacisë dhe politikave megjithatë të akordohen me buzëqeshjen e Afërditës (Venerës, jo pra, s’gabova gjë, mirë shkrova), mendova akordim me buzëqeshjen e perëndeshës së Dashurisë dhe të Buzëqeshjes.

Si për ironi, pikërisht Afërdita (Venera) ishte e dashura e Marsit. Vetëm ajo ia dilte ta çarmatoste Marsin gjaknxehtë, ajo ia zbërthente “togën” hyjnore, rripat e parzmores, ia zbathte sandalet, vetëm ajo ia sillte qetësinë absolute dhe paqen në zemër. Aq sa Hefesti (Vullkani) qe bërë fort xheloz, mos pyet… do ta ujdiste njëfarë “kurthi të florinjtë” dhe do t’i turpëronte në sy të gjithë zotave të Olimpit. Ashtu-kështu qe turpëruar vetëm Venera, Marsit aq i bënte, totalisht i paturpshëm, thuase fytyra e tij na ishte jo 2 pëllëmbë por 2 hektarë. Madje, ç’është e vërteta, vlen dhe tjetra; disa nga “burra-zotat” s’e patën marrë fare si turpërim, por në fakt ia kishin zili Marsit : ) Sepse bukuria e Venerës ishte e paarritshme, ishte mirëfilli diç si “Miss Universe”, s’i afrohej asnjëra nga perëndeshat.

***
Le që Putini i cullakosi “naivitetet” a la Trumpiste (ashtu-kështu ishin naivitete lakuriq, sa i përket NATO-vigjilencës dhe rëndësisë strategjike), por vërtet sikur “ra kjo luftë…” (e u pamë, do thoshin nuset kosovare) ra paturpësia e Lili-Putinit dhe u këndell gjithçka e “fjetur” euro-atlantike.

Atë që për aq gjatë s’ia pati dalur askush, dhe asgjë si “shtytje” ta arrinte – ia doli një Putin i vetëm, një Lili-Put, një arrogant i çmendur. Fjalën e kam për rritjen, për rishikimin e buxheteve ushtarake të NATO-vendeve, për rishqyrtimin e strategjisë dhe të sigurisë. Psh. Gjermania sikur u zgjua nga një gjumë gjysmëshekullor dhe i tha vetes, “këndellu moj ti Germania, ti bukuroshja që dikur e pate turpëruar dhe vetë Romën perandorake, terra incognita, këndellu se ai Lili-Putini na qenka çmendur.

Aq e vërtetë Ambra, fantazmat e verbërisë sikur na ndjekin, madje dhe ashtu jermatike, tani KUR në emër të avancimeve, në emër të krenarisë dhe të shkuarjes përpara, në emër të humanizmit, si intelekt kolektiv, vetë shkencat sikur janë bërë “xhungël amazonike” me degët e nëndegët…

Fantazmat e luftës e të shkatërrimit na ndjekin edhe KUR gjithë shkencëtarët e botës ia dalin t’merren vesh (pikërisht sipas ëndrrës ajnshtajniane), ia dalin t’bëhen bashkë dhe t’i shpenzojnë pa zënka e mosmarrëveshje, pa i ngatërruar as meritat as interesat, me dhjetra e qindra miliarda për ta ndërtuar një “Hadron-Collider” edhe më të madh sesa Cern-i aktual.

Ky i super-shtrenjëti që e kemi, përndryshe aparati më i sofistikuar që ka ujdisur mendja e njeriut ndonjëherë, ky dhe e zbuloi atë bozonin e Higgs. Aparat e përtej aparatit, i lumtë hadron-aparatit, explorer dhe zbulues i vërtetë – them madje dhe unë, pa qenë fare shkencëtar. Natyrisht që i gjithë planeti i rrumbullakët i shkencës krenohet me të.

Ja që kapacitetet e tij megjithatë s’mund t’i “ngopin” nevojat e shkencës moderne, sepse avancimi ynë s’do duhej të ndalet, është supozuar që njerëzimi të ec përpara, jo të ndalet, të përhumbet në amulli, e as të kthehet mbrapsht – e ka cekur dhe Ambra në shkrimin e vet.
Ok, le t’vazhdojmë dhe ca rreshta tutje me ekskursionin tonë të mburravecllëkut…

Se desh harruam ku ngelëm… fantazmat na ndjekin, por ja që na duhet një “Hadron-Collider” super-gigant prej 100 km në diametër, dhe i cili ndoshta do kushtojë po aq sa ISS. Dmth. stacioni kozmik atje lart në orbitë, si objekti më i shtrenjtë dhe më kompleks që ka ndërtuar njerëzimi në historinë e vet.

Fantazmat na ndjekin edhe tani KUR njerëzimi krenohet për avancimet marramendëse teknologjike. Aq sa pretendimet janë për ta “terraformuar” e kolonizuar madje dhe Marsin. Sepse na duhen hapa gjigant, pas hapit të “vogël” në Hënë, na nevojiten hapa madhështor për në Mars. Anise, si për ironi, desh u bëmë gazi i botës dhe këtu poshtë, vetë planetin tonë s’ia dalim ta terraformojmë si duhet, as ta “ruajmë” si duhet. Na dhimbset mjaft por sesi s’dimë të kujdesemi për të. Andaj dhe na shkon mendja tek Marsi…

Fantazmat na ndjekin tani KUR, në emër të shkencës dhe të avancimit si specie njeriu merret madje dhe me “vrimëzezat kozmike” të askundësisë (me të cilat s’merret ndoshta as vetë Zoti, padyshim do i ketë hedhur në shportën e mbeturinave). Dmth. fantazmat e dekadencës na ndjekin në stadin KUR shkenca s’i shqitet as makrokozmosit dhe as mikrokozmosit.

Fantazmat na ndjekin tani KUR shkenca na magjepsë me klithmat “eureka” në 5 nivele të materies, KUR shkencëtari bashkëkohor i “miniaturizon” gishtat si gjilpëra kuantike dhe na shpalosë mrekullira të nivelit molekular, atomik, nuklear, hadronik + të nivelit të kuarkeve.

Gjithsesi, ekskursioni im i mburravecllëkut më mirë të mbarojë. Thuase “kot” gjithë krenaria dhe avancimet tona, thuase kot të gjitha arritjet e njerëzimit, të gjithë hapat e shkencës 300-400 vjeçare. Çmendet një Lili-Put dhe sikur ia del t’i “militarizojë” të gjitha ëndrrat për PAQE të bukuroshes Europa.

Ja pse kam përshtypjen sikur dhe vetë Zot-Zeusi do na dilte “Zot” kësaj radhe. Mjaft është mjaft! S’do pajtohej kurrë të rrinte duarkryq. Do kollitej një a dy herë dhe do t’i kundërvihej Aresit me gjithë mllefin e vet.

Sepse s’kishte asnjë provokim, turpi dhe nxitja e gjakderdhjes me luftën ndaj Ukrainës ishte një lloj arrogance e pajustifikueshme. Po ashtu, e gjithë bota habitet se si mediat serbe fund e krye mbushur me titujt e turpit, se Ukraina na e paska SULMUAR Rusinë, e jo e kundërta. Vetë Lili-Putini del e thotë “është sulm i yni, operacion special”, ndërsa mediat serbe sakaq nguten dhe ia përmirësojnë gabimin.

Epo, as çudia as paturpësia siduket s’kanë kufij. Ja pse më bëhet, kësaj radhe Zeusi sakaq do kthehej në diç si “dem i bardhë”, do tymosej duke i mprehur brirët me gjithë rrufetë e qiellit dhe për dashurinë ndaj princeshës Europa do i thoshte Lili-Aresit “mjaft është mjaft”…

Ngelem duke u mburrur për shkencat e për arritjet e njerëzimit, por pra si qëndron puna me të ashtuquajturat “shkencat politike?! Vallë pse i quajnë pra ashtu – nëse dhe politikat na qenkan “shkencë”, atëherë ku është pra problemi, pse nuk avancohet, pse s’ka përparime?

Gjithë këto mburrje për avancimet e qytetërimit dhe sikur na shkojnë “kot”. Si t’mburrem pra ndonjëherë me arritjet e “shkencave politike”! Ç’vlerë kanë klithmat tona nëse verbëria politike e shek. XXI struket nën plafin e zi të paturpësisë. Ca ditë më parë Lili-Putini madje dhe na kërcënonte me ca metaforash bërtha-mike. Imagjino, thuase “mendësia e tij politiko-ushtarake” na paska ngecur diku në kohën neandertaleske.

Shurdhohen klithmat e mbarë botës nga hipokrizia politike, sikur “shurdhohet” dhe vetë keqardhja ime, keqardhja e Ambrasë, dhe e gjithkujt. Madje as Nonda Bulka s’u “dëgjua” më, ngeli i “heshtur” (rreth konflikteve dhe luftrave të Evropës) – “çudi, kaloi një kohë e gjatë, kaluan disa vite dhe Evropa ende në paqe” – bënte dikur shaka rreth politikave Nonda Bulka.

Uroj t’mos ketë shans “Marsi”, uroj t’mos e trazojë njerëzimin me katrahurat e luftës. Uroj që Venera ta qetësojë me magjinë e buzëqeshjes. Uroj që Europa, si një “Wonder Woman” e krenarisë (përndryshe e bija e vetë Zeusit) ta kthjellojë Aresin (Marsin… me maskën e Lili-Putinit të paturpshëm)!

***
Sëfundi (para 1 muaji ndoshta) i pata rishikuar aktualizimet e Brown University, ata e patën startuar një studim ekstensiv të impaktit njëzetvjeçar rreth aktiviteteve ushtarake të ShBA, në luftën kundër terrorizmit. Dhe, meqë studimi ishte i shumanshëm, kohë pas kohe e përditësonin faqen e tyre me ecuritë e studimit (dmth. si alternativë, në vend sesa të publikohej i tëri komplet, pas përfundimit).

Përveç linkut (për lexuesit eventual) po i shtoj këtu më poshtë si thuktim të dhënat përfundimtare nga studimi i tyre. Ekspertët e Brown University thonë se për 2 dekada, nga 2001 deri 2021, ShBA u desh të ndërmerrte aktivitete “anti-terroriste” në të paktën 85 vende, pas operacioneve në mbi 85 shtete të botës, numri i viktimave i është afruar 1 milionshit.

Kostoja njerëzore – numri i njerëzve të vrarë drejtpërdrejt në dhunën e luftrave në Afganistan, Pakistan, Irak, Siri, Jemen dhe gjetkë është mbi 929.000.

Kostoja buxhetore e ShBA: 8 trilionë $ (dhe atë madje të gjitha “borxh publik”, kosto që do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme të ShBA).

Shtrirja gjeografike: mbi 85 vende të botës, “lufta globale kundër terrorit” rezultoi në etiketimin e shumë vendeve, dhe operacionet luftërake qenë zgjeruar aneskaj globit, në mbi 85 vende.

Njerëzit e zhvendosur: 38 milionë njerëz të zhvendosur nga luftërat e pas 11/9, në Afganistan, Pakistan, Irak, Siri, Libi, Jemen, Somali dhe në Filipine.

[ Brown University – https://watson.brown.edu/costsofwar/figures ]

[ ngjitur: pikturë e Alexandre Ch. Guillemot – Marsi dhe Venera kurthuar në “suprizë” nga Vullkani, 1827 – dhe “screenshot” i faqes së Watson Institute (Brown University) ]

Please follow and like us: