Ursula von der Leyen: Për herë të parë 30 vende perëndimore, sanksione ndaj Rusisë
Lufta është kthyer në Evropë. Pothuajse tridhjetë vjet pas luftërave Ballkanike dhe më se gjysmë shekulli pasi trupat sovjetike kishin marshuar në Pragë dhe Budapest, sirenat e mbrojtjes civile u dëgjuan sërish në zemër të një kryeqyteti evropian. Mijëra njerëz që ikin nga bombat, u strehuan në stacione nëntokësore – duke mbajtur duart, duke qarë heshturazi, duke bërë përpjekje për të ngritur disponimin. Automjetet u rreshtuan drejt kufijve perëndimorë të Ukrainës, e kur shumë prej tyre shpenzuan karburantin, njerëzit morën fëmijët dhe çantat e shpinës dhe ecën për dhjetëra kilometra drejt Bashkimit tonë Evropian. Ata kërkuan strehë brenda kufijve tanë, sepse vendi i tyre nuk ishte më i sigurt. Sepse brenda Ukrainës, ka filluar numërimi i tmerrshëm i vdekjeve. Burra, gra dhe fëmijë po vdesin, edhe një herë, sepse një udhëheqës i huaj, Presidenti Putin, ka vendosur që vendi i tyre, Ukraina, të mos ketë të drejtë të ekzistojë.
Të nderuar Deputetë,
Ky është moment i së vërtetës për Evropën. Më lejoni të citoj editorialin e një gazete ukrainase, Kyiv Independent, botuar pak orë para fillimit të pushtimit: “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Është përplasje e dy botëve, dy grupeve të vlerave të ndara në pole”. Kanë shumë të drejtë. Kjo vërtet është përplasje mes sundimit të së drejtës dhe sundimit të armës; midis demokracive dhe autokracive; mes rendit të ndërtuar mbi rregulla dhe një bote agresioni krejtësisht të zhveshur. Mënyra se si ne reagojmë sot ndaj asaj që po bën Rusia do të përcaktojë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar. Fati i Ukrainës është në rrezik, por edhe vetë fati ynë qëndron në fije peri. Ne duhet të shfaqim fuqinë që qëndron në demokracitë tona, fuqinë e njerëzve që zgjedhin rrugët e tyre të pavarura, lirisht dhe në mënyrë demokratike.
Sot, ky Bashkim prej gati gjysmë miliardë njerëzish është mobilizuar për Ukrainën. Populli i Evropës po demonstron përpara ambasadave ruse në të gjithë Bashkimin tonë. Shumë prej tyre i kanë hapur shtëpitë e tyre për ukrainasit – që ikin nga bombat e Putinit. Dhe më lejoni të falënderoj veçanërisht Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, për mirëpritjen e këtyre grave, burrave dhe fëmijëve. Evropa do të jetë aty për ta, jo vetëm në këto ditë të para, por edhe në javët dhe muajt në vijim. Kjo është arsyeja pse po propozojmë të aktivizojmë mekanizmin e mbrojtjes së përkohshme për t’u ofruar status të sigurt si dhe qasje në shkolla, kujdes mjekësor dhe punësim. Ata i meritojnë këto. Ne e dimë se ky është vetëm fillimi. Më shumë ukrainas do të kenë nevojë për mbrojtjen dhe solidaritetin tonë. Ne jemi dhe do të jemi aty për ta.
Unioni ynë po demonstron unitetin e qëllimtë, gjë që më bën krenare. Me shpejtësinë e dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë sanksionesh të rënda kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të saj të teknologjisë së lartë dhe elitës së saj të korruptuar. Kjo është pakoja më e madhe e sanksioneve në historinë e Bashkimit tonë. Nuk kemi vendosur me aq lehtësi këto masa, por mendojmë se duhet të veprojmë. Këto sanksione do të dëmtojnë rëndë ekonominë ruse dhe Kremlinin. Ne po shkëputim bankat kryesore ruse nga rrjeti SWIFT. Po ashtu kemi ndaluar transaksionet e bankës qendrore të Rusisë, institucionit të vetëm financiar më të rëndësishëm në Rusi. Kjo paralizon miliarda rezerva valutore, duke mbyllur rubinetin e luftës së Putinit.
Së dyti, po shënjestrojmë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë ruse. Ne po e bëjmë të pamundur që Rusia të avancojë rafineritë e saj të naftës; të riparojë e modernizojë flotën e saj ajrore; si dhe që të ketë qasje në shumë teknologji të rëndësishme, që i nevojiten për të ndërtuar një të ardhme të begatë. Ne kemi mbyllur qiellin tonë për avionët rusë, duke përfshirë avionët privatë të oligarkëve. Që të mos kemi paqartësi: Ne do të ngrijmë edhe pasuritë e tjera të tyre
– qofshin jahte apo makina të shtrenjta, prona luksoze.
Së treti, në një tjetër hap të paprecedentë, po i pezullojmë lejet e makinerisë propagandistike të Kremlinit. Kompanitë shtetërore Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të arsyetuar luftën e Putinit dhe për të përçarë Bashkimin tonë. Këto janë veprime të paprecedentë nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë, si reagim ndaj një agresioni të paprecedentë nga Rusia. Secili prej këtyre hapave është koordinuar ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Norvegjia, por edhe p.sh. Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia. Që nga kjo ditë, më se 30 vende – që përfaqësojnë më se gjysmën e ekonomisë botërore – kanë vendosur gjithashtu sanksione dhe kontrolle të eksporteve mbi Rusinë. Nëse Putini ka synuar të përçante BE-në, të dobësonte NATO-n dhe të thyente komunitetin ndërkombëtar, ka arritur pikërisht të kundërtën.
Të nderuar Deputetë,
Jam plotësisht e vetëdijshme se këto sanksione do të kenë një kosto edhe për ekonominë tonë. Unë e di këtë dhe dua t’u flas sinqerisht njerëzve të Evropës. Kemi përjetuar tashmë dy vite të pandemisë. Të gjithë ne uruam që të fokusoheshim në rimëkëmbjen tonë ekonomike. Por besoj se njerëzit e Evropës e kuptojnë shumë mirë se ne duhet të ngrihemi kundër këtij agresioni mizor. Po, mbrojtja e lirisë sonë ka një çmim. Por ky është një moment përcaktues. Dhe ky është çmim që ne jemi të gatshëm ta paguajmë. Sepse liria është e paçmuar.
Investimet tona sot do të na bëjnë më të pavarur nesër. Po mendoj para së gjithash për sigurinë tonë energjetike. Thjesht nuk mund të mbështetemi kaq shumë tek një furnizues që na kërcënon në mënyrë të qartë. Kjo është arsyeja pse kemi kontaktuar furnizues të tjerë globalë. Dhe ata janë përgjigjur. Norvegjia tashmë po vepron. Në janar kemi pasur furnizim rekord me gaz të lëngshëm natyror. Ne po ndërtojmë terminale të reja të GLN-së dhe po punojmë në ndërlidhjen e tyre. Por në planin afatgjatë, është kalimi ynë tek burimet e ripërtërishme dhe hidrogjen ai që do të na bëjë vërtet të pavarur. Duhet të përshpejtojmë tranzicionin e gjelbër. Sepse çdo kilovat-orë energji elektrike që Evropa prodhon nga energjia diellore, era, hidrocentralet dhe biomasa, redukton varësinë tonë nga gazi rus dhe importet e tjera të energjisë. Ky është investim strategjik. E mbi të gjitha, më pak varësi do të thotë edhe më pak para për llogaritë e luftës së Kremlinit.
Kur jemi të vendosur, Evropa mund t’i përgjigjet sfidës. E njëjta vlen edhe për mbrojtjen. Siguria dhe mbrojtja evropiane ka evoluar më shumë në gjashtë ditët e fundit sesa në dy dekadat e fundit. Shumica e shteteve anëtare kanë premtuar dërgesa të pajisjeve ushtarake në Ukrainë. Gjermania ka njoftuar se do të përmbushë objektivin prej 2% të NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërsa Bashkimi ynë, për herë të parë ndonjëherë, po përdor buxhetin evropian për të blerë dhe dorëzuar armë në një vend që po sulmohet. 500 milionë euro nga Fondi Evropian i Paqes, për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Si dërgesë e parë, ne do t’i përgjigjemi kësaj me të paktën 500 milionë euro nga buxheti i BE-së për t’u marrë me pasojat humanitare të kësaj lufte tragjike, si brenda vendit ashtu edhe për refugjatët.
Të nderuar Deputetë,
Ky është një moment vendimtar për Bashkimin tonë. Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë sigurinë tonë dhe mbrojtjen e njerëzve. Ne duhet të ngrihemi e të qëndrojmë drejt. Ne duhet të investojmë në të. Ne duhet të mbajmë pjesën tonë të duhur të përgjegjësisë.
Kjo krizë po ndryshon Evropën. Por, edhe Rusia ka arritur tek udhëkryqi. Veprimet e Kremlinit po dëmtojnë rëndë interesat afatgjata të Rusisë dhe popullit të saj. Përditë, më shumë rusë po e kuptojnë këtë. Ata tashmë po marshojnë për paqe dhe liri. Dhe si i përgjigjet Kremlini kësaj? Duke arrestuar mijëra qytetarë. Por, përfundimisht, rrugëtimi për paqe dhe liri nuk mund të heshtet. Ekziston një Rusi tjetër përtej tankeve të Putinit. Ne shtrijmë dorën tonë të miqësisë ndaj kësaj Rusie tjetër.
Të nderuar Deputetë,
Në këto ditë, Ukraina e pavarur po përballet me orën e saj më të errët. Në të njëjtën kohë, populli ukrainas po mban lart pishtarin e lirisë për të gjithë ne. Ata po shfaqin guxim të jashtëzakonshëm. Ata po mbrojnë jetën e tyre. Por ata po luftojnë edhe për vlerat universale dhe janë të gatshëm të vdesin për to. Presidenti Zelenskyy dhe populli ukrainas janë vërtet frymëzim. Kur folëm për herë të fundit, ai më tregoi përsëri për ëndrrën e popullit të tij për t’u bashkuar me Unionin tonë. Sot, BE-ja dhe Ukraina janë tashmë më afër se kurrë. Gjithsesi që ka rrugë të gjatë për t’u kaluar. Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte. Dhe ne duhet të flasim për hapat e ardhshëm. Por jam e sigurt: Askush në këtë hemisferë nuk mund të dyshojë se një popull që qëndron me kaq guxim për vlerat tona evropiane, i përket familjes sonë evropiane.
Rroftë Evropa. Dhe rroftë Ukraina e lirë dhe e pavarur. My z vamy. Slava Ukraini.