Zelensky: Rusia duhet të ndalë bombardimet para bisedimeve për armëpushim
Në një intervistë për Reuters, Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje vendeve të NATO-s, të vendosin zonën e ndalim-fluturimeve për të frenuar avancimin e forcave ajrore ruse.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy ka thënë sot se Rusia duhet të ndalë bombardimet e qyteteve të Ukrainës, para se të mund të fillojnë bisedimet e njëmendëta për armëpushim, pasi raundi i parë i negociatave i kësaj jave nuk prodhoi ndonjë rezultat.
Duke folur në një intervistë për Reuters në një ndërtesë qeveritare me përforcime të mëdha sigurie, Zelenskiy u bëri thirrje vendeve të NATO-s, të vendosin zonën e ndalim-fluturimeve për të frenuar avancimin e forcave ajrore ruse. Ai ka thënë se kjo do të ishte një masë parandaluese dhe nuk nënkupton se kjo e nxit Aleancën drejt luftës me Rusinë.
Zelenskiy, që ka refuzuar largimin nga kryeqyteti i Ukrainës në kohën kur trupat ruse po avancojnë drejt Kievit, gjithashtu tha se Ukraina do të kërkonte garanci sigurie ligjërisht të detyrueshme nëse NATO mbyll derën për anëtarësimit të Ukrainës.