Anglia dhe 37 vende, padi në Hagë kundër Rusisë
Mbretëria e Bashkuar dhe 37 vende të tjera kanë referuar zyrtarisht raportet për mizoritë e kryera në Ukrainë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Sipas rregullave të GJNP-së, një referim i tillë nga shtetet anëtare do të thotë që prokurori nuk duhet të marrë miratimin e gjyqtarëve të GJNP-së përpara se të hapë një hetim, duke përshpejtuar procesin. Me 37 vende që i bashkohen Mbretërisë së Bashkuar, është referimi më i madh në historinë e Gjykatës. “Makina ushtarake e Putinit po shënjestron civilët pa dallim dhe po shkatërron qytetet anembanë Ukrainës”, tha në deklaratë sekretarja e jashtme e Britanisë Liz Truss. “Një hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për aktet barbare të Rusisë është urgjentisht i nevojshëm dhe është e drejtë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Mbretëria e Bashkuar do të punojë ngushtë me aleatët për të siguruar që drejtësia të vihet në vend”.