Lulzim Tafa: Unë – Ukraina
Në muajin tetor të vitit të kaluar, me ftesë të seksionit kulturor të kryeqytetit të Ukrainës, Kievit, kam marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, kurse pak kohë para sulmit ushtarak në Ukrainë, doli nga shtypi libri im me poezi në gjuhën ukrainase, të cilit i ka kushtuar një rëndësi të madhe edhe shtypi atje.
Libri është botuar nga njëra ndër shtëpitë botuese më të mëdha në Kiev dhe përmban edhe disa poezi të kohës së luftës në Kosovë. Botuesi në bashkëpunim me seksionin e kulturës së qytetit dhe Universitetin e Kievit kishin planifikuar promovimin e këtij libri në Kiev. Në promovim kisha planifikuar të shkoj edhe unë, por tani kjo është e pamundur.
Gjithsesi, mua më mban shpresa se një ditë do të shkoj në Ukrainën e lirë, në Kievin e lirë, dhe t’i ritakoj ata njerëz të mirë që aq shumë më nderuan mua, vendin tim dhe letërsinë tonë. Personalisht kam qenë dhe jam shumë i shqetësuar për zhvillimet e fundit, gjithashtu kam qenë dhe jam në kontakt të përhershëm me miqtë e mi atje.
Unë po ashtu ju kam shkruar shumë poetëve në Moskë, në Shën Petersburg e në Nizhny Novgorod, që dikur e mbante emrin e Maksim Gorkit dhe i kam lutur ata që me autoritetin e tyre që e kanë, të ndikojnë te politika që të mos e lejojnë këtë luftë. Pothuajse nga të gjithë kam gjetur përkrahje, por se të gjithë janë ankuar se zërin e tyre, klithmën e tyre nuk po e dëgjon askush.
Ka rastisur që botuesi im në gjuhën ruse përveç që është krijues, është një aktivist i shquar për të drejtat e njeriut.
E kemi parë që zëra kundër luftës nga poetët, artistët e intelektualët rusë, ka pasur dhe ka vazhdimisht, si ai i Elenës, drejtoreshës artistike të Teatrit të Moskës, por ata ankohen në kokëfortësinë e forcës politike dhe ushtarake.
Sot, atje po luftohet, njerëzit po vuajnë dhe kjo është trishtuese. Megjithatë duke e njohur popullin ukrainas dhe shpirtin e madh të atij kombi edhe përmes letërsisë, për një gjë jam i sigurt:
Ukrainë do të ketë gjithmonë.
Mos i harroni vargjet “Amanet” të poetit të madh ukrainas Taras Shevçenko:
Kur të vdes, më varrosni
Te ndonjë kodrinë,
Që të mund të të shoh gjithmonë,
ty Ukrainë.
Please follow and like us: