Albspirit

Media/News/Publishing

Mbushja e kupës! Apologjia serbe ndaj Rusisë dhe Tirana që s’gjen dot një gjysëm fjale për akuzat e Vuçiç ndaj NATO-s në Kosovë

Shaban Murati

 

Nga të gjitha shtetet e kontinentit europian vetëm Serbia nuk e dënoi agresionin e ri të Rusisë në Ukrainë. Beogradi refuzoi kërkesën direkte të bërë nga BE që Serbia e dënojë agresionin rus në Ukrainë dhe të bashkohet me sanksionet e reja të BE ndaj Rusisë. Midis BE dhe Rusisë Serbia zgjodhi Rusinë.

Edhe në Ballkanin Perëndimor nga gjashtë shtete përbërëse vetëm Serbia nuk e dënoi agresionin rus. Edhe nga tre shtete anëtare të projektit serb të“Ballkanit të hapur” vetëm Serbia nuk e dënoi agresionin rus.

Presidenti i Serbisë dhe udhëheqësit e tjerë serbë jo vetëm nuk e dënuan agresionin rus në Ukrainë, por refuzuan sanksionet e BE dhe morën zyrtarisht dhe publikisht në mbrojtje atë agresion.

Që ditën e parë të invazionit rus në Ukrainë në 24 shkurt e deri në 1 mars, kur e gjithë bota e qytetëruar damkoste në shtyllën e turpit Rusinë si agresore, presidenti serb Vuçiç shpërtheu një fushate të egër personalisht kundër NATO-s.

Në kohën që Europa dhe bota demokratike u ngritën në këmbë nga lufta e re ruse në Ukrainë, presidenti nisi sulmet me topa propagandistikë dhe diplomatikë kundër NATO-s për ndërhyrjen humanitare atlantike në Serbi në vitin 1999, që u ndërmor për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin antishqiptar në Kosovë nga qeveria e Millosheviçit, ku Vuçiç ishte ministër.

Përse duhet zhurmuar tani për situatën e atëhershme në Kosovë kur kemi situatën e tanishme të agresionit rus në Ukrainë,këtë mund ta dijë vetëm një shqytar fanatik i Moskës si presidenti serb, i cili ka synimin kryesor që të shkëpusë vëmendjen e publikut vendas dhe europian nga rreziku i madh shtetëror rus, që u shfaq në Ukrainë.

Akuzat e Vuçiçit në datën 24 shkurt, ditën e fillimit të agresionit rus: “Retorika e komunitetit ndërkombëtar bëhet hipokrite dhe alogjike kur fjala është për territorin ukrainas nga një anë dhe për Kosovën nga ana tjetër”. Në datën 26 shkurt ai deklaroi: ”Serbia pësoi agresionin e 19 shteteve anëtare të NATO-s”.

Krahas kësaj kërkese drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të mos dënojnë agresionin rus, presidenti serb shpërtheu fushatën e lavdërimeve për Rusinë dhe politikën ruse se “Rusia është i vetmi shtet që nuk ka ndërmarrë sanksione ndaj Serbisë, (në kohën e Millosheviçit), dhe ndaj “serpska republikës” tani”, se “Rusia është garantuesi i vetëm i integritetit territorial të Serbisë”, etj.

Apologjia e Serbisë ndaj Rusisë mori përmbajtje më skandaloze, kur Beogradi doli me tezat ruse të justifikimit të agresionit kundër Ukrainës. Kryetari i parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi ditën e nisjes së agresionit rus në Ukrainë: ”NATO erdhi në muret e Kremlinit dhe prandaj ndodhi kriza në Ukrainë”.

Në datën 28 shkurt në një interviste me agjencinë shtetërore “Tanjug”, Daçiç deklaroi se “Ukraina u bë dëm kolateral për Perëndimin, i cili e vuri kundër Rusisë. Situata në Ukrainë është rezultat i afrimit të NATO-s në kufijtë e Rusisë”. Pra Serbia jo vetëm merr në mbrojtje Rusinë agresore, por del edhe me akuzën idiote ndaj NATO-s dhe Perëndimit si shkaktarë të agresionit rus në Ukrainë.

Kemi një mbushje të kupës nga ana e Serbisë me apologjinë e agresionit rus në Ukrainë, veprim që nxjerr lakuriq rolin e Serbisë si një shtet vasal diplomatik dhe ushtarak i Moskës në rajon. Sfida arrogante, që Serbia i bën Perëndimit, BE-së dhe NATO-s me rreshtimi e saj me agresionin rus, merr një rëndësi të veçantë për rrethanat aktuale diplomatike dhe politike të interesave gjeopolitike të BE, të NATO-s dhe të Perëndimit.

Së pari, ky portret prorus dhe antiperëndimor i Serbisë tregon se sa naive kanë qenë planifikimet dhe indulgjencat e përsëritura të burokratëve diplomatë të BE, të cilët kanë ushqyer me vite iluzionet se, duke favorizuar pa të drejtë Serbinë dhe duke mbyllur sytë përballë aleancës strategjike Rusi-Serbi, do ta shtynin Beogradin të largohej nga Rusia.

Së dyti, sfida serbe është edhe ndaj NATO-s dhe ndaj atyre burokratëve civilë dhe ushtarakë të aleancës, të cilët sa herë shkonin në Beograd i thurnin lavde të ashtuquajturit neutralitet ushtarak serb dhe nuk shihnin as tanket ruse, as gjuajtësit rusë dhe as raketat ruse, që vërshonin në makinën luftarake serbe.

Së treti, është e rëndësishme për të kuptuar se në qendër të Ballkanit Serbia është shndërruar në një plasdarmrus kundër integrimit euroatlantik të rajonit, por edhe në një pararojë të rrezikshme të provokimit dhe të kërcënimeve të ardhshme ruse ndaj gjithë vendeve të NATO-s dhe të BE në rajon. Mjafton të kujtoni implikimin serbo-rus në përpjekjen për grusht shteti në tetor 2016 në Mal të Zi dhe në përpjekjen për grusht shteti në prill 2017 në Maqedoninë e Veriut.

Apologjia flagrante, që Serbia po i bën agresionit rus, dhe refuzimi i saj për të zbatuar kërkesën e BE për të dënuar Rusinë dhe për t’u bashkuar me sanksionet e BE kundër Rusisë, duhet të tërheqë vëmendjen në BE se çfarë shteti kandidat ka pranuar dhe çfarë drejtimi duhet t’i japë e çfarë kushtesh të reja duhet t’i vendosë Serbisë në bisedimet e tanishme të pranimit pas ngjarjeve tragjike në Ukrainë.

Mësimi i rëndësishëm, që del nga agresioni rus dhe nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë, është që BE duhet të bëjë një rivlerësim rrënjësor të qëndrimeve dhe të gjithë politikës së saj kundrejt Serbisë.

Se çfarë duhet të bëjë BE tani, e përcaktoi saktë burri i madh i shtetit, ish-kryeministri suedez Karl Bildt, një nga diplomatët më të shquar europianë, i cili në 28 shkurt deklaroi lidhur me rreshtimin rus të Serbisë: “Me këtë qëndrim Serbia de facto e diskualifikoi veten nga procesi i anëtarësimit në BE. Nuk mund të ketë hapësirë për një anëtar të ri në BE, i cili nuk ndan me ne vlerat dhe interesat tona themelore”.

Diplomacia e BE duhet të bëjë rivlerësimin e gjitha qëndrimeve dhe të platformës së saj diplomatike dhe politike me Serbinë, sepse ka plot gabime dhe favorizime të padrejta.

Sidomos është rasti që BE të rivlerësojë qëndrimin e saj në lidhe me dialogun Serbi-Kosovë, ku BE është ndërmjetësuesja dhe ka lejuar që dialogu të vërdalloset dhjetë vjet me radhë, duke anuar vazhdimisht në interes të Serbisë dhe duke adoptuar shpesh herë teza serbo-ruse. Serbia në vitin 1999 ndërmori një agresion barbar kundër Kosovës njësoj si Rusia tani kundër Ukrainës.

BE bëri gabimin tragjik, që nuk e penalizmi Serbinë për këtë krim shtetëror dhe nuk ndërmori hapat ligjore ndërkombëtare për shkatërrimin e makinës luftarake serbe, e cila kreu katër luftëra të përgjakshme kundër popujve joserbë në ish- Jugosllavi.

Rusia ishte aleatja dhe mbështetësja e vetme e Serbisë agresore në atë kohë dhe Serbia është tani mbështetësja e vetme në Europë e Rusisë agresore. Ky nuk është zhvillim brenda ditës, por rrjedhim i natyrshëm i gjithë politikës së orientimit proruse, që ka ndjekur Serbia gjatë 22 viteve që nga largimi i Millosheviçit, dhe që çuditërisht në BE nuk e kanë ndjekur siç duhet.

BE duhet të ishte alarmuar seriozisht qysh në vjeshtën e kaluar, kur Serbia në mënyrë arrogante mobilizoi forcat ushtarake në kufijtë e Kosovës dhe me përkrahjen direkte të ambasadorit rus në Beograd dhe të gjeneralëve rusë dhe me armatimet ruse kërcënonte për luftë në Kosovë, kurse diplomacia e BE në mënyrë idiote u bënte thirrje të dy palëve për vetëpërmbajtje. Qëndrimi i diplomacisë së BE favorizonte kërcënimin serbo-rus për luftë.

Përvoja e tanishme tragjike e pushtimit rus në Ukrainë duhet të nxisë diplomacinë e BE të rishikojë urgjent qëndrimin e saj të gabuar dhe fokusimin e saj të gabuar për të ashtuquajturin “asosiacion të komunave serbe” në Kosovë.

Nëse përvoja e hidhur me “serpska republikën” në Bosnje-Hercegovinë nuk e kishte bindur diplomacinë e BE, tani përvoja tragjike me Donjeckun dhe Luganskun, të cilat Rusia i përdori si pretekste të pushtimit të ri të Ukrainës, duhet ta shkundë diplomacinë e BE për të hequr dorë nga ai projekt i rrezikshëm serb.

Donjecku dhe Lugansku duhet të shërbejnë si gozhda e fundit, që diplomacia e BE duhet t’i vërë arkivolit të “asosiacionit të komunave serbe” në Kosovë. Këtë gozhdë duhet t’ia vendosë atij arkivoli edhe qeveria e Kosovës pas përvojës tragjike të Donjeckut dhe Luganskut.

Prishtina duhet ta tundë fort në tryezat diplomatike argumentin e ri të pakundërshtueshëm të Donjeckut dhe të Luganskut për cilindo diplomat të BE, që do të vazhdojë t’u sugjerojë pajtueshmëri me një Donjeck apo Lugansk serb në veri të shtetit.

Në dritën e këtyre zhvillimeve negative në Ukrainë dhe të rreshtimit të Serbisë me Rusinë, stonon qëndrimi absurd i Shqipërisë, e cila me dashje apo pa dashje shfaqet si shteti i vetëm në Europë, që po bëhet këto ditë me Serbinë. Nuk ka qeveri dhe zyrë qeveritare në gjithë kontinentin europian, që të ketë shprehur mbështetje për Serbinë në këtë kohë të qëndrimeve të saj sfiduese antiatlantike dhe antieuropiane të refuzimit të dënimit të agresionit rus dhe të sanksioneve të BE ndaj Rusisë agresore.

Lexoni faqen zyrtare të kryeministrisë së Shqipërisë në 25 shkurt dhe do të ndjeni keqardhje për shtetin tuaj, që katandiset në një apologji të mjerë në favor të Serbisë. Ndërsa Shqipëria sapo kishte marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s në 25 shkurt për luftën në Ukrainë dhe komunikata e përbashkët e samitit dënonte në termat më të ashpra “agresionin rus dhe invazionin rus”, në faqen zyrtare të kryeministrisë shqiptare do të lexoni xhevahirin e profanizmit diplomatik, që e përkufizon agresionin rus “përshkallëzim i qasjes së Moskës ndaj fqinjëve në Ukrainë”.

Term më përkëdhelës nuk e ka gjetur as vetë Moska, e cila e quan zyrtarisht “operacion ushtarak në Ukrainë“.

Në kohën që Serbia bën me faj NATO-n dhe Perëndimin për agresionin rus në Ukrainë, qeveria e Shqipërisë në 25 shkurt merr guximin të vlerësojë presidentin serb se qenka shprehur se përkrah integritetin territorial të Ukrainës. Nuk mund të mos bëjë përshtypje kjo përpjekje e mjerë për të zbutur apo zbukuruar qëndrimin prorus të Serbisë.

Nuk mund të mos bëjë përshtypje që qeveria e Shqipërisë nuk gjeti një gjysmë fjale për të hedhur poshtë akuzat e presidentit serb ndaj NATO-s për ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999. Presidenti Vuçiç po mbron çdo ditë agresionin dhe spastrimin etnik të Millosheviçit në Kosovë dhe qeverisë shqiptare nuk i tërheq vëmendjen dhe nuk pipëtin që të mbrojë Kosovën.

Si mundet një qeveri normale të mos jetë në gjendje të bëjë leximin e duhur diplomatik dhe vlerëson Vuçiçin për “integritetin territorial të Ukrainës” dhe nuk kupton se presidenti serb e ka fjalën për integritetin territorial të Serbisë, ku ai fut Kosovën si pjesë të saj. I ndihmon ta kuptojnë, po të lexojnë kryetarin e parlamentit serb Daçiç, i cili në 25 shkurt deklaroi se “Dënimi i Rusisë nga Serbia do të ndihmonte Kosovën të fitonte pavarësinë”.

Kulmi i përunjësisë zyrtare shqiptare arrin kur, në këtë situatë lufte në Europë dhe kur bota e qytetëruar është angazhuar për t’i dhënë fund agresionit dhe për izolimin diplomatik dhe ekonomik të Rusisë dhe të aleatëve të saj, qeveria shqiptare e quan të përshtatshme t’i konfimojë Serbisë besnikërinë e Tiranës ndaj projektit serb të “Ballkanit të hapur”.

I konfirmon rol rajonal asaj Serbie, për të cilën ish-kryeministri suedez Bildt kërkon tani që të mos pranohet në BE, sepse nuk ndan vlerat dhe interesat europiane. Qeveria e Tiranës i shpreh besimin Serbisë që të udhëheqë integrimin serb të“Ballkanit të hapur”. Nuk mund të ketë profanim më të madh diplomatik, shtetëror dhe kombëtar.

Vetëm Shqipëria bëhet me Serbinë filoruse në këtë kohë izolimi europian për të. Dikur Shqipëria i shprehte besnikëri Kominternit dhe Bashkimit Sovjetik dhe kjo është në një farë mënyre e kuptueshme për shkaqe ideologjike dhe për përmasat botërore që kishte superfuqia sovjetike.

Por t’i përulesh dhe t’i shprehësh besnikëri “Ballkanit të hapur” serb dhe presidentit serb në kohën që ata po kërkojnë përsëritjen e krimit shtetëror serb në Kosovë, kjo do të thotë se politika e jashtme e Shqipërisë ka kapur fundin. Fundi është të jesh shteti i vetëm në Europë, që bëhesh me Serbinë, në kohën që Serbia është shteti i vetëm në Europë, që bëhet me Rusinë. Fundi është kur bëhesh shërbëtor i shërbëtorit./gazeta dita

Please follow and like us: