Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: NJË FILM PËR MUZIKANTËT E RRUGËS

Është fjala për filmin turk “VIOLINA E BABAIT TIM”,-realizim i bukur i këtij viti dhe shfaqur nga “NETFLIKS”, që u përkushtohet njerëzve të thjeshtë, muzikantëve të rrugës, që e kanë vënë shpirtin e tyre mbi telat e violinës e në meloditë e klarinetës, për të fituar bukën e gojës, duke qenë përherë të kërcënuar nga ligji, që i ndalon të bëjne “Artin e Rrugës” si qindra vite e shekuj më përpara! Dhe, pasi kemi parë e shohim për natë një film serial, të po këtij vendi, me qindra akte, gjatë tre viteve të fundit, ku pesonazhet, edhe pse të interpretuar nga aktorë të mirë, përgjojnë gjithmonë pas dere, për të shtuar seritë artificialisht, të yshtur nga etja për pasuri, që merë nuancat e verbërimit e të krimit, në këtë film artistik prej afro dy orësh, është dhënë kaq bukur psikologjia njerëzore për muzikantët e rrugës, që dinë të jetojnë mbi shtrëngesat e mizerabilitetin e kohës së tyre dhe të vetë shoqërisë që përpiqet t’i abandonojë. Kemi të bëjmë me një tufë artistësh bohemë që i ndan e i bashkon edhe vdekja edhe jeta, që kineastët turq kanë derdhur gjithë talentin e tyre, ngritur mbi talentet që ka populli që nuk mund të ndalet kursesi më, as me anë të dhunës e as me anë të veseve shoqërore.
Ngjan sikur filmi i përkushtohet një vajze të vogël që humbet prindërit e saj njerin pas tjetrit, Olzenit, interpreruar mrekullisht nga vogëlushja Gulizar Nisa Uray. Si një personazh i natyrshëm që do të evidentohet përsëri në jetë, në saj të talentit të vet, edhe kjo si bijë muzikantësh të rrugës, së cilës do t’i prijë fati edhe prej gjetjes e përkrahjes së xhaxhait të gjetur, i cili është në kulmin e lavdisë së tij… Po realisht, përmes këtij episodi qëndror, kineastët thonë shumë më tepër, duke hyrë natyrshëm nëpër skutat e shpirtit të secilit. Në rradhë të parë të vetë Ozlenit, të vajzës 8 vjeçare, që është mësuar të bredhë pas këtyre muzikantëve, po edhe të mësojë prej tyre të lozi edhe ajo me telat e violinës, të kthyer në një gjymtyrë të trupit të saj, ditën e natën, duke përvetësuar dhe durimin, mënçurinë e shkathtësinë në përballimin e jetës. Në rradhë të dytë, të atit të prekur nga tuberkulozi, Ali Rizait, interpetuar me mjeshtëri e vërtetësi nga aktori Belçim Biiligin, i cili “jep shpirtin” në duart e saj të vogëla… Në fytyrën e këtij aktori ngjan sikur është përplasur i gjithë mjerimi, vuajtja, ngushëlluar nga talenti vetiak e pasioni për violinën… Si edhe në rradhë të tretë, të atij vëllai që, pas 32 vitesh ka harruar gjithëçka nga e kaluara e hidhur e do të jetë personazhi kryesor i këtij filmi human. Dhe ky është dirigjenti Mehmet Mahir, i interpretuar nga Eugin Altan Duzatan, me një aktrim të përsosur, me botë të pasur shpirtërore e sensibilitet artistik, i cili në rrugën e vet të formimit intelektual, është infektuar edhe nga egoizmi i karrierës së suksesshme e i janë “zënë sytë” edhe prej konfortit që ka krijuar, aqsa nuk vë re tashmë se ishte duke humbur edhe bashkëshorten, një pianiste po kaq të talentuar. Dhe në këtë mes kontrastesh të forta, shfaqet imazhi filmik, nga njeri krah, i degradimit të talentit dhe, nga krahu tjetër, i rilindjes së vlerës njerëzore që vjen natyrshëm prej këtyre muzikantëve të rrugës e sidomos prej kësaj vogëlusheje me sedër, që tashmë, me qëndrimin e vet, i jep një mësim të lartë “tutorit” të saj te ri… E gjitha kjo është prekëse, sa e thjeshtë, e natyrshme, aq edhe e madhërishme… Vajza e vogël që shihet për një kohë të gjatë nga xhahai i vet në inferioritetin e moshës, ka kryer përmes muzikantëve të rrugës, kryesisht të atit të saj edhe atë ‘udhëtim’ përmes pentagramit muzikor, që këta njerëz virtuoz duken sikur kanë kryer akademira të tëra muzikore. E kjo do të shkëlqejë sidomos në finalen e filmit, kur vogëlushja Ozlen, bashkë me xhaxhan e vet, maestro e dirigjent njëherësh, do të jenë interpretuesit kyesorë që do ta ngrejnë të elektrizuar publikun në këmbë me magjinë e artit të tyre!
Ecuria e këtij filmi emocional është e ngjeshur me skena të këndshme shfaqjesh spontane nëpër sheshe e rrugë të Stambollit, kur rreth muzikantëve me përvojë mblidhet menjëherë turma e spektatorëve që ngazëllehet me meloditë gazmore, po edhe me virtuozitetin e valltares së vogël Olzen, derisa vijnë policët e artistët largohen nxitimthi me veglat e tyre ndër duar, duke përfunduar në brigjet e ujrave të Bosforit. Po ka edhe skena intime kur vogëlushja Olzen i bie vetë violinës, duke kënduar njëherësh, aqsa ia “këput shpirtin” spektatorëve që e rrethojnë dhe nuk ia kursejne paratë, që asaj i duhen për të “shuar urinë”, veçanërisht kur e la i ati,.. Apo kur ajo mbetet e vetmuar në një pyll, për t’u fshehur nga njerëzit që nuk arrijnë ta kuptojnë e interpreton me virtuozitet me violinën e saj, për të ngrohur shpirtin brënda! Ajo nuk pranon as mbylljen në Shtëpinë e Fëmijës dhe nuk do t’i nënështrohet dot e t’i bindet menjëherë as xhaxhait të vet në “parajsën e tij”, ndërkohë që ai akoma nuk ka mundur të hyjë në vetëdijen e saj… Apo skena intime në shtëpinë e tyre të varfër, ku tenton të fshihet me ‘arratisjet’ e saj të përsëritura, që edhe xhaxhait i vlejnë për të kuptuar gjendjen shpirtërore të së voglës. E gjitha kjo, me ballafaqimin e varfërisë së tejskajshme të prindërve të tij dhe sidomos të atij vëllai të mjerë, që ftohet duke rendur rrugëve të Stambollit me të bijën, herë përdore e herë mbi krahët e tij të dërmuar nga jeta dhe sëmundja e pashërueshme… Krijohen kështu imazhe jete tronditëse që e sjellin në vehte heroin e filmit, kompozitorin e dirigjentin e famshëm, për të zbritur në ‘shkallaren’ e njerëzores së këtyre muzikantëve të mrekullueshëm që i do populli e veçanërisht dasmorët e ketij qyteti të madh… Kemi të bëjmë më një realizm tronditës që do të mbarojë me një “happy end” gazmor, në atë paraqitje spektakulare të orkestrës sinfonike, ku heroi i fimit do të egzekutojë së bashku me mbesën e tij Olzen, në një triumfale të merituar artistësh.
Ky film i këndshëm artistik, të krijon mundësinë e kënqësive shpirtërore me muzikën klasike botërore, në flatrat e së cilës do të mbetesh e të jeshë pas interpretimeve të melodive popullore. Egzekutuar me një orkestër sinfonike të shkëlqyer, bile edhe me kompozime origjinale, nën interpretimin e dirigjimin pasionant të personazhit Mehmet Mahir. Ai e ndjen dhe e përjeton melodinë që dirigjon, si në një udhëtim pasionesh të mëdha, ku ecën e zhvillohet vet jeta e tij, me ulje-ngjitjet e saj, me zhgënjimet e triumfet, me vrullet e jetës në gjirin e shoqërisë e të natyrës përreth, me cicërimet e zogjëve e me flladitjet e shpirtit që gufojnë kraharorin e tij e të publikut bashkë, i cili bëhet njësh me orkestrën sinfonike e muzikën e saj shpërthyese…
Athinë, 2 mars 2022.
Please follow and like us: