Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Ferri është në tokë

 
 
Ferri është në tokë
(Dialog nate me Danten Alighierin)
Në moshën e mesme – edhe në qoftë se mbetesh në ferr
ke një grusht nostalgji, ca kujtime të rrudhura
që i zvarrit si këmbët e tua të lodhura.
Por fëmijët e luftës kujtimet i kanë te lodrat,
faqet e mbetura të librave plot aventura.
Kur ata hapin dritaren, shohin tym,
tym dhe trishtim. Ky kapitulli i ri jetës shkruhet
nëpër gërmadha dhe ulërimë armësh.
Dante – ferri është në tokë sa herë s’ekziston liria
dhe pushteti i akullt i armëve shtrihet mbi fatet njerëzore.
Është mars, stinë e bukur.
Dimri është në gërhimat e fundit.
Por në Ukrainë s’ka qiell të hapur.
Shtëllungat e tymit kanë errësuar horizontet
dhe toka është mbështjellë me frikë.
Një fëmijë në spitalin e Kievit pret të arratiset në një vend të ri
që quhet Siguri. Ky vend sot në tokë s’ekziston, Dante.
Në tokë ka ethe e trishtim. Ka errësirë dhe damarët e urrejtjes duan të pëlcasin.
Është errë dhe terri shpirtëror është ma i mynxyrshëm se ai i ferrit.
Gjithçka është shkruar dhe thënë:
Lufta është e tmerrshme.
“Jo – ai s’mund ta bëjë këtë” -thotë ëma e vajzës së sëmur
dhe mbyll sytë që të shohë pak dritë,
por përpara ka gërmadha,
ku treten ëndrrat e të pafajshmëve.
Vajza qan. Ka dhimbje. Oksigjeni në spital ka rrezik të harxhohet.
Ushqimi është i kufizuar. Vetëm lajmet
dhe deklaratat e trishta politike janë të mjaftueshme.
Askush s’i njeh dhimbjet e fëmijës që le pizhamet,
thesin me lodra dhe ikë. Ikja është e akullt si vdekja.
E lufta kontinent i skëterrshëm ku banojnë qeniet fatkeqe
që harrojnë emrat e tyre, gremisin ëndrrat
dhe shndërrohen në frikë.
Dante, si të bashkohen lotët e fëmijëve –
e të pafajshmeve që vuajnë
dhe të formohet një lum i madh i madh i madh
dhe të gjithë mëkatarët të hyjnë dhe të lahen në të.
Dante, sot kam qa me zërin e vajzës së vogël që në një spital të tokës sonë
tek merrte ilaçe kundër dhimbjeve
dëgjonte sirenat e luftës dhe thoshte: dua të arratisem.
Klithma e saj ka hyrë në dhomën time, ushtin.
Ajo ka nevojë për një prijës që e nxjerr nga ferri.
Ti e din si dilet,
prandaj shfaqu dhe nxjerri njerëzit nga skëterra e flakës së vuajtjeve.
Dante, ti e di se një ditë armët do të pushojnë,
udhëheqësit epshorë do të ulen nëpër tavolina
dhe do të nënshkruajnë një dokument paqe të cilin e grisin kur të duan.
Marrëzitë i paguajnë të pafajshmit dhe breznitë që vijnë.
Prandaj, tokën duhet ta bëjmë ma të mirë,
ta pakësojmë sasinë e frikës
dhe ta rrisim oksigjenin e mirësisë.
Pastaj ta zhbëjmë fjalën luftë
dhe bashkë me të, të digjen të gjithë kufijtë e mallkuar
dhe në vend të tyre të mbillen lule dhe pemë madhështore.
Mesnatë, 1 mars 2022.
Please follow and like us: