Silvana Begaj: Shkëputur nga ditari i një ushtari!
Ne, qëniet njerëzore jemi gjithmonë në luftë: luftë për jetën, luftë për dashurinë, luftë idesh, luftë inatesh, luftë me veten, luftë me ëndrrat etj etj. Por ajo lufta në fushëbetejë qenka ndryshe. Tek të parat e di që mund të vdesësh një ditë dhe llogarit jetën tek kjo e dyta je i vdekur dhe llogarit po sikur të jetosh.
Në luftë kupton që paske jetuar kot! Kishe mundësinë të puthje nënën cdo ditë dhe nuk e bëje. Sot, nuk e di a do ta takosh më. Kishe mundësinë të qeshje, të përqafoje, dashuroje, ëndërroje dhe nuk e bëre. Sot me vërshimin e plumbave është vonë. Edhe nëse ia del të mbijetosh, një pjesë e jotja ka vdekur me viktimat e luftës.
Përveç vetes ke dhe ankthin për familjen. Lufta nuk ka rregulla. Përbindëshat qëllojnë kudo, bombardojnë kudo. Bombat nuk zgjedhin. Kaq të ftohta kaq të pamëshirme sa shfarosin njerëzit në masë, godasin këdo. Fshinë nga faqja e dheut dikë që po priste të rritej në detyrë dhe t’i plotësonte më shumë nevoja familjes, dikë që më në fund bleu një shtëpi, dikë që po priste të martohej, dikë që sapo është dashuruar, dikë që sapo është bërë prind, dikë që do dikë dhe duhet nga dikush. Pra, nuk është kaq e thjeshtë të vrasësh. Kur vret dikë, vret të gjithë ata që e duan atë se qenia njerëzore është komplekse. Po a e kupton bomba këtë? Një copë hekuri i ftohtë nuk ka si ta kuptoj. Po! Nga lufta ngelen shumë fëmijë. E vërtetë! Fëmijë që nuk do të kenë fëmijëri.
Po të mbijetoj ja si do ta përshkruaj unë luftën:
Diku ishte një djalë i cili po luftonte sepse e kishin dërguar në luftë, duke lënë shkollën, ëndrrat, familjen për të vrarë një djalë tjetër e shumë të tjerë në moshën e tij duke i vrarë ëndrrat, shkollimin, familjen i cili sapo kishte vrarë një djalë tjetër duke i vrarë ëndrrat, shkollimin, familjen e kështu një zinxhir vrasjesh.
Po për cfarë? Po për cfarë po i vrasim? Për territor, politikë, strategji? Vendosin arinjtë që do të ketë luftë dhe vdesin të rinjtë. Sigurisht që nuk do flas për fitore. Në luftë nuk ka fitore, ka vetëm lider fitues. Historia shkruhet nga fitimtarët ku flasin vetëm për arritjet dhe sakrificat e tyre. Ana tjetër është ajo humbësja dhe nuk ia llogarisim as viktimat, as sakrificat.
Këta arinj që vrasin çdo ditë dhe kur nuk ka fushëbetejë. Vrasin për interesat e tyre, vrasin me varfëri, vrasin me fodullizëm. Pra, vrasin në mënyra të ndryshme dhe viktimat jemi ne.
E thënë më saktë: Po t’i mbijetoj kësaj lufte do përgjigjem me plot gojën: Unë vrava njerëz që nuk doja t’i vrisja dhe u përpoqën të më vrisnin njerëz që nuk donin të më vrisnin e se të gjithë duam të ikim në shtëpi.
E nëse nuk i japim fund kësaj lufte, kjo luftë do të na japi fund ne!
Please follow and like us: