Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: FLET HIJA E TIJ

 

 

PAPA PANDI (1910?-1945)

Kur bota në dukje po rrotullohej aty nga gjysma e shek. XX, askush nuk e kuptoi se ajo ishte mështjellë me petkun e mbrapambetjes së ndergjegjes njerzore dhe, as nuk dihej gremina ku po perfundon ndoshta pergjithnjë.

Maska e një ateizmi barbar nën drapen e çekanin sovjetik jo vetëm, po përçudnonte Rusinë staliniste, por po rroposte pamëshirë kulturën sa e sa shekullore t’ Europës plakë që, “pa e kuptue” gjuhej me topa. Askush nuk vrau veten per shka po i sillte njerzimit por, “shokun e vllaun po”!

Krimi i organizuem nga shteti kriminal vetëm shfaroste pamëshirë kë tha “Partia Komuniste”. Ishin një grup terroristash barbarë të panjoftun e të pa “Atdhe e Fe”, madje, me yllin e kuq pesëcepash mbi ballin e flliqun.

Shqipnia mbas vitit 1941 kur u bashkuen Trojet e Saj, as nuk mendonte me hy në kasaphanën e Luftës së Dytë Botnore. Ishte e ngopun me gjak.

Roli paqdashës dhe i Vllaznimit i Popullit Shqiptar ishte model botnor!

Flasin vetëm dokumentat e papublikueme nga historianët e diktaturës: Në Trojet Shqiptare as nuk njifej fjala “fanatizem”! E këte e gjeni ma sakt nder dosjet e Sigurimit të Shtetit komunist mbas vitit 1945, në hetusitë, ku del haptas Vllaznimi mes Bektashijve e Katolikëve, Ortodoksëve dhe Katolikëve dhe Myslimanëve nder kampet e shfarosjes së Maliqit apo, në Kampin e Interrnimit të Tepelenës, dishmue nga zonja Bajame Hoxha, e cila asht kenë e interrnueme Ajo vetë atje fëmij. Lexoni tekstet e Saja!

Heshtja ndaj vllaznimit dhe mirkuptimit mes Ortodoksëve e Katolikëve të viteve 1920 – 1945 e ma vonë, me Imz. Kristofor Kisin asht vetem turp! E ky turp vazhdon me të gjithë ata që zbatuen perçamjen e diktatorëve e barbarëve që nga Ever Hoxha, e po e vazhdojnë edhe sot me Edin Rama.

Kam lexue dhe studjue Dosjet e Sigurimit te Shtetit komunist, kryesisht ato të kasaphanës barbare e shnjerzore të hetuesisë së mnershme të Kuvendit të Fretenve të Shkodres, ku dalin në dukje: Vllaznimi dhe Ai i quejtuni mirkuptim shekullor, mes Besimeve në Shqiptarët e Vertetë!

Nuk ka asnjë Hoxhë apo intelektual Mysliman që në tortura i shpifet një Prifti Katolik. Nuk ka asnjë Pop Ortodoks që akuzon një Hoxhë apo Prift Katolik. Hoxhallarët Bektashijë as mos i kerkoni se, prej Emnave të Tyne, do të kuptoni se kush asht Besimtari i Vertetë e Shqiptari i Kastriotit!

Njohja e Tyne sot asht detyrë e parë per Ministrinë e Arsimit e t’Kulturës.

Vetem atëherë do të kuptoni pse dhane jeten Atdhetarët Papa Pandi e sa e sa, Martirë të Paharrueshem të Popullit Kastriotit e Nanë Terezes!

Do të shkruej per Papa Pandin që asht mbytë në Korçë, në Tetorin e vitit 1945 në mënyrën ma shnjerzore… I prenë koken me sopatë në pyll, dhe ia vune mbi gjoksin e Tij pranë Kryqit. Ishte klerik Katolik që punoi per unifikimin me Kishen Ortodokse Shqiptare. Ishte rreth 35 vjetëve, po me saktësi as sot nuk i dihet as mbiemni as datat kryesore. Gjithshka asht e msheftë dhe e pazbulueme nga sigurimi komunist i Shqipnisë. Ishte Prift Katolik i ritit oriental që ka sherbye në Korçë, pikrisht aso kohe kur disa Klerikë Ortodoks u kthyene në Katolik, por që mbas 1944 porsa erdhen në pushtet komunistët, i mbyten dhe i zhdukën të gjithë mizorisht. Kryesisht arsyeja ishte perçamja fetare me elementin Katolik, që vazhdon edhe sot.

Ishte shumë i përgatitun dhe kishte perfundue studimet në Grotta Ferrata t’ Italisë, tue u rikthye në Shqipni me sherbye si Klerik i mirëpërgatitun.

Dihet e saktë vrasja e pabesë që asht ba nga barbarët e sigurimit shtetit kur Papa Pandi, po shkonte në fshatin ku sherbente, mbasi kalimi në pyll ishte i detyrueshem si shpjegon edhe Motra korçare Gjeorgjina Bulgareci, aso kohe me sherbim në ate krahinë. Lajmin Moter Gjeorgjina e mori nga njena prej motrave që e kishte mësue nga njeni prej grupit vrastarve.

Ma shumë ka ndikue në vrasjen e Papa Pandit sjellja e Tij model Kleriku me të gjitha tiparet e një Priftit të persosun në të gjitha pikpamjet. Emni i Nderuem i Papa Pandit asht kenë i njoftun edhe per mue, po fatkeqsisht në Arkivin e Ministrisë së Mbrendshme në Tiranë, nuk figuron as Emni.

Kujdesi per vrasjen e Tij dhe zhdukjen e gjurmëve asht i njoftun mirë.

Në dokumentacione shpesh Emnin e Nderuem të Papa Pandit, studjuesit e lidhin me Papa Josifin e Elbasanit, edhe Ai i mbytun barbarisht nga disa polic diku pranë Liqenit Pogradecit, që e mbuluen me baltë persëgjalli.

Urrejtja e pashoqe per këte brez Klerikësh asht e lidhun me masakrat që u janë ba edhe Klerikëve dhe intelektualëve të krahinave tjera Shqiptare, që kryesisht ishin përgatitë në Europen Perëndimore Perparimtare.

Dokumentat nuk mungojnë me vertetue faktet e kriminelave komunistë.

Sot mungon vullneti me i studjue ata dokumenta dhe me i paraqitë në të gjitha tekstet e shkollave dhe universiteteve faktet e shkatrrimit Atdheut.

Gjithshka per zhdukjen e Shqipnisë Gjergj Kastriotit fillon në vitin 1944.

Po punohet me dëshiren ma të keqe e mizore me zhdukë Rininë e brezat që ruejnë trashigiminë e Atdheut të paprekun, po gjithmonë mos harroni se Ata, që dhane jeten nen plumat e barbarve komunistë, kurr nuk do të harrohen se, ishin një brezni që dallohej në shenjë.., po edhe, që nuk do të persëritet kurrma! Vdiqen per Atdhe, Fe dhe Perparim t’ Atdheut!

Ngjarjet e sotme në Ukrahinë, fatkeqsisht mund të jenë një “parathanje” e atyne vepra që komunistët sllavosovjetikë patne aplikue edhe në Shqipni!

E mos harroni asnjëherë vendin që kanë në Historinë e Shqipnisë sonë: Ata sot e perjetë janë Zamakë të Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut!

Melbourne, 4 Mars 2022.

 

 

Please follow and like us: