Mevlan Shanaj: Çifti Orgocka, të mirënjohur në gjithë Shqipërinë!
Çifti Orgocka, të mirënjohur në gjithë Shqipërinë! Dhorkë Orgocka (Dhimitri asnjëherë nuk i thirri Dhorkë, por Dhora) pra kjo Dhora, Dhorkë, ishte partnerja me Taqkën që në rininë e hershme. Një çift tradicional në rrugë, në pallatin e kulturës, klasikisht të zënë për krahu në bulevardin e Korçës që ka vajza pa masë! Në skenë të dy ‘egoistë’ kush të dilte më mirë dhe hap pas hapi pa u ndalur! Edhe fëmijët aty nëpër studio u rritën! Kaluan vitet mirëpo Dhora po shkëlqente në ndërtimin e karaktereve në fillim me regjisorët e asaj kohe, si Piro Mani, edhe Taqka, aq sa e imitonin studentët që konkuronin për aktorë nga Korça. Më kujtohet Llazi Serbo, në konkurs imitonte Orgockën nga “Hijet e natës” dhe një nga komisioni e pyeti: Kaq shumë të pëlqeka Orgocka se po e imiton edhe me timbrin (më pas gjatë gjithë kohës vetëm Orgockën nuk e pëlqente)? Më vonë nën regjinë e Orgockës që sokëllinte në skenë, Dhorka kishte ngarkesën kryesore në çdo shfaqje. Shumë shpejt Taqka u bë zot i teatrit të Korçës, sidomos pasi u rikthye nga ‘edukimi’, që e dërguan për biografi me njollë të kuqe. Edhe atje në fabrikën e lëkurave ishte zot me atë trup të fuqishëm! Nuk u nënshtrua! Më vonë erdhën vitet e triumfit të Taqkës. Grupet rivale si kudo në Korçë ishin prezente, por aktivizimi i shumë aktorëve të Korçës në kinematografi, hapte udhën për secilin! Dhora u bë aktorja kryesore, Taqka mbeti regjisori më prodhimtar! Erdhi një ditë që Dhorkë Orgocka, iku u fik! Dhimitër Orgocka nuk e shkëputi dosjen nga nënsqetulla deri ditën e tretjes. Ishte e papritur pasi dukej se për të nuk do kishte dorëzim para ndaljes së zemrës aq të fuqishme të mbushur me pasion! Kisha miqësi nga 1969 dhe bashkëpunim për TVSh me disa drama, dy prej tyre i xhiruam me film. Kam bërë edhe një portret me interpretime dhe biseda të Dhorkës dhe Pandi Raidhit. Kishte aktorë të mëdhenj Teatri i Korçës. Ndihem i përkëdhelur nga ajo miqësi!
Please follow and like us: