Odise Kote: GURI
Këputur prej malit, gjersa e priti dora e rreshkur
që përhiroren e zymtë, të ashpër, e bëri brumë,
shpirt të panënshtruar që piu thithkë në gji të mëmës.
Për çudi xanxa rrebele u përkëdhel, u latua, u lëmua,
dhe u ngul në mjegullnajë, tej mugëtirës,
duke ngrënë rrënjë të egra e hithra rrëpirave.
Në paqe, ndën qiell, edhe midis përgjumjesh të pashpjegueshme,
me zell rufitës, pasi kishim nevojë për një përfytyrim,
u shfaq: Kandilja, kupa e artë, pjatë e ngrohtë dhe një mashë zjarri.
Një grua, veshur rastësisht me liane e lule rozë si hyjni ilire,
qante a këndonte, mbi hark lire a në prag, ishte Gjirokastër,
duke dëgjuar zërat që nëpër ëndrra i vijnë dhe i flasin.
Guri tjetër – mëshira, kjo fjalë e kobshme që ndillte veç zi,
u rrokullis në greminë sikur të kishte flakën nga brenda,
në kërkim të diçkaje të frikshme, që nuk gjendet.