Abazoviq njofton për zgjerimin e sanksioneve kundër Rusisë
Zëvendëskryeministri, njëherësh mandatari për Qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka biseduar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me luftën në Ukrainë.
Sipas një njoftimi të Qeverisë së Malit të Zi, Abazoviq ka thënë se shteti i tij qëndron me aleatët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të mbrojtur vlerat e civilizimit.
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë sanksionet në mënyrë që të ndjekë plotësisht politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të ndërmarrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe siguria e shtetit, ne po ndërmarrim veprime që kanë për qëllim të luftojnë ndikimin malinj në Mal të Zi, që më herët ka rezultuar me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria për Punë të Jashtme”, ka thënë Abazoviq.
Ai po ashtu ka thënë se Mali i Zi do të dërgojë ndihmë shtesë humanitare dhe financiare, por edhe ndihmë ushtarake, sapo të përfundojnë proceset e brendshme në vend.
Sipas njoftimit, Escobar e ka falënderuar Malin e Zi për partneritetit dhe ka përsëritur qëndrimin se Podgorica mund të llogarisë në mbështetjen e Uashingtonit.
Mali i Zi ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë. Ky shtet, si pjesë e NATO-s, ka thënë se do të mbështesë të gjitha politikat e aleancës ushtarake./REL/