Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Paskali i madh i Gjirokastrës!

Paskali i madh i Gjirokastrës!
82 vjeç sot. U bëftë shekullor.
… në krye të Sokakut të të Marrëve, ngrihet shtëpia trekatëshe e personazhit më të famshëm të Gjirokastrës, Sotiraq Paskalit.
Shtëpia, së bashku me bashtinën plot pemë, mureveshur e gjitha me sarmaçe, është galeri arti, bibliotekë në qindra kopje librash, arenë cirku, sallon muzike e pikture, palestër stërvitjeje, ofiçinë për gjithfarësoj mjetesh dhe një oaz lulesh e trëndafilash që s’i gjen askund. Krijon menjëherë përshtypjen që brenda saj gjen gjithçka, marrëzinë, dritën, zejen, sakrificën, intelektin, muzikēn, forcën, ekstravagancën, ngasjen, madje dhe përdëllimin e mëshirën.
Jeta e Sotiraq Paskalit është ajo e bohemit, artistit, shkencëtarit, njeriut të lirë që s’ka Enciklopedi, Roman apo Anuar Bibliotekash në botë që mund ta nxjejë e përmbushë të gjithin.
Mjek veterinier, themelonjës i cirkut të parë, piktor e skulptor me ekspozita brenda e jashtë vendit, shkrimtar e poet me 21 vëllime, muzikant, zbutës kafshësh të egra, kampion kombëtar në shtangë, mundje, atletikë etj Paskali e jetoi ashtu si deshi jetën e vet.
Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Qytetar Nderi i Qarkut, Mjeshtër i MADH i Punës, Naim Frashëri e dhjetra tituj të tjerë të dhëna gjatë jetës, janë thjesht titujt që na kujtojnë se sa e çuditshme dhe e pakufishme, e gjerë dhe plot të panjohura është jeta e njeriut.
Tashmë i vetëm, (e shoqja është ngjitur në qiell dhe tre fëmijët i jetojnë në Europë), Paskali i madh i Gjirokastrës vijon jetën e tij aktive, punon, stërvit një grup artistësh të cirkut, pikturon e çel ekspozita, kompozon e shkruan letërsi midis rrëmujës së librave në atë kthinën e katit të parë.
Mbushi 82 vjeç dhe ju mblodhën miqtë e bekuar, bashkëkohës të mbetur ende në jetë që i organizuan një Festë surprizë. Folën e sollën kujtime për “bëmat e çuditë” e Paskalit, që nga lundrimi në lumin e egër Vjosa, me trap, prej Përmetit në grykëderdhjen e Fierit, tek “xhirot” e famshme me arushën Zana kalldrëmeve të Gjirokastrës.
Nga kjo Festë e jashtëzakonshme po veçoj dy detaje të “vogla”:. Një ishzyrtar, koleg i tij në Komitetin e dikurshëm Ekzekutiv nisi të flasë për vlerat e Paskalit, por rrëfimin sipas zakonit shqiptar të Belulit e rrotullonte nga vetja. Bezdia ndër miqtë u bë kaq e madhe sa mezi po e përmbanin mosaprovimin.
Qetësisht Paskali ngrihet, e rrëmben me dy duart e forta, e ngre lart gati në tavan dhe pas saj, lëshon batutën e tij lapidare:
Epo pusho njëherë more…, e mban mend?Atëherë të ngrija lart të gjithin vetëm me një dorë…
Pas kësaj batute, të qeshurat shpërthyen vullkan duke rikthyer menjëherë atmosferën e gëzimit e të sinqeritetit njerëzor.
Dhe detaji i dytë, është falenderimi i Paskalit për miqtë e tij dhe banorët e Gjirokastrës :
– O të dashurit e mi! Njerëz më të mençur e më të shtrenjtë se ju, jam i bindur që nuk do të takoj dot as në parajsë …! Ia kam thënë këto fjalë Shën Pjetrit dhe ai m’i ka miratuar!
Fjalë të arta, të thëna nga Paskali i madh, që duhen gdhendur në çdo mur të Gjirokastrës…
Please follow and like us: