Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: DITËT E EPOPESË SË MADHE TË UÇK!

(Nuk është legjendë, por një e vërtetë e madhe, ndërkohë që është mediatizuar si “Legjenda e Jasharajve” të Prekazit, që është vërtetësi e themeltë e gjakut, heroizmit dhe qëndresës së 59 dëshmorëve të Prekazit, që shkruan një epope për shekujt e shqiptarizmës, që do të ketë përjetësi shekullore, që do të jetë udhërrëfyes për brezat e shqiptarëve këtej e matanë Drinit).

 

 

Sot është dita e së vërtetës dhe krenarisë kombëtare, një ditë historike! Është dita e epopesë së UÇK-së, shpëtimtarës së shqiptarëve të përtej Drinit, është simbolika e shekujve që shqiptarët e Kosovë e pritën jo pak por një shekull. UÇK-ja është krenari e të gjithë shqiptarëve që nisi si forcë e sigurisë kombëtare, si një burim i pashtershëm lirie. Në fakt janë tri ditë të përkujtuese të Epopesë së madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse më 5, 6, e 7 Mars të 1998-ës ishtë zhvilluar njëra ndër betejat më vitale dhe më të rëndësishme të UÇK-së kundër agresionit brutal ushtarak të pushtuesve serbë. Trupat militare serbe sulmuan familjen e Adem Jashari dhe pas një përballjeje heroike në Prekazin e atdhetarisë u shkrua epope qëndrese, u vranë 59 vetë nga të cilët 20 fëmijë e gra. Këtu në këtë luftë ra legjendari i UÇK-së Adem Jashari, vëlla i tij Hamëz Jashari dhe babi i tyre, Shaban Jashari. Prekazi u bë kthesa madhore e zgjidhjes së çështjes të Shqiptarëve përtej Drinit, e Dardanisë sonë.

Kush ishte Adem Jashari? Adem Jashari ishte lindur më 28 Nëntor 1955, në një ditë me ditëlindjen e flamurit. Ai gjithë jetën punoi e luftoi për flamurin, që kërkoi një Kosovë të pavarur, por edhe një ëndërr që ta shihte Shqipërinë të bashkuar. Ai u trupëzua më flamurin kombëtar dhe ra për këtë flamur në epopenë e madhe heroike të 5 deri në 7 mars 1998. Kombi shqiptar ka sot një nderim të vecantë për komandantin legjendar Adem Jashari, prijësi i heronjve të pavdekshëm të kombit. Gjenealogjia e familjes Jashari është e vjetër Prekazi i Poshtëm përbëhet prej katër lagjeve: lagjia Jasharaj, Kodra, Meha dhe Lushtaku. Tri lagjet e para janë krijuar prej tre vëllezërve: Jasharit, Kadriut dhe Mehës, prandaj edhe janë të një gjaku, ndërsa Lushtakët janë të ardhur më vonë në Prekaz. Jashari ka pasur tre djem, ndërsa familja e Adem Jasharit, rrjedh prej djalit të tretë të Jasharit, Muratit, prej të cilit pastaj janë krijuar brezat e tjerë të familjes tonë: Fazliu, Murati, Shabani. Shabani (Murat) Jashari, ishte martuar me Zahiden, dhe i kanë lindur tre djem: Rifati, Hamza dhe Ademi. Kështu, trungu i familjes Jashari vazhdon të zgjerohet dhe të shtohet dita ditës duke u ripërtërirë breza të tërë. Shaban Jashari dashurinë për komb e atdhe e kishte shfaqur që në vitet 50 të shekullit të kaluar, por rezistenca më serioze, më publike e familjes Jashari që do të mirrte dhenë ndodh në dhjetor të vitit 1991, kur me armë u ndeshën me forcat policore serbe.

Marsi i vitit 1998, ishte rrethimi i tretë i kullës së Jasharëve në Prekaz, ku përgjakja e tre ditrëve është pjesë e martirizimit të shqiptarëve. Fakt është se rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skënderaj, më 3 e 4 mars 1998, ishin dislokuar forca të shumta ushtarake por edhe forca e mjete të artilerisë së rëndë. Gjithashtu policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë. Në orën 5.30 minuta të datës 5 mars, artileria serbe, nga Fabrika e Municionit, fillon gjuajtjet në drejtim të Kullës së Shaban Jasharit, por dhe të gjithë Jasharëve të tjerë. Krismën e armëve dhe sidomos kundërpërgjigjen e dëgjoi gjithë shqiptaria. Qëndresa ishte heroike titanike e kryetrimave në Prekaz, por kushtrimi ishte dhënë tashmë në mbarë shqiptarinë, në të gjitha trojet e Shqipërisë dhe në diasporën shqiptare. Legjendari Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, tepër të vështirë, ndër më të dhembshmit të pakrahasueshëm në historinë shqiptare, për të qëndruar trimërisht përballë sulmit dhe për të mos u dorëzuar për së gjalli. Adem Jashari kishtë thënë “Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!” dhe historia më e re e Prekazit ishte bërë flamur frymëzimi për brezat. Ai ngeli pishtari i pashuar që udhëhiqtë luftën si frymëzues betejash, i cimentuar njësh me lirinë. Lajmi për rënien e legjendarit Adem Jashari dhe të njëzetë pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, por edhe të 39 të tjerëve nga familja e madhe e Jasharajve, që gjendeshin në Prekaz, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari liridashës.Dhimbje dhe krenari për një akt ekstrem të sakrifikuar për lirinë e një kombi të tërë, një veprim frymëzues i pakrahasueshëm. Prekazi u kthye në kullën e përjetshme të lirisë së shqiptarizmës, flakadani i qëndresës, prushi i përjetshëm i atdhetarisë, që përbashkon shqiptarinë, anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në diasporën shqiptarë të shpërndarë në të katër anët e globit. Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit,  Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë frymëzim dhe impulse flakës së luftës për liri. Oshëtima e shekujve “O, prite Azem Galicën…”, u shndrua “Prite, prite Adem Jasharin!”, devizë për të cilën u luftua dhe u fituan betejat, nga bijtë e bijat e Kosovës martire, luftëtarët dhe luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ushtrisë-shpresë të popullit dhe tmërrit për armikun. Gjatë luftës emrin e Adem Jasharit, e mbante Brigada 111 e UÇK-së. Në përvjetorin e pavarësisë shqiptare, por dhe datëlindjen e kryeheroit, më 28 nëntor 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së, ndërsa sot këtë emër të ndritur  “Adem Jashari” e mban Garda e Republikës së Kosovës. Ka hyrë në histori thënia e  kryeadministratori i parë i Kosovës francezi Bernard Kushner, që me rastin e një vizite në Prekaz, kishte deklaruar: “Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari të Prekazit”. Për komandantin Adem Jashari janë shkruar libra, drama, broshura, jetëshkrime nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj, ka dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, është objekt hulumtimi në dhjetra e qindra Konferenca shkencore e sesione shkencore brenda dhe jashtë Kosovës, janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Tiranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike, është realizuar kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz. Adem Jashari është përjetësuar në institucione të shumta edukative, arsimore e shkencore, në trojet shqiptare. Adem Jashari është emri më i frekuentuar shqiptar në mediat shqiptare dhe botërore. Portreti i Adem Jasharit gjendet kudo në Kosovë, Shqipëri, tek shqiptarët në emigracion.

Amanetin e Adem Jasharit e përmbushi UÇK-ja me luftën e saj të drejtë për çlirim kombëtar. Vepra më heroike e shqiptarëve ishte UÇK-ja dhe lufta e saj ajo e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë më parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën botërore.

UÇK-ja diti që me sigurinë dhe vendosmërinë e saj të detyronte Fuqitë më të Mëdha të globit, që të mblidheshim në një konferencë ndërkombëtare, në kështjellën e Rambujesë, në Francë në shkurtin e 1999, posaçërisht për çështjen shqiptare. Përfaqësues të shqiptarëve bënë të njohur botës të vërtetat mbi tragjedinë me shqiptarët dhe me trojet e tyre, tragjedi që kishin ndodhur më parë në Shën Stefan, në Berlin, Londër, etj, por këtë radhë më ne shqiptarët ishte edhe aleati ynë strategjik, Fuqia më e Madhe e botës SHBA.

UÇK-ja e të gjitha trojeve shqiptare e organizuar, dinjitoze dhe e vendosur u bë struktura e një force tokësore të NATO-s në teren, ndërkohë që NATO ndërhyri ushtarakisht më 24 marsin e 1999-ës. Ushtria e Kosovës ishte një misionare lirie me karakter clirimtar gjithëkombëtar. UÇK-ja u kthye në aktorin dhe faktorin misioinar për çlirimin e Kosovës. NATO u shndrua në Forca ajrore e UÇK-së, ndërsa UÇK ishte këmbësoria solide dhe zbulimi në teren i forcave të NATO-s. Faktori NATO nën drejtimin e SHBA-s, dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, janë misionarët e së drejtës, në një mision historik të kryer bashkëpunues, të njohur dhe legjitimuar botërisht, dhe sa herë kujtohet epopeja e madhe e kreshnikëve të Prekazit përkujtohet NATO dhe UÇK-ja të lidhur në funksion të lirisë dhe të drejtës së kombeve të shtypur, që tashmë janë pjesë e historisë sonë Kombëtare. Ky unitet do të shpaloset padyshim edhe në kërkimet shkencore të elitës intelektuale historiografike këtej dhe matanë Drinit, që do të mblidhen për sesionin shkencor me temë: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – vlerë kombëtare”.

59 jetë të martirizuara në Prekaz, Drenicë – dëshmorë të trupëzuar me lirinë e Kosovës

Familja Jashari ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, jo vetëm në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë të përbotshme, për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin e UÇK-së, ka rolin e pashembullt për mobilizimin e masivizimin e popullit në luftën çlirimtare, për mbështetjen e kësaj lufte nga faktori ndërkombëtar si dhe ka merita të pakrahasueshme për lirinë, dhe mbarësinë kombëtare, për Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran e demokratik. Familjet e tilla nderojnë secilin komb, por jo të gjitha kombet kanë madhështi të tilla. Për çdo përvjetor, Jasharët që mbijetuan, Jasharët e ripërtërirë, në fytyrat e tyre nuk kanë ngrysje, lot e zhgënjim; në çdo fytyrë të Jasharëve sheh dashuri, bujari krenari për fitoren e arritur kombëtare. Edhe në këtë rrafsh, edhe në Kosovën e re Jasharët dëshmojnë dhe rrezatojnë veçantinë e tyre familjare të trashëguar, që është për tu lakmuar nga të gjithë shqiptarët kudo që janë. Anëtarët e familjes Jashari të rënë gjatë luftës së UÇK-së: Adem Shaban Jashari (42), Udhëheqës legjendar i Kosovës; Shaban Murat Jashari (74-vjeçar), babai i Ademit; Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Ademit; Zarife Jashari (49) gruaja e Rifatit; Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifatit; Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifatit; Igball Rifat Jashari (13), djali i Rifatit; Igballe Rifat Jashari (11), vajza e Rifatit; Hamëz Shaban Jashari (47), vëllai i dytë i Adem Jasharit; Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit; Selvete Hamëz Jashari (20), vajza e Hamëz Jasharit; Afete Hamëz Jashari (17), vajza e Hamëz Jasharit; Besim Hamëz Jashari (16), djali i Hamëz Jasharit; Lirie Hamëz Jashari (15), vajza e Hamëz Jasharit; Blerim Hamëz Jashari (12), djali i Hamëz Jasharit; Fatime Hamëz Jashari (9), vajza e Hamëz Jasharit; Blerinë Hamëz Jashari (7), vajza e Hamëz Jasharit; Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit; Fitim Adem Jashari (17), djali i Adem Jasharit; Kushtrim Adem Jashari (13), djali i Adem Jasharit. Por në betejën treditëshe të fillimmarsit dhanë jetën për lirinë e shqiptarizmës edhe dëshmorët sepse janë 59 jetë të martirizuara, janë dëshmorët e trupëzuar njësh me lirinë me emrat e dëshmorëve të Zonës Operative të Drenicës, të rënë në betejën e madhe të shekullit më 5, 6 dhe 7 marsit 1998 të familjes Jashari në Prekaz. “Epopeja e UÇK-së”, në Prekazin e gjakut, trimërisë dhe gjakut është epopeja e 59 dëshmorëve, të rënë në betejën e familjes së komandantin legjendar Adem Jashari. Janë të gjithë dëshmorët e Ademjasharëve, që shkruan lëvdi në përjetësinë shqiptare: 1.Adem Sh. Jashari; 2.Adile B. Jashari; 3. Afete H. Jashari; 4.Afije A. Jashari; 5.Ajvaz K. Jashari; 6.Ali R. Jashari; 7.Avdullah Z. Jashari; 8.Bahtije M. Jashari; 9.Beqir B. Jashari; 10.Besim H. Jashari; 11.Blerim H. Jashari ; 12.Blerim Z. Jashari; 13.Blerina H. Jashari; 14.Bujar Z. Jashari; 15.Elfije S. Jashari; 16.Elheme U. Jashari; 17.Faik T. Jashari; 18.Fatime H. Jashari; 19.Fatime S. Jashari; 20.Fatime Xh. Bazaj; 21.Feride R. Jashari; 22.Fitim A. Jashari; 23.Hajrije Z. Jashari; 24.Hajzer Z. Jashari; 25.Halil B. Jashari; 26.Halit I. Jashari; 27.Hamdi S. Jashari; 28. Hamëz Sh. Jashari; 29.Hamide A. Jashari; 30.Hamit H. Jashari; 31.Hanife Z. Jashari; 32.Hidajete R. Jashari; 33.Igball R. Jashari; 34.Igballe R. Jashari; 35.Isak F. Halili; 36.Kajtaz M. Jashari; 37. Kushtrim A. Jashari; 38. Lirie H. Jashari; 39. Mihrije F. Jashari; 40. Murtez Z. Jashari; 41. Nazmi Z. Jashari; 42. Osman Sh. Geci; 43. Qazim O. Jashari; 44. Qerim H. Jashari; 45. Ramiz S. Jashari; 46. Sabrije Z. Jashari; 47. Sadik H. Jashari; 48. Salë Sh. Jashari; 49. Selvete H. Jashari; 50. Shaban M. Jashari; 51. Shahin Q. Jashari; 52. Sherif B. Jashari; 53. Sinan R. Jashari; 54. Smajl A. Jashari; 55.Smajl Xh. Bazaj; 56.Ukshin Q. Jashari; 57. Valdete R. Jashari; 58. Zahide Sh. Jashari; 59. Zarife B. Jashari. Nuk janë emra, por lumenj gjaku për lirinë, janë krenaria e përjetshme shqiptare e Shqipërisë ketej dhe matanë Drinit, prandaj meritojnë gjithë respektin e të gjithë shqiptarëve dëshmorët e Prekazit të martirizuar, dëshmorët e përjetësisë së shqiptarëve! Lavdi e përjetshme familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar! Lavdi Dëshmorëve të Prekazit, të UÇK-së dhe të mbarë kombit tonë!

Please follow and like us: