Albspirit

Media/News/Publishing

Prongjia me histori të madhe

Nga Xhevat Lluri dhe Engjëll Fino               

Fshati Prongji i krahinës së Kardhiqit të rrethit Gjirokastrës ka një pozicion të veçantë strategjik rrethuar nga male të lartë me shkëmbinj e përrenj, kodra brinja dhe bregore që i japin nje pamje piktoreske. Banorët e këtij fshati dallohen për burrëri e trimëri, urtësi, bujari dhe mençuri. Ka të kaluar patriotike e me tradita të hershme atdhetare. Nga gjiri vet ka nxjerrë figura të shquara patriotësh e atdhetarë që kanë nderuar mëmëdhenë duke kulmuar me pjesmarrjen e gjërë të popullit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Janë një sërë figurash të shquara që janë fiksuar në memorien historike.

Ndër të ëparët që na vjen në mendje është Barjam Ligu (Prongjia) që njihet si atentatori i vrasjes së bimbashit turk në mars të vitit 1908 në Gjirokastër, ish-luftëtar i çetës patriotike të heroit Çerçiz Topulli. I njohur për guximin e trimëritë e tij edhe në vitet e mëvonshme 1913 1914 kur monarkofashistët grek kërkonin të pushtonin jugun e vëndit për ta shkëputur nga qeveria e vlorës së Ismail Qemalit për të krijuar të ashtuquajturin Vorio-Epir. Kur andartët grekë zbarkuan në fshatrat e krahinës së Kurveleshit dhe të Kardhiqit erdhën edhe në Prongji dhe mblodhën të ngjithë burrat e fshatit dhe u kërkonin të dorzonin armët ,por hasë n në rezistencën en tyre. Ishte i pari Barjam Ligu që i kundërshtoi dhe u bëri thirrje fshatarëve që të mos i dorëzonin. Ky qëndrim i vendosur e burrëror i tij i revoltoi shumë dhe filluan ta torturonin duke i thyer edhe brinjët se e dinin që ishte luftëtar i çetës së Çerçiz Topullit që u kishte kallur datën me aksionet e tij patriotike. Kështu e arrestuan dhe e izoluan në kalanë e Kardhiqit ku kishin komandën. Megjithse e torturuan përsëri ay nuk u përkul dhe në shënjë hakmarrje i prenë njerin vesh për ta turpëruar para njerzëve por ai ishte ballëlart dhe nuk e mbuloi kurrë, përkundrazi ia rriste më shumë lavdinë para njerëzve.

Rrugën atdhetare të babait të tyre e vazhduan tre djemtë e tij Nebiu, Muserreti dhe Dashua. Dy djemtë e mëdhenjë iu bashkuan LANÇL, dolën partizanë dhe luftuan për çlirimin e vendit, kurse Dashua është shpallur dëshmor i atdheut i vrarë tradhtisht në krye të detyrës në vitin 1947 duke shërbyer si ushtarak në divizionin e Delvinës. Për këtë figurë atdhetare populli i fshatit me iniciativën e disa intelektualëve prongjotas me banim në Tiranë menduan dhe konkluduan që në 75 vjetorin e ndarjes nga jeta ta përjetësojnë në një bust prej bronxi për ta vendosur në qendër të fshatit para shkollës që mban emrin e tij, duke plotësuar amanetin e të parëve për të mos e mbuluar harresa këtë patriot që i ka dhënë emër jo vetëm fshatit e krahinës por edhe më gjërë. Gjithashhtu nga shoqata atdhetare kulturore “Labëria” me qendër në Tiranë i është propozuar Presidentit të Republikës për vlerësimin e këtij patrioti me dekoratën e artë të Shqiponjës.

***

Patriotët e vërtetë të këtij fshati morën në mbrojtje dhe strehuan çetën patriotike të heroit kombëtar Çerçiz Topulli pas luftës së Mashkullorës i ndjekur nga koshadhët turq dhe e strhuan në një shpellë tek shkëmbi mjaltit që edhe sot njihet me emrin shpella e Çerçizit. Në shpellë i çonte ushqim çdo ditë Majko Lluri sëbashku me nënën e tij Barjamen me justifikimin se do të bënin dru në mal, mbasi kontrollohesh çdo person që dilte nga fshati. Për këtë akt patriotik dhe pjesmarrej e tij në luftën e Vlores më 1920 dhe në LANÇL sëbashku me dy djemtë e tij partizanë, me ppropozim të Komitetit të veteranëve të rrethit Gjirokastër këshilli i qarkut me vendim nr.7 datë 04.03.2008 i dha titullin patriot i shquar me motivacion për veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare.

***

Figurë tjetër me kontribute të veçanta është Stefan Maliko Gogo, i cili gjatë kryerjes së shërbimit si ushtarak në portin e Durrësit së bashku me Mujo Ulqinakun organizuan rezistencën e armatosur kundër pushtimit fashist të vendit më 7 Prrill 1939. Stefani luftonte krah për krah me Mujo Ulqinakun dhe kur ai u vra mori mitrolozin e tij dhe po luftonte, por u plagos rëndë në krah dhe humbi ndjenjat. Italianët e morën dhe çuan ne Brindisi të Italisë për ta kuruar pa bujë e pa bërë publike çështjen me qëllim që të mos publikohej rezistenca që bëri populli shqipëtar. Mbas kurimit kërkoi me insistim të kthehej në atdhe dhe mbas çlirimit shërbeu si oficer në repartin e marinës në port për disa vite. Veprimtaria e tij u la në harresë për shumë vite, por në vitin 1997 ish presidenti republikës Rexhep Meidani e dekoroi me dekoratën e artë të shqiponjës dhe pas një viti u nda nga jeta. Sot njihet si invalidi i parë i LANÇL nga shoqata kombëtare e invalidëve të kësaj lufte çlirimtare.

Emin Zogu është një figurë tjetër patriotike e Prongjisë, i cili megjithëse ishte sakat nga këmba, në festën e organizuar nga pushtuesit italianë me qeverinë e kohës më 28 nëntor 1941 se gjoja respektonin ditë e flamurit dhe pavarësisë ku në sheshin e fshatit ku ishte edhe komuna u ngritën dy flamurë, flamuri kuq e zi por me shpatat e Duçes dhe flamuri tri ngjyrësh italian. Fshatarët u indinjuan dhe shikonin njeri-tjetrin sepse për rreth kishte xhandarë e karabinierë se si të vepronin. Ndër kaq Eminin nuk e mbante vendi dhe lëvizte i nervozuar derisa vendosi që me patericën e tij të ulte flamurin Italian e ta shkelte me këmbë duke iu drejtuar të pranishmëve se sot nuk është ditë gëzimi por ditë zije se flamurit tonë i janë vënë shpatat e Duçes dhe thirri “Poshtë fashizmi!”. Kryetari komunës dhe italianët u befasuan dhe tentuan ta arrestonin, por e mbrojtën gjithë të rinjtë dhe burrat e fshatit dhe ata u larguan e nuk e bënë problem duke e konsideruar si veprim të një individi të veçantë. Ky akt patriotik përjetësohet në lapidarian e ngritur në vendin ku u organizua në qëndër të fshatit.

Rrënjët e këtij akti patriotik i gjejmë në të kaluarën patriotike të këtij fshati. Publiçisti Sevo Tarifa në librin me katër vëllime “Shpirtra të gdhendur”, në vëllimin e dytë portretizon  veprimtarinë patriotike të Majko Llurit dhe Emin Zogut. Këto ishin shkëndijat e zjarrta që do të ndizte flakë pjesëmarrjen masive të Prongjotasve në LANÇL. Nga ky fshat dolën 77 partizanë 43 nga të cilët partizanë në Brigadën e Gjashtë sulmuese “Heroinë e popullit”, ndërsa në batalionin territorial të krahinës u rreshtuan 70 burra e gra, 59 të rinj e të reja organizuan rininë antifashiste dhe 62 gra krijuan organizatën e gruas antifashiste. Nuk mbetën prapa edhe pionierët që 32 filiza krijuan organizatën e tyre në ndihmë të luftës. Ky fshat i dha luftës 5 dëshmorë. Xhezo Makashi, Islam Binjari, Demir Kadëna, Mehmet Skreli, e Dasho Ligu.

Karakteristikë e veçantë e këtij fshati ishte se në rreshtat partizane u futën fise e familje sëbashku siç ishin fiset Skrelaj,Rreçkaj, Makashajt, Haloçajt, Gogajt, Taçajt, Kasajt, Çafarajt, Ndreajt, Petrajt, Këndellajt etj. Mes tyre kishte bab e bir si Hazbi e Feta Këndella, Hamza Makashi me djalin Xhezon sot dëshmor i  atdheut, burrë e grua Shefit e Qëndrime Ligu vëlla e motër Neshat e Shero Kasi,nënë e bijë Urani e Dhoksi Ndreu, 5 vëllezërit Skrelaj ,vëllezërit Ruzhdi e Petref Lluri etj. Në këtë fshat u krijua e para çetë partizane në krahinë që në shenjë mirënjohjeje e përkujtimi mori emrin e Çerçiz Topullit me komisar Gani Haloçi. Hamza Makashi u zgjodh Kryetar i këshillit krahinor duke zëvëndësuar heroin e Popullit Shefqet Peçi që u caktua komisar i batalionit partizan “Asim Zeneli” që u krijua tek rrepet nën Prongji më 7 Gusht 1943. Për vetë pozicionin strategjik dhe patriotizmim e popullit te këtij fshati u vendosën depot e armatimitm ushqimit e veshmbathjes, u krijua spitali partizan për krahinën dhe ishte baza kryesore e strehimit të shtabit partizan vendosur në Manastirin e Cepos. Gjatë luftës ky fshat u dogj tre herë pasi njihej si fshat i  lidhur me luftën.

Mbas çlirimit përsëri banorët e fshatit u aktivizuan në aksionet e shumta për rindërtimin e vendit të shkatërruar. Shumë të rinj e të reja vazhduan shkollat e larta në profesione të ndryshme. Ka pasur edhe kuadro kryesore që kanë kryer funksione të larta si atashe ushtarakë jashtë shtetit, komandantë divizioni, kryetarë e zv.kryetarë degësh deri edhe zv.Ministër, kryetarë gjykatash, pedagogë në universitet etj. Ne brezi i sotëm dhe ata që do të vijnë, duhet ta ndjejmë veten krenarë që të parët tanë kanë bërë sakrifica të mëdha për çështjen e lirisë e pavarësisë së Atdheut dhe na kanë lënë këtë trashgimi të vyer atshetare dhe premtojmë se jo vetëm do ta ruajmë këtë trashgimi historike, por do t’i ngremë akoma më lart idealet e shënjta atdhetare.

***

Fisi dhe famija skrelaj në fshatin Prongji i të krahinës së Kardhiqit të rrethit Gjirokastrës njihen si atdhetarë që kanë kontibuar për lirinë e Shqipërisë. I pari tyre Lame skreli ka qënë luftëtar në çetën patriotike të heroit kombëtar Çerçiz Topulli dhe pjesmarrës në luftën e Vlorës më 1920 dhe ka përkrahur qeverinë demokratike te Fan Nolit. Gjithashtu ka urryer qeverinë e Zogut.

Familjarisht dhe sëbashku si fis u lidhën tërësisht me LANÇ qysh në fillimet e saj. Dy djemtë e mëdhenj, Tahiri dhe Mehmeti, u rreshtuan qysh në fillim në çetën partizane “Çerçiz Topulli” krijuar e para në krahinë më 12 dhjetor 1942 në Prongji dhe morën pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga kjo çetë në krahinë në rrethin e Sarandës, Delvinës gjer në Libohovë. Pjesë e këtij batalioni ishte dhe kushëriri i parë Jaho. Kur u krijua brigada e Gjashtë në Përmet batalioni Asim Zeneli u inkuadrua në këtë formacion të madh të ushtrisë partizane. Sikurse dihet ata kanë luftuar edhe jashtë kufijve shtetërorë në ish Republikën e Jugosllavisë. Mehmetin në gusht të vitit 1943 për trimërinë dhe zgjuarsinë e treguar gjatë luftimeve ne Libohovë e caktojnë intedent të spitalit partizan në Zagori ku prêt e përcjell partizanë të plagosur dhe i funizonte me ilaçe ushqime e veshmbathje.

Gjatë operacionit armik të dimrit 1943-44 spitali partizan ishte vendosur në Kuç të Vlorës, por nazistët e zbulojnë vendndodhjen e spitalit dhe të gjithë të plagosurit bashkë me personelin braktisin spitalin dhe strehohen në një guvë në mal. Gjermanët kur nuk i gjetën  në spital vihen në kërkim dhe me anën e qenëve bien në gjurmë e tyre dhe i rrethojnë. Grupi partizan që i shoqëronte organizohen për luftim duke u krijuar mundësinë të plagosurve që të largohen duke u hedhur nga një greminë dhe disa u plagosën rëndë, pati edhe të vdekur. Mehmeti sëbashku me shokët kur u mbaruan fishekët hidhen dhe ata në greminë por Mehmeti plagoset rëndë në shtyllë kurrizore. Të plagoosurit edhe me ndihmë e disa ushtarëve italianë i  transportojnë më spitalin e fshatit Prongji nga ku me vonë i  transportuan me kafshë deri në Borsh dhe që andej  në spitalin e Brindisit Itali. Mbas çlirimit gjëndja shëndetësore e Mehmetit përkeqësohet dërgohet për kurim në Itali. Mbas kurimit këthehet në atdhe por sëmuret përsëri dhe nuk e përballoi dot dhe në vitin 1947 ndahet nga jeta dhe shpallet dëshmor i  atdheut.

Hajrua ishte partizan trim dhe i guximshëm dhe i njohur nga të gjithë partizanët e kompanisë së tij edhe pë humorin dhe këngët labe që këndonte pas çdo beteje duke u argëtuar sëbashku. Mbas çlirimit kontribuoi për rindërtimin e vendit dhe mori pjesë në shumë aksione. Gjithashtu ndihmoi shumë për përgatitjen e grupit polifonik të fshatit i cili mori pjesë në disa festivale ku kanë marrë edhe çmime. Me vendosjen në qytetin e Gjirokastrës ka punuar me ndërgjegje në administratën shtretërore në disa sektorë ku ka merituar respektin e të gjithëve. U martua me Zeliha Makashin edhe kjo nga familje e lidhur tërësisht me LANÇ-in . Vëllai saj Ramiu partizann i brigadës së Gjashtë dhe i dërguar si atashe ushtarak pranë forcave aleate në Bari të Italisë, edhe xhaxhallarë e saj Sadiku e Hazizi kanë marrë pjesë aktive në këtë luftë. Nga martesa lindën e rritën 4 fëmijë, djalin Gëzimin që u bë officer dhe tre vajza  që u arsimuan dhe ndjekin gjurmët e prindërve. Hajrua ka qënë aktiv në organizatën e veteranëve të qytetit të Gjirokastrës dhe u nda nga jeta në moshën 93 vjeçare. Edhe vëllezërit e tjerë Nurua, Tahiri dhe më i vogli, Hetemi kane qënë pjesëmarrës në formacione të ndryshme partizane, kurse Hetemi në rininë antifashiste dhe pjesëmarrës në grupin e të rinjve që transportuan të plagosurit nga spitali partizan i fshatit në Borsh. Mbas çlirimit kryen detyra të ndryshme Nurua në Komitetin e Partisë në Gjirokastër, ndërsa Tahiri oficer në Tiranë, të cilët nuk jetojnë më. Jeton vetëm Hetemi  i cili ka qënë oficer dhe ka shërbyer në batalionin e kufirit në Shkodër, sot në pension, veteran dhe militon në organizatën e veteranëve në Delvinë. I martuar me Hiro Çafain familje atdhetare e lidhur me luftën. Vëllai saj Gaziu ka qenë oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, i ndarë nga jeta para një viti. Së bashku kanë lindur e rritur 4 vajza të cilat ndjekin gjurmët e prindërve të tyre. Kushëriri parë Jaho Skreli ish partizan i batalionit “Asim Zeneli” dhe i brigadës së Gjashtë ka marrë pjesë në të gjitha betejat e zhvilluara nga kjo brigadë. Ka shërbyer në divizionin e mbrojtjes dhe ka ushtruar profesionin e ndihmësmjekut dhe për arësye shëndetësore lirohet dhe ushtron profesionin e tij pranë komunës në Cepo derisa doli në pension. Djemte u arsimuan dhe kanë shërbyer në sektorë të ndryshëm Beqiri u bë oficer dhe u specializua në fushën e gazetarisë në shtypin ushtarak dhe mbas ndryshimeve demokratike ka qënë gazetar në “Zërin e Popullit” dhe më vonë atashe ushtarak në Gjermani, sot jeton në Amerikë. Djali tjetër Engjëlli ka kryer studimet e larta në universitetin bujqësor fakulteti Ekonomisë Agrare dhe specializuar në Francë ka punuar pedagog pranë këtij universiteti ku është edhe sot.Në qeverinë Nano ka kryer detyrën e zv.Ministrit të ekonomisë. Drini djali më i vogël ka studiuar në Athinë por sot jeton e punon në fshat në shtëpinë e prindërve dhe merret me vreshtari.

Jahua mbasi doli në pension erdhi me banim në Tiranë pasi bashkshortja dhe nëna e fëmijve ndërroi jetë dhe u detyrua të vijë pranë djalit. Ka milituar në organizatën e veteranëve të njësisë 3 dhe ka mbrojtur me besnikëri idealet e LANÇ-it. Për aktivitetin e tij kryesia e Komitetit Kombetar i ka dhënë ritullin e lartë “Nderi i organizatës së veteranëve” dhe vitin e kaluar u nda nga jeta.Në rrënjë t e këtij fisi janë edhe Asllan e Shyqyri (Dano) Skreli…

Nderimi e përkujtimi i familjeve me kontribute në shërbim të atdheut janë jo vetëm obligim shpirtëror, por edhe detyrim moral për t’i bërë të njohur brezave të parët tanë për sakrificat e shumta që kanë bërë në vite për çështjen e lirisë së Atdheut.

Please follow and like us: