Protestë gjigande në Tokio kundër pushtimit rus të Ukrainës
Miliona njerëz marshuan të shtunën në Tokio, duke protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës. Protestuesit gjatë tërë kohës bërtitnin “Ndaloni luftën”. Disa mbanin pankarta në duar ku shkruhej: “Ne qëndrojmë me Ukrainën”, dhe disa të tjerë mbanin fotografi të presidentit rus, Vladimir Putin. Granatimet ruse në një central bërthamor në Ukrainë që ndodhën të premten dhe kërcënimi i nënkuptuar i Putinit për luftë bërthamore, kanë shqetësuar edhe qytetarët e Japonisë. Ky shtet pësoi sulme atomike në fund të Luftës së Dytë Botërore në Hiroshima dhe Nagasaki, si dhe katastrofën më të keqe bërthamore që nga Çernobili në Fukushima në 2011. “Është shumë e tmerrshme”, tha Yukiko Asano, që ishte pjesë e protestës. Protesta, një nga më të mëdhatë në Tokio në vitet e fundit, përfshiu edhe njerëz nga Evropa. Protestuesit u veshën verdhë dhe kaltër, ngjyrat e flamurit të Ukrainës. “Ne duhet të ndalojmë Putinin. Duhet t’i japim fund diktaturës”, tha një protestues tjetër.